Skape Lordi!!!

Dhe shumë shpesh për hir të padijes mund të ndodhë gjëma, megjithëse ka tabela që kërkojnë maskën apo në mes të pllakave të bulevardit shikon një shënim: “Mos pështy përtokë“…

Nga Enkel Demi

Nëse bën një shëtitje ose sport nga kodrat e liqenit artificial në Tiranë, kudo ke disa tabela të ngulura në pemë, të cilat u kërkojnë të zotëve t’u vënë maska qenve. Nuk janë tabelat e gozhduara nga Erioni, por nga Luli, pra kanë do vjet të ngulura. Ka po kaq vjet që nuk i respekton kush. Shëtitjet në natyrë janë kalime guximtare mes një panairi qensh. Çikat me tuta që u tregojnë hijshëm vithet kanë qen të vegjël ose mesatarë, të cilët janë të kuruar goxha më tepër se shumica e shëtitësve. Djemtë në varësi të gjatësisë së flokëve deri në tullë kanë gjithë racat pa bisht të qenve, bulldog, pastorë gjermanë, dobermann, i cili ndahet në dy soje agresiv dhe pak agresiv. Ka dhe plot raca të tjera, të cilat unë nuk jua di emrat, sepse vij nga gjenerata që i ndanim qentë në dy kategori: langaraqët dhe qen kufiri. Sa herë shkëmbehesh me këta gjitarë, të cilët shpesh shkojnë livadheve pa litarë për të zënë ketra, ujëra të ftohtë të përshkojnë shpinën. Kuptohet, meqë je burrë duhet të përmbahesh, sepse të përqesh gjindja që ka qen dhe jo vetëm. Jo rrallë ndonjë kokërruar të thotë me zë të ngjirur: “O robo, nuk të ha, mos ki frikë!”. Ti i thua: “Po ti nga e di?” dhe ai të përgjigjet: “Është qeni im o burrë! Nuk e sheh që jam unë këtu?!”. Ndërkohë ti e ke bluzën ngjitur pas trupit prej djersës, sepse ai që nuk të ha po të nuhat mandarinat. Në qytetin tonë janë të përjashtuar qytetarët që kanë frikë qentë, sepse fjala: “Nuk të ha” është aksiomë.

Kështu do ketë ndodhur me atë baba që nxorri armën, sepse qeni po i kafshonte fëmijën. U lëndua dhe dikush tjetër dhe tash të gjithë do të përplasen në dyer gjyqesh, por të paktën dikush e ka vënë në jetë porosinë e doktorit për t’u vetëmbrojtur me allti.

Natyrisht, që ky rrëfim do të na çojë drejt moralit dhe egërsisë së bashkëjetesës në qytet. Mungon në mënyrë të plotë respekti për tjetrin kudo e kurdo, tek gjërat më të rëndomta, ndaj jemi të egër si qeni i Sharrit. Nuk duhet ndonjë barrë mend të kuptosh që qeni, i cili ka instikte dhe jo botë shpirtërore ta këput pulpën po ia dha truri, ndaj vendosja e maskës është edhe për të mirën e tij, pasi ha plumbin ballit, meqë për fëmijën apo krahun e robit atij që i duken palat në paskokën e sheshtë nuk i duhet fort. Në këmbësoret, rruginat tona gjen mut qeni me shumicë. Nuk i mbledh kush. Në Perëndim, andej nga ka ardhur kjo modë shëtitësit e qenve i ke me qese me vete dhe doreza që të mbledhin të pëgërat.

Por, jo vetëm tek kafshët, ka plot çaste të jetës tonë që rrëfejnë sa keq dimë të jetojmë. Qeset e plehrave tek dera e shtëpisë, shapkat e këpucët e shkelura në pragun e portës, urinimi ku të të kapë, kalimi i këmbësorëve me të kuqe, futja e gishtave në hundë në mes të xhades, lëshimi i gazrave, fshirja e sekrecioneve me duar dhe një listë e gjatë që mund të shkaktojë përzierje.

Dhe shumë shpesh për hir të padijes mund të ndodhë gjëma, megjithëse ka tabela që kërkojnë maskën apo në mes të pllakave të bulevardit shikon një shënim: “Mos pështy përtokë”.

27.al

SHKARKO APP