“Skaje” drejtëze që bashkohen në një pikë
“Zgjedhjet e parakohshme elektorale që do të bëhen në të nesërmen e afërt për këtë bashki, nuk mund të shërbejnë si tregues për cilësinë e votës në të shkuarën. Vetë zoti Roshi sheh rrokullisjen e fatit të tij aty ku nuk e kishte imagjinuar kurrë në kohën, kur ai po ngjitej si ylli premtues i të majtës për Kavajën”…
Nga Lorenc Vangjeli
Asgjë nuk ishte e papritur. Tashmë thjesht është pjesë e një të vërtetë që u noterizua edhe formalisht. Mirë apo keq, pak apo shumë, një numër ende i papërcaktuar të zgjedhurish në pushtetin qendror dhe lokal dhe të emëruar në nivele të ndryshme të administratës, kanë probleme me të shkuarën e tyre. Në kuptimin e hidhur që i jep ligji i dekriminalizimit të shkuarës. Ishkryetari i Bashkisë së Kavajës ishte i pari që u largua për shkak të ligjit. Publikisht dhe me dorëheqje. Prokuroria ka nisur një hetim kryesisht ndaj tij nën akuzën e fshehjes dhe të falsifikimit të të dhënave personale.
Partia Socialiste ka trokitur në derën e prokurorisë gjithashtu. Duke e ngritur edhe më lart stekën e dekriminalizimit. Duke kërkuar të ulë nën të kokën e Sali Berishës, të shoqëruar nga deputetët Noka, Ristani e të tjerë. Partia Socialiste i ka kërkuar prokurorisë që të hetojë falsifikimin e Berishës për ndryshimin e ditëlindjes apo Nokën për arrestin në ishJugosllavi dhe dyshimet e ngritura për rekrutim të mundshëm të tij nga UDBja jugosllave. Ristanin për një burgosje në mes të viteve ‘90 dhe për gjëra të ngjashme dhe deputetë të tjerë demokratë.
Dorëheqja e Elvis Roshit i dha fund një historie të çuditshme e pothuaj të pamundur bashkëjetese dhe suksesi të majtës me Kavajën; një binom që tingëllonte i çuditshëm në Shqipëri pak vite më parë. Sot nuk ka asnjë shans të mësohet ndonjëherë sesa i përkiste suksesi i dyfishtë elektoral të majtës në Kavajë, Roshit si individ, PSsë si forcë politike apo pakënaqësisë së qytetit ndaj PDsë. Zgjedhjet e parakohshme elektorale që do të bëhen në të nesërmen e afërt për këtë bashki, nuk mund të shërbejnë si tregues për cilësinë e votës në të shkuarën. Vetë zoti Roshi sheh rrokullisjen e fatit të tij aty ku nuk e kishte imagjinuar kurrë në kohën, kur ai po ngjitej si ylli premtues i të majtës për Kavajën.
Duke menduar për të ardhmen dhe duke gjykuar se e shkuara e tij ishte varrosur njëherë e mirë. Pa ditur se askush dhe askurrë nuk ka mundur të bëhet aq i pasur sa të mundë të blejë të shkuarën. Ka nisur dhe një hetim penal ndaj tij. Me gjasë rrokullisja e zotit Roshi nuk ka përfunduar. Fati i keq, tashmë, mirë apo keq, e ka shënjuar në rreth. Por ky nuk është problemi i një individi. Fati vetjak i këtij individi dëshmon ngjyrën, shijen, formën e fatit të shoqërisë shqiptare. Qoftë dhe si një përjashtim.
Është e vështirë të vihet bast se çfarë do të ndodhë me personazhe të tjerë që preken nga ligji. Natyrisht që, falsifikimi i mundshëm i ditëlindjes së Berishës, edhe sikur të vërtetohet, do të jetë rasti i radhës që do të tregojë se duke qenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, disa prej tyre janë pak më të barabartë se të tjerët. Nuk ka asnjë shans të ndodhë ndryshe. Çdo akt ligjor kundër Doktorit do të trajtohej si shpallje lufte kundër gjithë PDsë, e cila minimalisht do të braktiste parlamentin në këtë vit të fundit të mandatit të tij. Çfarë më pak se kujtdo, do t’i interesonte Ramës.
Noka, Ristani dhe të tjerë do të hetohen në dukje seriozisht, por me shpejtësinë proverbiale të sistemin të drejtësisë në Shqipëri, vendimi i mundshëm për ta, do të shtyhet pak përtej kalendave greke. Edhe pse PS do të vijojë një presion në rritje për masat ndaj tyre për të garantuar një simetri të të keqes majtas dhe djathtas.
Përtej emrave të përveçëm, mbetet vetëm shpresa që me çmimin e zhgënjimit, shqiptarët të kenë paguar një filtër më shumë për të penguar zgjedhjet dhe zgjidhjet e gabuara të politikës që i qeveris. Në pushtet apo në opozitë. Tashmë është e qartë për gjithkënd. E ka pranuar edhe Kryeministri Rama e shumëkush tjetër. Madje, që në hartimin e ligjit të dekriminalizimit, ishte e qartë se ligji i dekriminalizimit është thellësisht antikushtetues. Ai bie ndesh me të drejtat universale të njeriut për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Me të drejtën pothuaj natyrore të qenies njerëzore që të ndjehet, trajtohet dhe të njihet si e rehabilituar për krime që ka kryer. Por kjo është vetëm “pjesa penale” e ligjit antikushtetues. Ka një hapësirë që nuk preket dot nga ligji i shkruar. Morali nuk mund të kodifikohet në ligj e me ligj. Moralin shoqëror që e sheh pothuaj të pamundur që individë me rekorde kriminale të mbajnë detyra publike, moralin që përcaktohet nga vota e publikut si filtër për zgjedhjen e më të mirës, nuk mund ta llogarisë askush dhe nuk mund ta kodifikojë askush. Sepse nuk shihet, nuk preket, nuk ndjehet. Thjesht ekziston dhe përcakton kufijtë mes të mirës e të keqes, të dobishmes apo të ligës. Në politikë, një akt të tillë moral duhet ta kishte bërë politika. I vetmi ngushëllim për qytetarët mbetet ngushëllimi cinik i simetrisë. Që “banditë” kanë depërtuar edhe majtas, edhe djathtas. Që të paktën nesër, për shkak të ligjit dhe jo për hir të moralit, kush ka veshur ndonjëherë tutat portokalli si në filmat amerikanë me të burgosur, do ta ketë të pamundur të vendosë kravatën e zyrtarit.
Të tjerët, ata që kanë kravatë zyrtari dhe kostum tradite, do të vazhdojë të ketë amnisti të plotë edhe nëse kanë vrarë, kanë prerë apo grabitur. Sepse në thelb nuk ka simetri në këtë botë; është thjesht e pamundur që të gjithë të jenë të barabartë me njëritjetrin. Të vrasësh një njeri është krim, të vrasësh një milion, është thjesht statistikë. Dhe kjo vlen për gjithçka. Këtu në Tiranë e kudo gjetkë. Edhe pse, siç e ka thënë dhe vetë, Kryeministri Rama përbuz më shumë se gjithçka tjetër yshtjen e simetrisë me njeriun që përmbysi dhe simetrinë e partisë së tij me partinë e Doktorit. Si skaje të pamundura drejtëze që bashkohen në një pikë. (Javanews.al)