Sikleti i mediave – pse duan t’i bëjnë heronj këta të dy?

“Por dy ambasadorët me siguri që kanë pasur merita në goditjen politike të Lulzim Bashës personalisht, por dhe të PD-së, goditje që shkon në sinkron me linjën editoriale të medieve proqeveritare që sot i glorifikon dy ambasadorët”…

Nga Habjon Hasani

Fill pas miratimit konsensual në Kuvend të reformës në drejtësi, në mediat pro-qeveritare nisi një valë e përgjithshme artikujsh që glorifikonin dy ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së në Tiranë.

Këto artikuj në mediet pro-qeveritare janë hedhur në treg si me komandë, dikush po nxiton të instruktojë lexuesit dhe të përpunojë opinionin mbi mënyrën se si duhej ta kuptojnë rolin vendimtar dhe historik të këtyre dy ambasadorëve.

Shkrimet kanë të gjitha doza glorifikuese dhe poetike, janë hartime të lezetshme, limonata  që përpiqen të paracaktojnë meritat e një loje shahu politik, duke u bazuar në kriteret e një loje me pafka.

Por ka disa zhvillime të ndodhura në dy javët e fundit, ngjarje të jetuara dhe të njohura botërisht, që jo vetëm nuk i paraqesin këta dy ambasadorë si ‘heronj’, por që realisht ishin një goditje për imazhin e tyre që prej muajsh ishte konsoliduar si imazhi i negociatorëve që do gjenin rrugën e zgjidhjes.

Janë zhvillime që i zbuluan dy ambasadorët si palë e njëanshme, zhvillime që kanë goditur realisht autoritetin e përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-ve në Tiranë.


E para ishte vizita e znj.Nuland në Tiranë.

Dy ditë para se Nuland të mbërrinte këtu, ambasadori amerikan Lu dhe njëherësh pas tij ambasadorja Vlahutin, kishin shpallur ‘armik të reformës’ kreun e PD-së, Lulzim Bashën.

z.Lu madje deklaroi se negociatat kishin marrë fund, se me Bashën nuk mund të negociohej më, dhe se drafti që duhej votuar ishte ai i mbështetur nga kryeministri Rama dhe se për të gjetur votat e nevojshme do të përdoreshin të gjitha mjetet.

Por pa mbushur 48 orë, Shefja e z.Lu, Victoria Nuland, deklaroi në Tiranë pikërisht të kundërtën e asaj që kishte thënë ambasadori. Ajo tha se pikërisht me Bashën duhej gjetur kompromisi, madje znj. Nuland paraqiti dhe një formulë të vetëm për zgjidhje, mbi të cilën duhej të negociohej.

Ka të dhëna se takimi i saj me kryeministrin Rama ka qenë me tone të pazakonta, Nuland i ka thënë hapur Edi Ramës në zyrë se ai kishte abuzuar me emrin e SHBA-ve duke e përdorur politikisht qëndrimin e ambasadës.

Qëndrimi dhe deklarata publike e znj.Nuland, ishte një provë e kulluar se gjithë qëndrimit të deriatëhershëm të ambasadorit Lu, shefat e tij i kishin vënë kryq. E kishin shumëzuar me zero.

Vizita e Nuland ishte një certifikim arbitrar i dështimit të ambasadorit Lu. Por dhe nisja e ditëve të vështira për të.

Nuland ‘dogji’ indirekt dhe qëndrimin e ambasadores Vlahutin, e cila ishte në të njëjtën gjatësi vale me z.Lu.

Pas vizitës së znj.Nuland, pozicioni dhe besueshmëria ndaj ambasadorit Lu humbi shkëlqimin. Të gjithë e kuptuan se puna e tij disa mujore mund të anullohej për 3 orë.

 E dyta ishte skema e hedhur në lojë nga Meta.

Ilir Meta krejt papritur doli në një konferencë për shtyp, ku njoftoi qëndrimin e tij absolut pro votimit të reformës. Mirëpo kishte dy opsione. Ose reforma do votohej me konsensus PD-PS dhe gjithçka do kalonte normalisht, ose do votohej në mënyrë të njëanshme, por në këtë situatë Meta paralajmëroi se do të synonte një qeveri teknike për zbatimin e saj dhe nuk do ja linte në dorë Edi Ramës që dhe ta votonte në mënyrë të njëanshme dhe ta zbatonte po Rama më pas.

Ndërhyrja e Metës trazoi ujërat, dhe palët u ftuan sërish në tryezë. Nuk mund të mungonte ftesa për dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin.

Por një deklaratë e ambasadës amerikane, njoftoi bojkotimin e tryezës, e për këtë gjeti si shkak një deklaratë të Lulzim Bashës, sipas tyre Basha kishte kërcënuar me qeveri teknike dhe kishte shmangur formulën Nuland.

Kjo deklaratë e ambasadës kishte doza të forta të mashtrimit publik, sepse Lulzim Basha thjesht sa e komentoi mundësinë e një qeverie teknike të hedhur në treg nga Meta, por nuk përjashtoi në asnjë moment daljen nga shinat e formulës Nuland.

Qëndrimi i ambasadës amerikane mbi bojkotin e kësaj tryeze, ishte një akt i paprecedent, ku një negociator që presupozohet i paanshëm, ‘merr flakë’ më keq se palët politike vendase.
Rolet ishin ngatërruar. Vizita Nuland dhe formula e re, kishte bërë që dikush të humbte qetësinë që e karakterizonte, në dukje.

 


E treta ishte letra e komisionerit Hann

Ndërsa tre palët politike ishin ulur me njëra tjetrën në tryezën e bojkotuar nga ambasadorët, çështja më e rëndësishme që po diskutohej ishte roli i ekspertëve ndërkombëtarë në procesin e Vetingut.

Lulzim Basha thoshte se ata duhej të kishin vetëm rol monitorues-këshillues, Edi Rama thoshte se ndërkombëtarët duhej të kishin rol vendimarrës, Meta thoshte se Basha me Ramën duhej të binin dakord. Ambasadorët mbanin mëri ndaj Bashës dhe nuk ishin në tryezë.

Krejt papritur, një letër e mbërritur nga komisionari Johannes Hann, legjitimoi katërcipërisht qëndrimin e Lulzim Bashës. Komisioneri i BE-së, bëri të qartë në letër se roli i ndërkombëtarëve duhej të ishte monitorues dhe jo vendimmarrës.

Mbërritja e letrës, hoqi çdo alibi për pretenduesit e Ramës, barrierat u thyen dhe mesditën e datës 20 Korrik u shpall konsensusi mes palëve dhe arritja e marrëveshjes.

Nga mesdita e deri në mbrëmje, ambasada amerikane nuk e mbështeti këtë konsensus. Nuk bëri asnjë deklaratë përshëndetëse.

Arsyeja u kuptua në mbrëmje, kur ambasada amerikane me një deklaratë-rrufe, ri-akuzoi Lulzim Bashën sikur kishte paraqitur disa kërkesa të reja, të panjohura më parë që sipas ambasadës kishin zeruar çdo arritje  të deriatëhershme të konsensusit.

Ata që nuk e përshëndetën dot konsensusin e paradites, befas në mbrëmje kishin zbuluar një tjetër komplot të Lulzim Bashës.

Por të nesërmen Basha bëri një dalje të posaçme për mediat dhe akuzoi indirekt për mashtrim ambasadorin amerikan, sepse sqaroi se artificat në fakt i kishin nxjerrë negociatorët e PS-së dhe jo ata të PD-së.

Ende sot e kësaj dite, ambasada amerikane nuk ka sqaruar publikisht se cilat ishin këto kërkesa të reja të Lulzim Bashës që ajo i denoncoi mbrëmjen e 20 korrikut.

Zor se do kemi ndonjë sqarim, pasi dëshmitë e negociatorëve zbuluan se Basha nuk kishte vënë ndonjë kusht të ri, por ishin socialistët që kishin hequr dorë nga kushtet e pranuara më herët.

Mbrëmja e 20 Korrikut e kapi sërish gafil ambasadorin amerikan, dukej sikur z.Lu nuk e përtypte dot faktin që një letër e komisionarit Hann mund të bënte atë efekt që puna e tij disa mujore nuk e arriti dot.

Por deklarata e ambasadës acaroi gjendjen mes palëve dhe kështu pasuan 24 orë të tjera tensioni.

Në këto 24 orë, ambasadorët Lu dhe Vlahutin u rifutën në lojë. Ata që kishin bojkotuar qëllimisht negociatat, kuptuan se kishin vetëm 24 orë kohë për të marrë ndonjë meritë. Përndryshe mund t’u shkonin dëm muaj të tërë sorollatje dhe negociata sa në një derë tek tjetra.

Dhe kështu bënë. Por as kësaj here nuk ishte Basha ai që u tërhoq, por ishte Rama që hoqi dorë nga artificat e futura në 24 orët e fundit.

Tërheqja e Ramës nga artificat bëri që të shpallej marrëveshja më në fund dhe konsensusi i plotë.

Konflikti i 24 orëve të fundit, zbehu disi rolin vendimtar të komisionarit Hann dhe i dha mundësi dy ambasadorëve Lu dhe Vlahutin që të dukeshin sikur kishin bërë ndonjë punë.

Kjo dukje ishte e rëndësishme sidomos për ambasadorin amerikan, sepse para këtyre 24 orëve i vetmi kontribut i dokumentuar i tij, ishte pjesëmarrja në një protestë të organizuar nga Musa Ulqini, me anëtarë të organizatës bazë të PS-së dhe pirja e një kafeje mediatike me deputeten Majlinda Bregu.

Në vend të epilogut

Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin e panë veten të shumëzuar me zero në të paktën dy raste në javët e fundit. Vizita e Nuland dhe qëndrimi i komisionarit Hann, i zbuloi ata si negociatorë të njëanshëm por dhe inatçorë dhe me ambicie për të marrë meritat e një zgjidhje që nuk ishin të aftë ta realizonin dot vet.

Nëse do e sillnin ata zgjidhjen, atëherë për çfarë do duhej ndërhyrja diametralisht e kundërt e znj.Nuland dhe e z.Hann?

Por dy ambasadorët me siguri që kanë pasur merita në goditjen politike të Lulzim Bashës personalisht, por dhe të PD-së, goditje që shkon në sinkron me linjën editoriale të medieve proqeveritare që sot i glorifikon dy ambasadorët.

Mediat proqeveritare po përpiqen t’i ndërtojnë këta dy ambasadorë si heronjtë e reformës, ndonëse dy ambasadorët dolën bllof dhe e vetmja arritje që duket në horizont është mirënjohja e pakufishme e Edi Ramës dhe e medieve që ai kontrollon. /HashtagAL

SHKARKO APP