Si u lejua përdorimi i flamurit shqiptar në Kosovë në vitin 1968?

 

 

Historia e përdorimit të flamurit shqiptar në ish-Jugosllavi ndryshoi varësisht nga klima politike: herë lejohej përdorimi i tij e herë ndalohej.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe shqiptarët e Kosovës, me një urdhër të Shtabit Suprem të LNÇ-së për Kosovë, ishin lejuar që në ballë të aradhave partizane ta valonte flamuri kuqezi. Pastaj, menjëherë pas mbarimit të luftës, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë dokument zyrtar, flamuri ynë kombëtar u ndalua të përdorej. Kështu, kjo ndalesë mbeti në fuqi deri në vitin 1966, pas rënies së Aleksandar Rankoviqit në Plenumin IV të Brioneve.

Gjatë kohës së Rankoviqit, shumë shqiptarë u dënuan me burg të rëndë, vetëm pse u është gjetur flamuri. Në vitin 1967, delegacioni i Kosovës, i prirë nga Veli Deva, në takimin e parë me Titon, ndër të tjera kishte iniciuar edhe çështjen e lejimit të sërishëm të përdorimit të flamurit tonë kombëtar.

Zyrtarizimi i këtij lejimi u bë në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Socialiste të Kosovës, më 4 tetor 1968, në Prishtinë, pasi paraprakisht ishte dhënë dakordimi në nivelet më të larta shtetërore të Federatës jugosllave.

Telegrafi ua risjellë intervistën e ish-funksionarit të lartë komunist të Kosovës, Ilaz Kurteshi, dhënë para shumë viteve historianit Agim Zogaj, për Javoren Politike Shqiptare – "Zëri"

Është e ditur se gjatë Luftës së dytë Botërore Shtabi kryesor i përkohshëm për Kosovë kishte urdhëruar që, ndër të tjera, edhe flamuri kombëtar i shqiptarëve të përdorej lirisht. Ndërkohë që menjëherë pas mbarimit të luftës, regjimi i atëhershëm jugosllav e ndaloi, madje me sanksionim, përdorimin e flamurit shqiptar.

Dihen edhe dënimet drakonike të shqiptarëve për përdorimin e flamurit?

KURTESHI: Është e saktë se gjatë Luftës së Dytë Botërore populli ynë, sikur edhe vëllezërit tanë në Shqipëri, në luftë kundër fashizmit italian dhe nazizmit gjerman, e kishte përdorur simbolin tonë kombëtar – flamurin. Por, po ashtu është e saktë se pas mbarimit të luftës, konkretisht në periudhën e rankoviqizmit, pra deri në vitin 1966, ishte ndaluar përdorimi i flamurit tonë kombëtar.

Pra, përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar ishte ndaluar menjëherë dhe madje qindra e mijëra bashkëkombës tanë kishin vuajtur dënime të ndryshme për shkak të përdorimit të flamurit ose edhe për arsye se e kanë hapur çështjen e përdorimit të lirë të flamurit tonë kombëtar. Dihet pra se ndalimi i flamurit tonë kombëtar ishte bërë në kontekst të shumë ndalesave dhe sanksioneve që regjimi i atëhershëm u kishte paraqitur e imponuar shqiptarëve.

Situata e asaj kohe ka qenë shumë e rëndë. Po ashtu duhet thënë se vendimi për ndalimin e përdorimit të flamurit shqiptar ishte marrë në mbledhje të mbyllura politike, shtetërore, partiake dhe sigurisht edhe të shërbimeve policore jugosllave, gjithnjë me insistimin e Serbisë. Serbia dhe shërbimi sekret i asaj kohe, i udhëhequr nga famëkeqi dhe antishqiptari Aleksandar Rankoviq, kishte vlerësuar se përdorimi i flamurit nga ana e shqiptarëve të Kosovës nxit ndjenjat atdhetare, nxit emocionet për të luftuar për barazi, drejtësi dhe liri e çlirim nga sundimi serb si dhe bashkimin me shtetin amë. Prandaj, sipas zyrtarëve të regjimit serbo-jugosllav, duhej ndaluar edhe përdorimin e flamurit kombëtar të shqiptarëve.

Kuptohet se populli i Kosovës u dëshpërua, u zhgënjye, por kurrë nuk u dorëzua në luftën për të mbrojtur simbolin tonë të shenjtë – flamurin. Prandaj, edhe shumë shqiptarë u dënuan me burg dhe madje edhe gjetën vdekjen, kurse gjatë periudhës së Rankoviqit ka pasur edhe raste të inskenimeve policore kur UDB-ja famëkeqe, gjatë natës e vendoste flamurin shqiptar në ndonjë kulm ose oborr shtëpie dhe pastaj qëllimisht intervenonte. Po e them, populli ynë, edhe gjatë atyre viteve të rënda, me shumë krenari e mbajti flamuri në gji…

Situata rreth përdorimit të flamurit tonë ndërroi pas rënies së Rankoviqit?

KURTESHI: Pra, pas Plenumit IV të Brioneve, ku ndër të tjera u dënua dhe u demaskua politika serbomadhe, jo vetëm rankoviqiste, ndaj popullit tonë, pra edhe në lidhje me ndalimin e flamurit dhe dënimin e shqiptarëve pse i kishin kënduar flamurit, pse ia kishin gjetur në shtëpi, odë, xhep, flamurin ose edhe vetëm pse e kishin inicuar diskutimin, debatin për flamurin e ndaluar. Më duhet të them se asnjëherë nuk është dëshmuar me fakte se në cilën mbledhje janë marrë vendimet për ndalimin e përdorimit të flamurit, por ajo ka ndodhur heshtazi dhe sigurisht edhe me imponimin e policisë sekrete.

Kuptohet, udhëheqja e atëhershme e Kosovës nuk ka mundur të jetë indiferente ndaj ndalimit të përdorimit të flamurit, mirëpo, së paku deri në kohën e sundimit të Rankoviqit, nuk kemi pasur fuqi të dikutojmë çështjen e flamurit. Pas rënies së Rankoviqit, edhe populli i Kosovës dhe udhëheqja shqiptare e iniciuan çështjen e flamurit deri në instancat e takimeve te Titoja, siç kishte ndodhur me takimin e delegacionit të Kosovës me Titon, në vitin 1967.

Të jemi të qartë: asnjë shpjegim publik pse ishte ndaluar flamuri nuk ka pasur, por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur shpjegime dhe marrëveshje interne në qarqet e atëhershme politike serbe dhe jugosllave. Edhe unë kam qenë një nga ata udhëheqës shqiptarë të Kosovës, të cilët janë përpjekur të gjejnë shpjegime zyrtare se pse u ndalua flamuri shqiptar, në bazë të cilës marrëveshje, ligji apo vendimi shtetëror ose politik, mirëpo nuk kam hasur në ndonjë dokument.

Si u iniciuan diskutimet për të rikthyer të drejtën e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar?

KURTESHI: Po e them se pas rënies së Rankoviqit dhe politikës së tij antishqiptare, u hapën mundësi për diskutime të reja lidhur me pëdorimin edhe të flamurit shqiptar. Kjo çështje ishte shtruar edhe në takimin e delegacionit të Kosovës me Titon, por edhe në shumë tubime të nivelit popullor, partiak etj., anembanë Kosovës. Populli mori guximin dhe nisi të flasë shlirshëm, pra duke kërkuar me ngulm edhe të drejtën në flamur.

Të jemi të qartë, çështja e flamurit gjithmonë ka qenë dhe mbetet një ndër pikat kryesore më të ndjeshme, më esenciale, më të shenjta, për popullin tonë, prandaj ishte pritur një reagim i tillë i popullit. Bisedimet për rikthimin e të drejtës së shqiptarëve për përdorimin e flamurit ishin zhvilluar nga baza, në terrene, e deri te bisedimet që ne, udhëheqja e Kosovës, kemi pasur me udhëheqjen e Serbisë dhe të Jugosllavisë.

Ishte krijuar një klimë e re politike në ato rrethana, pra pas rënies së Rankoviqit, dhe mund të bisedonim pa ngurrim edhe për çështjen e flamurit. Kuptohet, edhe në atë kohë, si në nivel të Kosovës ashtu edhe atë të Serbisë dhe Jugosllavisë, kemi pasur zëra që kanë kundërshtuar kërkesën tonë për rikthimin e të drejtës së përdorimit të flamurit tonë shqiptar. Zërat e tillë në Kosovë vinin nga forcat nacionaliste serbomëdha, siç ishin: Shotra, Sekuloviqi etj. dhe madje edhe Kadri Reufi, pjesëtar i pakicës turke. Gjithashtu, kemi pasur kundërshtime të mëdha edhe nga disa politikanë dhe intelektualë nacionalistë serbë, ndër të cilët do të veçoja Dobrica Qosiqin.

Të ndalemi te rasti i Dobrica Qosiqit?

KURTESHI: Qosiqi kishte diskutuar një në mbledhje të KQ të LK të Serbisë, pra në vitin 1968, ku kishte kundërshtuar haptazi diskutimet për rikthimin e të drejtës së përdorimit të flamurit tonë kombëtar, pra edhe të rregullimit të asaj të drejte me ligj dhe me kushtetutë. Unë kam qenë në atë mbledhje kur ka diskutuar Dobrica Qosiqi dhe ai diskutoi në frymën e nacionalizmit serbomadh.

Pikëpamja e tij dhe e bashkëmendimtarëve të Qosiqit ishte se nuk duhet lejuar shqiptarëve flamurin sepse, sipas tij, ata pastaj do të kërkonin edhe republikën, shtetin, dhe madje bashkim me Shqipërinë. Për lexuesit e sotëm, që as që janë lindur në vitin 1968, më duhet të them se Dobrica Qosiqi, pikërisht për shkak edhe të qëndrimeve të tij nacionaliste, antishqiptare, ishte përjashtuar nga KQ i LKS-së. Por, dihet më vonë se çfarë veprime politike antishqiptare bëri pikërisht ai Dobrica Qosiq.

Po ashtu të them se në vitin 1968 ende nuk kishim filluar të diskutonim ashtu siç dëshironim edhe për çështjen e statusit të Kosovës, mirëpo legalisht dhe publikisht në tubime kemi shtruar çështjen e autonomisë më të madhe të Kosovës. Pikëqëndrimi ynë konkret ishte flamuri. Sa herë që kemi shkuar në terren, pra nëpër komuna, populli, qytetarët, e shtronin edhe çështjen e flamurit, por tani pa frikë dhe shqetësim se do t’i ndjekë policia. Bile, këmbëngulja e popullit për flamurin ishe aq e madhe, aq e vendosur, sa që edhe ne si udhëheqje fitonim një motivim për të luftuar edhe ne publikisht deri në diskutimet në federatë. Por, duhet ditur se çështja e barazisë së popullit shqiptar, pra edhe e drejta e përdorimit të flamurit, ishte diskutuar edhe në Plenumin IV të Brioneve.

Ne pra arritëm që ta ngrisnim si çështje të madhe përdorimin e flamurit tonë dhe si udhëheqje ishim të gatshëm të pranonim çfarëdo zgjidhje, konkluze politike, vetëm me kusht që për kohën, pra të eliminonim çfarëdo mundësie që shteti t’i arrestojë, t’i dënoj, t’i maltretojë, t’i burgosë, shqiptarët për shkak të flamurit. Kështu pra, me presionin e madh të popullit shqiptar dhe me përkrahjen e udhëheqjes, po ashtu shqiptare, u arrit që çështja e përdorimit të flamurit të ngritet në nivelet më të larta.

Vendimin politik për ta rikthyer të drejtën e përdorimit të flamurit e mori organizata e atëhershme e Lidhjes Socialiste të Kosovës?

KURTESHI: Po, vendimi për rikthimin e kësaj të drejte të popullit tonë ishte vendim politik, ndaj u vendos që ai të merrej, të aprovohej, në një mbledhje të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës, mbledhje kjo e mbajtur më 4 tetor 1968 në Prishtinë. Më kujtohet se unë, në cilësi të kryetarit të atëhershëm të LSPP-së, e kam mbajtur fjalën hyrëse, ku kam theksuar se përdorimi i lirë i flamurit shqiptar është element i barazisë kombëtare. Po, unë e di se ai ka qenë një qëndrim dhe formulim politik, por për kohën ishet shumë valid, i rëndësishëm dhe përcaktoi modalitetet që më vonë, pra nga ai vendim politik, çështja e përdorimit të flamurit të marrë formën e rregulluar me ligj dhe me kushtetutë.

Natyrisht, në fjalën time, e botuar asokohe në faqen ballore të “Rilindjes”, më 5 tetor 1968, i jam referuar edhe Mbledhjes IV të Komitetit Qendror të LKJ-së, si dhe Mbledhjes VII dhe IX të LK të Kosovës. Në atë mbledhje, udhëheqja e Kosovës, mendoj në atë shqiptare, ka pasur unanimitet të plotë dhe vërtet ishte në anën e popullit. Aty morën pjesë dhe diskutuan edhe Fadil Hoxha, asokohe kryetar i Kuvendit të Kosovës, Veli Deva, kryetar i LK të Kosovës, Avdi Bakalli, Ismet Gunga dhe personalitete të tjera të kohës.

Sigurisht se vendimet e përmendura rreth flamurit e emocionuan kombin shqiptar?

KURTESHI: Unë kam pasur rastin që pas aprovimit të vendimeve politike të LSPP-së për përdorimin e lirë të flamurit, të jem në mesin e popullit dhe të ndjej një entuziazëm të madh, të pa përshkruar. Populli, që aq shumë kishte vuajtur edhe për flamurin e vet të shenjtë, tashti ishte i lirë që në mes të sheshit të ndonjë qyteti a fshati ta valonte dhe ta puthte flamurin e vet. Vërtet, nga ajo distancë historike mendoj se ajo ishte një fitore e madhe e popullit tonë, ndaj mynxyrës së regjimit jugosllav.

Mirëpo, po ashtu dëshiroj të them se me fitoren e popullit shqiptar rreth çështjes së flamurit fituan edhe kombësitë e tjera të asaj kohe në ish-Jugosllavi, si hungarezët, turqit etj., sepse u shtrua dhe u rregullua edhe çështja e përdorimit të flamurit të atyre kombësive. Nga ana tjetër, rikthimi i të drejtës së përdorimit të flamurit shqiptar u dha grusht të rëndë forcave nacionaliste serbomëdha, hegjemonizmit serb me në krye Rankoviqin, i cili për atë kohë kishte qenë personi kryesor i vijës nacionaliste antishqiptare në Serbi. Por, po ashtu, ai nuk ishte i vetmi, sepse kishte edhe shumë bashkëmendimtarë të tjerë si ai, të cilët e kundërshtuan të drejtën e përdorimit të flamurit tonë.

Mirëpo, një rol dhe kontribut të madh në aktualizimin e çështjes së flamurit, atëherë të ndaluar, e kishte dhënë edhe ilegalja atdhetare shqiptare, si dhe inteligjencia shqiptare e kohës…

A keni pasur, si udhëheqje e Kosovës, harmonizim të qëndrimeve me ata intelektualë eminentë?

KURTESHI: Keni plotësisht të drejtë në konstatimin tuaj se ilegalja shqiptare kishte sensibilizuar popullin që të insistojë, që të këmbëngulë në të drejtën e flamurit. Prandaj, meritat për rikthimin e kësaj të drejte të popullit tonë i takojnë edhe ilegales shqiptare të atyre viteve. Nga ana tjetër, dihet se në vitet e ‘60-ta Kosova sapo kishte nisur të krijonte një inteligjenci të re shqiptare, e cila edhe në lidhje me çështjen e flamurit dhe të autonomisë së Kosovës, madje deri në kërkesën për Kosovën-Republikë kishte pasur rol jashtëzakonisht të madh. Po ashtu, ne kemi pasur kontakte dhe harmonizim të qëndrimeve me intelektualët e asaj kohe, siç ishin ndër më të njohurit: Gazmend Zajmi, Fehmi Agani, Hajredin Hoxha e shumë të tjerë. Pra, e kemi pasur përkrahjen e madhe të popullit, por edhe të inteligjencies së re shqiptare, që ndryshe ishte bërthama e ardhshme e Universitetit tonë. Hajredin Hoxha dhe Fehmi Agani, madje, ishin anëtarë të Kryesisë së LSPP-së.

Vetëm një muaj pas lejimit të përdorimit të flamurit shqiptar rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës dhe disa qyteteve të tjera u mbushën me demonstrues, të cilët e valonin flamurin kombëtar. Si ju dukej ajo pamje?

KURTESHI: Për mua ato demonstrata të rinisë studenteske dhe të mbarë popullit shqiptar në Kosovë dhe në Maqedoni kishin karakter kombëtar, kishin platformën e kërkesës për liri dhe, kuptohet, gjithnjë lirimin nga sundimi serb. Dalja në demonstrata me flamurin kuqezi ishte simbolikë e fuqishme e shpirtit liridashës të kombit tonë. Pra, edhe për ne, udhëheqjen e atëhershme, valimi i flamurit kuq e zi në demonstrata ishte gjë krejt normale, kurse për ata që edhe më parë kishin qenë kundër dihet se çfarë komentesh kishin dhënë.

Madje, do të kisha shtuar se koincidenca e lejimit të flamurit shqiptar dhe e valimit të tij në demonstrata ishte shumë domethënëse. Merreni me mend, sikur deri në fillimin e demonstratave përdorimi i flamurit të ishte e drejtë e ndaluar? 

Në bazë të urdhnesës së Shtabit suprem të Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe ushtrisë vullnetare të Jugosllavisë, Shtabi kryesor i përkohshëm për Kosovë e Metohi:

URDHËRON

1. Flamuri i Shtabit kryesor për Kosovë e Metohi asht: Flamuri kombëtar i shqiptarëve dhe i serbëve me shenjën antifashiste – yllin pesërrembësh në midis, nëpër tanë gjanësinë e flamurit.

2. Përshëndetja e partizanëve popullorë asht: Grushti i shtërnguem me tamthin e djathtë.

3. Në territorin e Kosovës e Metohisë, partizanët popullorë duhet patjetër të kenë në kapelat e tyne shenjat: shenjën antifashiste – yllin pesërrembësh të kuq me flamujt kombëtarë në trekandshin mbi yllin. Gjatësia e flamujve asht 3 centimetra, ndërsa gjanësia 1, 5 centimetra…

Vdekje fashizmit – Liri popullit

1 nandor 1942

Pozita

SHTABI KRYESOR I PËRKOHSHËM PËR KOSOVË E METOHI

KONKLUZAT E KRYESISË DHE KËSHILLIT EKZEKUTIV TË KONFERENCËS KRAHINORE TË LSPP-së

PËRDORIMI I LIRË I FLAMUJVE KOMBËTARË

Kryesia dhe Këshilli ekzekutiv i Konferencës Krahinore të LSPP për Kosovë e Metohi në mbledhjen e gjanë, mbajt më 5 tetor 1968, shqyrtuan disa çashtje përkitazi me të drejtën e kombësive të Kosovës e Metohisë për përdorimin e flamujve kombëtarë.

Bazë për shqyrtimin dhe konkretizimin e këtyre çashtjeve ishin qëndrimet e KE të KQ të LKJ-së dhe KE të LQ të LKS mbi të drejtën e kombësive për përdorimin e flamujve kombëtarë.

Kryesia dhe Këshilli Ekzekutiv i miratuen unanimisht qëndrimet, të cilat përfaqësojnë zbatimin konsekuent të politikës së barazisë së popujve dhe të kombësive…

 

Në mbledhje u aprovuan këto konkluza:

1. Pjesëtarët e kombësive të Kosovës dhe Metohisë – Shqiptarët dhe Turqit – kanë të drejtë të vejnë flamujt kombëtarë në të gjitha rastet kur e konsiderojnë të nevojshme.

2. Kombësitë përdorin flamurin e vendit amë pjesë etnike e të cilit janë:

a) Pjesëtarët e kombësisë shqiptare do të përdorin flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenare mbi të cilën ash ylli i kuq pesërrembësh i rrethuem me shirit të verdhë…

3. Shoqnitë, shoqatat dhe organizatat punuese, pos flamurit shtetnor, kanë të drejtë të vejnë edhe flamujt kombëtar të shqiptarëve dhe të turqve me rastin e festave shtetnore dhe në raste të tjera.

4. Organet shtetnore dhe udhëheqësitë e organizatave politike sikundër edhe deri më tash do të vejnë vetëm flamujt shtetnor dhe partiakë.

5. Me ndërrimet e ardhshme të Aktit themelor dhe të akteve të tjera normative të Krahinës do të duhej me shqyrtue edhe nevojën që të rregullohet edhe juridikisht e drejta e kombësive të Kosovës dhe Metohisë për përdorimin e flamujve kombëtarë.

6. Organizatat dhe udhëheqësitë e Lidhjes socialiste dhe forcat e tjera progresive në Krahinë duhet të përpiqen për zbatimin konsekuent të këtyne konkluzave.

Prishtinë, 5 tetor 1968

KRYESIA DHE KËSHILI EKZEKUTIV I LSPP PËR KOSOVË DHE METOHI

(Express)

SHKARKO APP