“S’ka paqë me standardin pa u kthye paskajorja” A po hup gegnishtja?
Nga Filip Guraziu –
Perandoria Romake kishte zgjedhë shqipen si simbol të sajë, ma vonë mbas ndamjes në dy pjesë, ajo e lindjes, Perandoria Bizantine e modifikoi simbolin tue e paraqitë shqipen me dy krena, çka me shumë gjasa simbolizonte politikën ekspansioniste drejt pjesës prendimore të perandorisë si dhe tendencen ribashkuese.
Tue u nisë prej kuptimi filozofik të fjalës së urtë latine ‘Nihil sub sole novum ‘ ( Asgja e re nën kët diell ), mendoj se nuk duhet konsiderue rastësi qe dera Princore e Kastriotëve pat zgjedhë shqipen dykrenare si simbol te Arbnorve; vepra dhe jeta e Princit legjendar, Gjergj Kastriotit Skenderbeu verteton plotesisht sa ma siper. Ai simbol, pra shqipja dykrenare shënon pikënisjen e konsolidimit të vetëdijes së re ‘Arbnore’ që bashkonte nën nji flamur të gjitha trevat e popullsisë ku flitej ‘shqip’ e simbolikisht nënkuptonte bashkimin në nji trup të vetëm të dy grupeve të mëdhaja të popullsisë shqiptare të pozicionuem në veri e në jug të lumit Shkumbin; Gegê e Toskë.
Ketu gjej rastin me kujtue se për me u ngritë “nalt”, për me “ fluturue në qiell”, për me ”zotnue territorin e saj “ e për me qenë krenare për identitetin e ligjshem iliro-arbnor, Shqipja duhet me perdorë të dy krahët që simbolikisht personifikojnë forcen e bashkimit në nji trup të vetëm të të dy dialekteve të shqipes me të gjithë prodhimtarinë e madhe kulturore gjatë shekujve. Bashkimi e jo ndamja, integrimi e jo përjashtimi, dashunija e jo urrejtja, janë parimet bazë të “dinamikës “ që stimulojnë shpejtësinë e fuqinë e rrahjeve të krahëve të shqipes në mënyrë që me fluturue sa ma nalt drejt përparimit e rritjes së mirëqenies.
Fatkeqësisht eksperiencat e përiudhës së diktaturës komuniste të orjentueme qorrazi prej parimit imoral të ‘ luftës së klasave e të internacionalizmit proletar’ ia penguen hovin e fluturimit “ Shqipes”. Urrejtja për klerin katolik bani që të denigrohen e të përjashtohen prej edukimit të rinise shqiptare veprat e kolosëve të mendimit e të pendës si At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Dom Ndoc Nikaj etj. etj. ….. Fakti që verioret ‘Gegë’ mbartin në genet e tyre ndjejën e lirisë së maleve si dhe morën edukim liberal kundër diktaturës komuniste falë influencës së Kishës katolike dhe tregtisë me vendet prendimore të Adriatikut, krijoi nji urrejtje patologjike për veriun armik e per kulturën gegë prej diktaturës së Enver Hoxhës (faktet e persekucionit janë të njohuna).
Shkatërrimi i kulturës gegë qe jashtë çdo parashikimi; ndërsa në jug ( me të drejt, e gezohem që ka ndodhë) u shpallën monumente kulture shumë e shumë xhami, kisha e monastire, në veri jo vetëm që nuk ndodhi si ma siper , por i shkaterruan edhe me dinamit !, ( Kisha e Vaut të Dejes, shekulli XII-të, ku mendohet se vuni kunorë martese Princi Gjergj Kastrioti Skenderbeu, Pazari Monumental i Shkodrës me Bexhistenin e 2500 dyqane ), të tjera u lanë në harresë e në mëshiren e natyrës drejt shkatërrimit ( Xhamia e Plumbit në Shkodër, Kisha e Shën. Bakut e Sergjit e shekullit të VI-të në Shirq). Kujtojmë se goditja ma e fortë për kulturen gegë ishte vendimi politik i Enver Hoxhës i cili përjashtoi gegnishten prej gjuhës zyrtare, gja që u pasqyrue në Kongresin i Drejtshkrimit të 1972 me eleminimin e ‘paskajores’ prej të ashtuquejtunit ” standard gjuhësor”.
Gjej rastin me shpreh mirënjohjen e thellë për ato burra të ditun e patriotë që, pa dallim fetar e krahinor, vendosën në Kongresin e Manastirit alfabetin ‘latin’ për shkrimin e gjuhës shqipe, gja qe edhe sot mbas 112 vjetëve tingëllon me shumë vlerë mbasi ai akt përban hapin e parë konkret të bashkimit të kulturës shqiptare me Europen. Në kundërshtim me sa ma sipër qendron veprimi anti europian i “Akademikëve shqiptarë” të periudhës së komunizmit që “ hodhën në erë “ urën lidhëse të gjuhës shqipe me gjuhët simotra europiane; eleminuen “paskajoren”.
Si pasojë gjuha e njisueme shqipe mori nji rrugë jo racionale, kjo për shkaqe krejtësisht të qarta politike. Sot të rijtë shqiptarë nuk munden me njohë e me lexue veprat monumentale të shkrimtarëve gegë si Kristoforidhi, Fishta, Mjeda,Migjeni, Koliqi, Camaj, Gjeçovi, Prendushi, Nikaj, Repishti, Pipa etj., etj… Pra “shqipes”, akademikët komunistë me urdhën të diktatorit komunist ia plagosën nji krah. Sot “shqipja “ përpiqet me mbrritë ato naltësi që i meriton, por e ka të vështirë e të pamundun; gjuha e kultura gegë janë paralizue e nuk munden ma me kontribue për edukimin e brezit të ri. Dam i madh e ne dukje si i pariparueshem!
* E dini se dialekti i gegnishtes përban gjuhën ma të vjetër të folun sot në Europe ? * E dini se vetëm me dialektin e gegnishtes mundemi me ndertue ligjerata me fjalë nji rrokshe ? * E dini se veprat e Homerit përmbajnë ma shumë fjalë të gegnishtes se sa të greqishtes së sotme ? * E dini se veprat e Homerit mund të përkthehen ( ashtu si duhet) vetëm në dialektin gegë e jo në tosknisht ? * E dini se dijetarët ma prestigjozë në botë për gjuhësinë kur konsiderojnë për studim gjuhën shqipe marrin në konsideratë dielektin e gegnishtes? * E dini e dini…….?
Deshiroj të mos keqkuptohem tue u akuzue prej ndonjenit për shovinizëm e qendrim mohues për dialektin e kulturën e ‘tosknishtes’ për të cilen gjej rastin me deklarue se gëzoj respekt maksimal e mirënjohje të thellë për kontributin e sajë në fitoren e pavarësisë e të përparimit të nacionit shqiptar dhe e konsideroj nji krah të fortë të “shqipes”. Me kët shkrim deshiroj ( vetem) me çue zanin e me i ba thirrje të gjithë studjuesve të gjuhësisë, intelektualëve si dhe shqiptarëve patriotë kudo që ndodhen, për me iu bashkue kauzes në favor të gegnishtes.
Mos ta hupim gegnishten !
Kudo në botë ruhen me fanatizëm traditat gjuhësore, të fillojmë edhe na prej ma të thjeshtave e ma të mundshmeve tue marrë shëmbull prej Europës; në shumë teatro recitohet në dialekt e në shume qytete publikohen gazeta e revista në dialekt, diversiteti ashta pasuni, por…,por mos harroni se përpara të tanave qendron kthimi i ” pakajores” në vendin që meriton te ” standardi gjuhësor”.