Si u bë Greqia europiane

 

Nga David A. Graham

Greqia është djepi i qytetërimit europian, thonë, po a është ajo në Europë në fakt? Përgjigja mund të duket e vetëkuptueshme: Vendi ndodhet në kontinentin europian, sigurisht, dhe ai është pjesë e Bashkimit Europian – të paktën tani për tani. Por pyetja është ngritur shpesh herë, dhe përgjigjet kanë qenë të paqëndrueshme, që nga fillimet e shtetit modern grek në shekullin 19. Negociatat në vazhdim, që mund të vendosin përfundimisht për anëtarësinë e Greqisë në BE, janë thjeshtë përpjekja më e fundit për të gjetur një përgjigje. Po të shohësh hartat e vjetra të Europës, Gadishulli i Ballkanit është i përfshirë, por ai është i shenjuar si “Turqi”. Kjo sepse nuk ka patur një Greqi të pavarur që nga koha e pushtimeve romakë, deri në vitin 1820; disa pjesë të Greqisë së sotme kanë qenë nën kontrollin otoman, deri në shekullin 20 madje. Greqishtfolësit nën pushtimin otoman e lidhën identitetin e tyre me fenë dhe kishën ortodokse, dhe jo me identitetin kombëtar, dhe e mendonin veten më shumë si romakë, se sa si grekë, më tha Molly Green, profesore e historisë dhe studimeve helenike në Princeton.

Qendra e tyre kulturore do të kish qenë, jo Athina sot e mbuluar nga pluhuri, por Kostandinopoja kozmopolitane. Megjithatë, në veri dhe në jug, mendimtarët europianë ishin të magjepsur prej klasicizmit dhe kishin filluar të adhuronin shembullin e lashtësisë greke, ndërkohë që zhvillonin një koncept të ri nacionalizmi. Greqishtfolësit që udhëtonin dhe jetonin në Europë – tregtarë dhe studentë – nisën të përthithin këto ide. Filo­ helenët ndihmuan për të ushqyer një lëvizje drejt pavarësisë së Greqisë, që rezultoi në revolucionin e vitit 1820 dhe që e çliroi më në fund Greqinë nga sundimi otoman. Disa europiano­perëndimorë, ndër më të spikaturit prej tyre, poeti anglez Lordi Bajron, shkuan për të luftuar për këtë kauzë. Revolucioni funksionoi, dhe e pati kulmin tek njohja ndërkombëtarisht e një shteti të ri grek në vitin 1832. Ai “mbolli” gjithashtu helenizmin si mitin themelues të kombit, duke i riorientuar greqisht­folësit drejt një identiteti kombëtar, i cili kishte në qendër lavdinë e lashtësisë. Pothuajse menjëherë, nisën të shfaqen probleme. “Europianët kishin disa ide të ekzaltuara – “Do shkojmë të takojmë Agamemnonin dhe Perikliun” – dhe ata ishin të zhgënjyer nga grekët”, thotë Greene.

“Ka Europë dhe Europë, dhe kjo nuk ishte Europa e duhur”. Kjo bëri që grekët e vërtetë të shkëputeshin prej vetë qeverisë së tyre. Nuk do të kishte një rikthim të menjëhershëm tek demokracia e Athinës. Teksa Greqia e pavarur e sapolindur ishte zhytur në kaos, fuqitë europiane u mblodhën në Londër dhe emëruan një Mbret – Otto, një princ bavarez i transplantuar – si dhe i vunë kufi ushtrisë greke. “Në të gjithë Ballkanin, por sidomos në Greqi, një shtet që ka gjithmonë mbi vete barrën e të mos qenurit në gjendje të arrijë nivelet e Greqisë së lashtë, ka një marrëdhënie të dyfishtë kundrejt Europës”, thotë Greene. “Fuqitë e Mëdha ishin jetike për sigurimin e pavarësisë nga ana e Greqisë, dhe në të njëjtën kohë, nxituan të bëjnë të qartë se Greqia nuk do të ishte një shtet europian, në të njëjtin nivel”.</p>

Historia e mospagimit të borxheve nga ana e shtetit grek është e lidhur ngushtë me këtë marrëdhënie të trazuar me Europën. Siç e kanë bërë të qartë disa komentatorë, vendi ka qenë në këtë gjendje mospagimi për pothuajse gjysmën e ekzistencës së tij si shtet i pavarur. Në fakt modeli është më i ndërlikuar, se sa thjeshtë një dështim i përsëritur i pagimit të borxheve. Eshtë një rreth vicioz që përsëritet, me marrëzinë e huadhënieve nga ana e kredidhënësve europianë dhe keqmenaxhimin e grekëve, dhe që i ka rrënjët 200 vite pas në kohë. Shkelja e parë e afateve të pagimit ka ndodhur gjatë luftës për pavarësi, kur rebelët nuk mund të shlyenin huatë e europianëve, që ua kishin dhënë për të luftuar. Fuqitë e Mëdha dhanë më shumë hua në vitin 1832, kur u vendos Mbreti Otto; në vitin 1843, një grusht shteti vendosi limite kushtetuese ndaj tij, dhe Greqia nuk pagoi sërish borxhet. Gjatë Luftës së Krimesë në vitet 1850, grekët u përpoqën të bëjnë aleancë me rusët, duke i parë ata si një aleat më të qëndrueshëm se sa Britania dhe Franca (është një paralele historike me vardisjen e Athinës ndaj Moskës gjatë javëve të fundit).

Basti dështoi dhe anijet europiano perëndimore pushtuan portet greke. Greene, e cila aktualisht jep leksione në Selanik, thotë se ka parë në rrjetet sociale kohët e fundit, karikatura të epokës së luftës së Krimesë, në të cilat shfaqet Britania që tërheq për veshi Greqinë.

Në fundin e viteve 1870, Greqia pagoi borxhet sovranë dhe nisi të ketë sërish akses në tregjet e huaj. Ajo mori hua me tepri dhe shkeli dhe një herë afatet e pagesave në 1893. Kredidhënësit e huaj krijuan pas kësaj, një “komitet Ndërkombëtar për Menaxhimin e Borxhit Grek” për të imponuar reforma dhe mbikëqyrur borxhin grek. Kjo marrëdhënie mes huamarrësve grekë dhe huadhënësve europianë mund të duket si një simbiozë toksike, por secila palë ka gjetur një fajtor alternativ në perandorinë otomane. Tekstet grekë ia vënë fajin turqve të urryer, që shtypën nacionalizmin dhe arsimin grek, një pretendim që është anakronik – nacionalizmi është një shpikje relativisht e re – dhe i pavërtetë, sipas ekspertëve të historisë otomane, me të cilët kam folur. “Nëse otomanët ua bënë këtë gjë grekëve, dhe qenka kaq keq, atëherë përse nuk e kanë përmbysur tendencën, që kur shpallën pavarësinë?”, më tha Carter Findley, një profesor i spikatur i historisë në Ohio State University. “kanë patur 185 vjet për të zgjidhur problemet e tyre, dhe nuk e kanë bërë”. Shumë gazetarë, për shembull, kanë përsëritur një pretendim se shmangia e taksave ishte një gjest patriotik në Greqinë otomane, një mënyrë për t’i rezistuar autoritetit të Stambollit. Eshtë e vërtetë që paaftësia për të vënë në zbatim ligjet e taksave ka ulur shumë të ardhurat e qeverisë greke, por historianët otomanë e shohin me dyshim këtë pretendim.

Qeveritë e vona otomane mbështeteshin tek një sistem taksimi, sipas të cilit një taksambledhës lokal do i paguante paraprakisht një tarifë Sulltanit, në këmbim të të drejtës për të mbledhur taksat në zonë. Një sistem i tillë mund të nxisë pangopësinë në taksim, dhe mund të krijojë një rezistencë ndaj taksave, por është e vështirë që të gjithë fajin t’ia hedhësh sulltanit. Një pengesë ndaj një taksimi më efikas është se Greqia nuk ka regjistër tokash. Jean Claude Junckeri, presidenti i Komisionit Europian, ia ka vënë fajin otomanëve edhe për këtë, por territore të tjerë otomanë kanë patur regjistër tokash; në fakt, ndërtesa e vjetër e regjistrit qendror të tokave është ende në këmbë në Stamboll. Kjo mënyrë e qortimit të otomanëve ka një qëllim të dyfishtë për Europën Perëndimore: Ajo largon fajin nga roli i Europës në falimentin e Greqisë, dhe në mënyrë retorike e shtyn Greqinë drejt periferisë së Europës, sikur historia e Greqisë si pjesë e Lindjes Islamike hedh në erë pretendimin e këtij vendi për anëtarësim të plotë në komunitetin europian. Nuk është një taktikë e re, as SHBA nuk kanë qenë imune ndaj konsiderimit të popujve të Ballkanit, ku Greqia bën pjesë, si krijesa emocioni dhe jo arsyeje, ndoshta jo të aftë të merren vetë me punët e tyre. Në një ese të botuar në vitin 1993 tek Neë York Revieë of books, George Kenan, plaku i mençur i diplomacisë amerikane, shkruante se shumë pak gjëra kanë ndryshuar në periudhën mes luftërave Ballkanike të viteve 1910 dhe atyre të tashme, dhe se “asnjë vend i veçantë apo grup vendesh” nuk mund të mposhtë “popujt e eksituar” të rajonit të Ballkanit, apo “të vërë rregull mes tyre, deri sa të qetësohen dhe t’i shohin në një mënyrë më të rregullt e të qetë problemet e tyre”.

Vazhdimësinë e stereotipeve të tillë mund ta shohim në debatin e sotëm mbi Greqinë. Shumë grekë protestojnë se padrejtësisht paraqiten si dembelë dhe të pangopur, sidomos në mediat gjermane, ku kërkesat e grekëve për çlirim nga borxhet janë përcjellë me neveri. Sondazhet kanë treguar se, ndërkohë që pothuajse të gjithë europianët besojnë që gjermanët janë më punëtorët dhe më pak të korruptuarit në BE, shumica e tyre mendojnë që grekët janë më dembelët, një lloj përshtypjeje e cila – e vërtetë ose jo – mund të ndikojë tek negociatorët europianë që janë në diskutime me Greqinë. Gjermanët ndonjëherë protestojnë se grekët ndajnë të njëjtët stereotipe, por janë sërish sondazhet që tregojnë se grekët mendojnë për veten e tyre, se janë më punëtorët. (Duhet pranuar se ata mendojnë gjithashtu që janë rrezikshëm të korruptuar). në dritën e historisë, Greene e ka parë referendumin e të dielës, ku votuesit grekë hodhën poshtë paketën e shpëtimit të ofruar nga kredidhënësit, pjesërisht si shprehje e anktheve të votuesve grekë për vendin e tyre në Europë. “Ata që votuan PO investojnë në idenë e qëndrimit në Europë”, thotë ajo. “Në Greqi, për një kohë të gajtë ka dominuar një ndjesi se, ‘ne e kemi humbur trenin, kemi qenë nën sundimin mysliman dhe kjo na pengoi që të jemi europianë. Më në fund po pranohemi në klubin europian dhe duhet të qëndrojmë në Europë’”. Por më shumë se 60% e votuesve shprehën të njëjtën pakënaqësi kundër hegjemonëve europiano perëndimorë, ashtu si kanë bërë paraardhësit e tyre në vitet 1832, 1843 dhe 1854. “Ata që votuan JO, kanë menduar: po na tërheqin sërish për hunde europiano perëndimorët, sikur ne të mos jemi vetë europianë”, përmbyll Greene.

The Atlantic – Bota.al

SHKARKO APP