Sistemi elektoral i faktit të kryer

Nga Eduard Zaloshnja –

Pas ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut, PS-ja duket e vendosur që t’i pasqyrojë ato në sistemin e ri elektoral që synon ta sanksionojë në Kodin Zgjedhor. Konkretisht, sistemi elektoral që ka propozuar PS-ja është prporcional rajonal (ku secili qark përbën një zonë zgjedhore), me koalicione paraelektorale partish (por që lejohen të garojnë me listë të përbashkët kandidatësh, e jo si më parë, me lista të veçanta për secilën), me prag 3% në nivel kombëtar (jo rajonal si më parë), dhe me lista të hapura kandidatësh teorikisht 100% (por që praktikisht rrallë mund të qëllojë që një kandidat të katapultohet përmes votave parapëlqyese të zgjedhësve, nga fundi i listës paraprake të partisë, në fillim të saj).

Një sistem të ngjashëm, por me dy ndryshime thelbësore, ka propozuar Rudina Hajdari, si përfaqsuese e opozitës parlamentare në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore. Ndryshimet e propozimit Hajdari konsistojnë në lista të hapura kandidatësh praktikisht 100% (por që janë të vështira teknikisht për t’u realizuar) dhe prag rajonal (jo kombëtar).

Nga ana tjetër, opozita joparlamentare (e vërteta) nuk i pranon të dyja këto propozime dhe kërkon arbitrimin e ODHIR-it për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Sidoqoftë, pavarshisht nga trysnia e opozitës parlamentare e joparlamentare, si dhe nga qarqe diplomatike, PS-ja duket se do të ndjekë qasjen e faktit të kryer – do t’i miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas variantit të vet deri në fund të shtatorit. Asaj tani i duhen vetëm 84 vota në Kuvend, e jo 94, si në rastin e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut.

Në këto kushte, opozita duhet të vendosë sa më shpejt pas shtatorit, sesi do të futet në zgjedhje (nëse do të futet): me një listë të vetme të përbashkët, me dy lista, apo me tre?

Nga pikpamja e maksimalizimit të mandateve, një listë e vetme e përbashkët është matematikisht më efikasja. Por nga ana politike krijon probleme. Sa kandidatë të PD-së, LSI-së, PDIU-së, PAA-së etj. do të vendosen në listën me 140 emra? Si do të renditen paraprakisht ata në secilin qark?

Futja e opozitës në zgjedhje me dy apo tre koalicione të veçanta e bën më të lehtë politikisht hartimin e listave të kandidatëve, por nuk e maksimalizon numrin e mandateve të fituara nga opozita. Për më tepër, krijon mundësinë që PS-ja të rezultojë subjekti zgjedhor me më shumë mandate (meqënse mandatet opozitare do të ndahen në disa subjekte zgjedhore), duke i dhënë Ramës të drejtën kushtetuese që të krijojë qeverinë e re. Dhe në qoftë se nuk i ka 71 vota në Kuvend, ai mund të “peshkojë”disa…

SHKARKO APP