Skandali i futbollit: Europa nuk është më mirë
Nga Martin Krauss*
Bota e futbollit europian nuk e ka dashur asnjëherë shumë Sep Blaterin. Por në deklaratat zyrtare të presidentit të UEFA-s, Michel Platini, apo të federatave kombëtare, nuk ka asgjë që t’i ngjajë një kritike serioze. Dhe po të mendojmë se çfarë duhej të prisnim nëse UEFA do të kishte më shumë ndikim në futbollin ndërkombëtar, atëherë pak arsye do të kishim që të rrinim të qetë. Në vend që të ulërasim për skandalin, do të duhej të vëzhgonim më nga afër interesat që gëlojnë prapa këtij skandali.
UEFA mendon që vendet aziatikë dhe ata afrikanë kanë shumë pushtet brenda FIFA-s, dhe i akuzon se janë të korruptuar. Por është e vështirë të mendosh që këtej nga anët tona, futbolli është i organizuar në mënyrë më demokratike. Dhe tezën, sipas të cilës skuadrat tona janë më të mira thjeshtë sepse e kanë qendrën në Europë, mund ta quash fare mirë si raciste.
Futbolli europian është thjeshtë më i pasur: kompani të mëdha shumëkombëshe si Reali i Madridit apo Bajerni i Mynihut kanë të ardhura vjetore prej qindra miliona eurosh. FIFA duhet të përfaqësojë të gjithë kontinentet, sepse ka interesa ekonomikë kudo. Ndërsa UEFA dëshiron të promovojë mbi të gjitha Champions’ League-n, ndërkohë që klubet europianë janë kaq pak të interesuar për Kupën e Afrikës, saqë me gjysmë zemre i lejojnë futbollistët e tyre afrikanë që të shkojnë dhe të luajnë për kombëtaret pjesëmarrëse.
UEFA përpiqet të mos e thotë në mënyrë të qartë, por ajo do të donte që futbollin ndërkombëtar ta dominonin interesat europiane. Kritikat ndaj Blaterit dhe mënyrës se si ai e ka drejtuar FIFA-n janë të gjitha shumë të drejta, por ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është mungesa e një alternative demokratike.
*Die Tageszeitung-bota.al