Si u bëmë të gjithë qytetarë
NDUE DEDAJ
Mrekullia ndodhi. Vetëm për ne shqiptarët. U bëmë të gjithë qytetarë. As në tre mijë vjet e as në treqind vjet, por në më pak se 30 vjet. Lamë pas gjithë ç’kishim ndërtuar me shekuj ndër male dhe u nisëm për kah qyteti. Ani se pa shtëpi. Pa punë. Pa prona. Kishte ardhur dita e madhe që të mos e kthenim më kokën prapa. Ku ka më mirë se me qenë të gjithë qytetarë! Mblidhemi deng në kafenetë e qytetit, edhe pse disa prej nesh e kanë shtëpinë e origjinës në lugina të bukura, pak metra mbi apo nën autostradë dhe qytetin jo më shumë se pesë kilometra. Mirëpo, atje të vjen era “fshat”, ndaj kemi marrë shtëpi me qira në qytet dhe jemi bërë qytetarë! Tani nuk i vrasim më duart me punë, mbill, prashit e korr, por shullëhemi trotuareve, japim e marrim me “Facebook”-un, thashethemet, selfie-t. Kjo është moda tani. O Zot, çfarë shpikje! Çfarë do të kishte bërë njerëzimi pa të? Po nuk bubërrove orë e çast në smartphone, nuk je modern, domethënë qytetar.
Ndaj askush nuk punon më në fshat. Por as qyteti nuk ka krijuar një model pune. “Shqipëria nuk prodhon, njëqind bizneset më të mëdha merren vetëm me shërbime, tregti dhe ndërtim”, ishte një vëzhgim i “Top Channel” kohë më parë. Kjo ka bërë që dhe numri i të punësuarve të jetë relativisht i ulët. Blije dy lekë te shumica e shite tre në dyqan, nuk të çon asgjëkundi, veçse në një rreth ekonomik vicioz, pa të nesërme. Po të prodhohej, rrjedhimisht, njerëzit do të ishin në punë, më shumë se sot. Vetëm minierat e pakta dhe hidrocentralet mund të quhet se prodhojnë mineral dhe energji. Kjo vjen nga strategjitë e dobëta ekonomike, por dhe nga një dembelizëm që s’kemi pse e fshehim. Është thënë vazhdimisht se ne nuk punojmë, rrugët e sheshet plot, në çdo orë të ditës, përpos kur flemë, dy herë në 24 orë, në mesditë dhe në mesnatë. Përndryshe, me punën nuk kemi… punë! Nuk na vjen për të punuar. Presim që e mira të ndodhë pa punuar, begatia të bjerë nga qielli, bashkë me shiun. Populli në këto raste ka ironizuar: “U bëftë pa punuar!” Por nuk u bëka pa punuar. Arat janë djerrë nga Bregu i Bunës në fushat e Dropullit e Delvinës. Shqipëria nuk ka më hambarë gruri, fasulesh, perimesh. Ajo konsumon, por nuk prodhon. Askush nuk mbjell. Vetëm qeveria “mbjell” trotuare, asfalt, beton, por jo farëra bimësh. Si pa e kuptuar, po ndërtojmë një shoqëri të vesit, me varësi të shumta, nga droga, alkooli, bixhozi, siç shkruajnë psikologët, por dhe nga politika do të shtonim ne. E përqasim politikën me drogën, edhe për faktin se ka qenë politika që ka mbushur hambarët e hashashit, nga Lazarati në Dukagjin e kudo tjetër, por dhe për atë që njerëzit ende presin të pasurohen përmes korrupsionit të politikës dhe tenderave që burojnë prej saj. Është politika që punon “në të zezë”, duke i shitur mandatet, kandidimet, postet kryesore, pa puna në të zezë dominon sot në shkallë vendi, me njerëz që paguhen pak dhe të pasiguruar.
Një gjë duhet thënë troç. Ky vend kurrë nuk do të bëhet nëse nuk punon. Kemi mbetur duke treguar histori punëmëdhenjsh nga e kaluara, para një shekulli, që sot duhej të ishin të tejkaluara e jo përsëri referencë për të punuarit. Është bërë proverbiale historia e një mirditasi që shkon në Kosovë te një mik me disa nga të vetët për të punuar e fituar atje, që kur të kthehej të krijonte dhe ai ekonominë e tij në fshat. Dakord, i thotë tjetri. Ka punë plot dhe për ju. Në darkë, ai pret që njerëzit e asaj shtëpie të ktheheshin nga puna, por kishte rënë nata e ata nuk po dukeshin. Mirditasi i drejtohet të zotit të shtëpisë se çfarë kishte ndodhur që nuk po vinin robt e tij?! Nuk kanë mbaruar punë, kështu është këtu, ikin në punë me një orë natë, pa dalë drita, dhe kthehen me një orë natë!… Heu, ia bëri i mirditasi, për kështu unë e kam punën në fshatin tim dhe u kthye në Mirditë, ku krijoi një nga bashtinat më të mira të zonës.
Por erdhi tranzicioni, më mirë thuaj shthurja e përgjithshme, e njerëzit hoqën dorë vullnetarisht nga ajo që kishte qenë ekzistenca e tyre, prona, që ua pati hequr sistemi i mëparshëm. Paradoks! Në vend që t’i riktheheshin tokës, e lanë atë dhe shkuan ta gjenin lumturinë buzë detit, sikur bregdeti të kishte fshehur në rërë lugën e florinjtë! Ik në fushë, ik në emigracion, vetëm aty ku të kishte rënë koka, jo! Doemos që do të kishte njerëz që do të venin diku tjetër, në kuadrin e lëvizjes së lirë, por që të braktisje kullën dhe trojet e të parëve në luginën e Fanit, luginën e Matit, luginën e Drinit, luginën e Vjosës dhe të ikje në qytete e rrethinat e tyre, pa shtëpi, pa punë, me sytë nga qeveria, kjo nuk kishte kuptim. Në Zejmen është prej vitesh një fabrikë moderne e prodhimit të frutave dhe perimeve të konservuara për eksport, por pronari i saj i merr perimet në Lushnje, se nuk i mbjell kush fushat e Lezhës? Po në Lezhë është ndërtuar një frigorifer i madh që zë qindra tonë prodhime fushe, por ai nuk mbushet, sepse Bregu i Matës dhe Zadrima nuk janë shndërruar në ferma dhe ndërmarrje kooperuese. Gerta Loku – Tusha në Mirditë është bërë një personazh i njohur mediatik, për arsye se pas studimeve në La Sapienza, u kthye në vendlindje dhe bashkë me të shoqin kanë krijuar fermën e tyre blegtorale. Ka dhe plot të tjerë si ajo që kanë parë botë me sy dhe kanë ardhur për ta ndërtuar këtu parajsën ekonomike, agroturistike etj.. Për çudi, atyre jo vetëm nuk iu vjen era “fshat”, por kanë tërhequr qytetin drejt fshatit. Ama, bizneset e reja që po hapen në agroturizëm, vetëm në qoftë se i “importojnë” dhe punëtorët, si teknologjinë, nga jashtë vendit, pasi ne që jemi këtu refuzojmë të punojmë tek ata. Një banor në Selitë e ka çuar tufën e dhive në shtatëqind krerë dhe po shkon drejt një ferme blegtorale, në ato bjeshkë, por nuk gjen dot barinj!? Na vjen turp të punojmë te sipërmarrësit tanë, parapëlqejmë më mirë ata të Greqisë, Italisë etj..
Qeveria na thotë, përmes statistikave, se sot janë të punësuar mbi një milion e dyqind mijë shqiptarë, në shtet e privat, çka mund të jetë e vërtetë, veçse kur sheh kafenetë, rrugët e sheshet plot, si për ditë feste, e ke të vështirë ta besosh se gjithë kjo popullatë punon. Pastaj ku? Në ç’sektorë? Kamerierë, shoferë furgoni, në “fabrikën” e këpucëve…? Nëse do të ishte gjithë kjo punëtori, do t’i kishte rënë diçka për hise dhe fshatit. Ç’themi dhe ne, nga fshati nuk jemi shkulur më kot, por për të mos punuar, për t’u bërë… qytetarë! Por, do ti, qyteti na bën naze, nuk na pasaportizon për kollaj. Jetojmë në Tiranë, ndërsa certifikatat e gjendjes civile ende i marrim në Mallakastër a Martanesh, ku dhe vemi për të votuar. Më këmbë jemi në qytet, me “letra” në fshat…!
Kemi një keqkuptim të madh me tokën, fshatin etj.. Sot nuk e kuptojmë se çfarë pasurie kemi ende nëpër duar, pa taksë, dhe nuk e shfrytëzojmë. Do ta kërkojmë fshatin kur të vijë puna ta “blejmë” atë, të paguajmë për çdo rrënjë hardhie që do të vjelim, apo thjesht se do t’u rrimë në hije…