Si të shpëtojmë prej qeverive, që mburren me sendet tona

Nga Astrit Patozi –
Kjo mburrja e qeverisë me sendet, që ka ndërtuar apo financuar gjatë mandatit të saj, është një nga gjërat më të neveritshme të këtyre viteve të fundit. Është mes të tjerash edhe një lloj pasqyre e katandisjes së politikës dhe e raportit primitiv të pushtetit me shoqërinë në Shqipëri.
Jemi gati rast unikal në Europë e më gjerë për kryeministra, ministra dhe kryetarë bashkie, që na zgjojnë pa u gdhirë dhe na e shpifin ditën, duke na pëmendur rrugë, shkolla, ujësjellësa, spitale, metra katrorë dhe tonelata asfalti, tela dhe tuba me shumicë, duke na i shitur këto gati si një sakrificë sublime, të cilën e kanë bërë për ne.
Sot ishte radha e një ure në Kukës, që na e bëri “peshqesh” Edi Rama. Nesër do të jetë një ujësjellës, pasnesër një rrugë, e kështu me radhë do të vazhdojë, derisa të vijnë zgjedhjet.
A thua se ato nuk janë bërë me fonde të buxhetit të shtetit, por janë dhurata filantropike nga llogaritë e lëna si trashëgim prej gjyshërve të tyre të pasur.
Ndërkohë që në botë edhe kur ndodhin donacione të tilla, ku përfshihen dinastitë e famshme financiare, ose nuk bëhet lajm fare, ose ai i drejtohet një audience të kufizuar, që ka lidhje të drejtpërdrejtë me investimin, por jo gjithë popullit mbarë.
Dhe pyetja është në duhet t’ia dimë për nder kryeministrit pse në kohën e qeverisjes së tij ndërtohen edhe vepra publike, gjë që në fakt është puna rutinë e çdo administrate, që kur ka lindur shteti në këtë botë?
Mos vallë duhet t’i jemi mirënjohës qeveris së tij, që s’ka lënë gjë pa bërë në këto 7 vjet me tendera dhe konçensione të korruptuara, se nuk i ka asgjësuar të gjitha fondet e mbledhura prej taksave tona, por ka lënë diçka edhe për punët publike? Le më pastaj të futemi më thellë në vlerën përherë të fryrë me të cilën ato ndërtohen, për shkak të babëzisë në të gjitha hallkat e procesit, që nga tenderimi e deri tek vendosja e tullës së fundit.
Në një kohë kur pothuajse mungon debati për rritjen ekonomike, shtimin e vendeve të punës, nivelin e taksave, uljen e varfërisë, cilësinë e arsimit dhe të shëndetësisë, përmirësimin e mjedisit, mbrojtjen e prodhimit vendas apo tema të ngjashme, me të cilat krahasohen qeveritë në çdo vend të zhvilluar dhe qytetëruar.
Po çfarë është kjo dashuri e pushtetmbajtësve tanë me sendet, që ndërtohen në kohën e tyre? Nuk e bëjnë vetëm për të shpërqëndruar vëmendjen nga çështjet e rëndësishme, me të cilat ballafaqohet çdo qeveri serioze në botë. Por më shumë ngaqë duan të rrënjosin konceptin se të kesh pushtetin në Shqipëri, nuk ka kuptimin që të shërbesh për aq sa ke mandatin, por të jesh zoti dhe pronari i plotfuqishëm i gjithë vendit.
Që do të thotë se çdo gjë kalon përmes teje dhe ndodh për shkak se do ti, me përjashtim të tërmeteve, pandemive dhe gjërave të kësaj natyre.
Ndaj edhe është i domosdoshëm ndryshimi dhe jo thjesht rotacioni në Shqipëri, duke filluar nga këto zgjedhje. Dhe shenja e parë që ai ka ardhur do të jetë, kur të mos na e nxjerrin më gjumin që në pikë të sabahut udhëheqësit e lavdishëm të partisë dhe të popullit, duke u krenuar me vepra publike të ndërtuara me paratë tona.

SHKARKO APP