Skenar i paparë me bllokimin e një autoambulance nga protesta

ERTV i fiku kamerat dje pasdite në ullishten me tavolinën plot të Vasil Bregovës, ku Rama u shtrua me disa fermerë në Panaja të Vlorës me të ngrënë e të pirë live.

Por kamerat e propagandës së kryeministrit mbetën ndezur deri natën vonë.

Rrugës në kthim nga Vlora, Rama u ndal në Spitalin Ushtarak. Aty e priste Ministrja e Shëndetësisë me familjarët e një pacienti. Para Ramës mbërritën kamerat e tij. U rregulluan mikrofonat që gjithçka të dëgjohej qartë.

Vetëm atëherë nis biseda. Fillimisht me Ministren që i shpjegon rastin e një pacienti që kishte mbërritur në gjendje të rëndë, pasi ishte vonuar nga protesta e opozitës.

Kryeministri takon familjarët e pacientit. U thotë se ka shkuar aty pasi kishte marrë një sms rrugës kur po kthehej nga Vlora nga djali i familjes që po e priste në spital.

Këtu skenari çalon pak. Djali thotë se ia kishte dërguar sms-në kur ishte bllokuar në trafik tek sheshi “Shqiponja”, duke shoqëruar të afërmin e tij.

Kjo ka ndodhur rreth orës 11 – 12. Rama thotë se mesazhin e mori rrugës në kthim, kur kthimi ka ndodhur afër mesnatës.

Më pas ndërhyn një grua.

Gati në të qarë i thotë: “le të jetë i kujtdo partie, mua të mos më zërë rrugën e urgjencës. Pse duhet të rri një orë në autostradë unë kur ai ishte në gjendje skandaloze? Nuk bëhet kjo. E kam lënë larg gjithë stres. Kanë bërë bllok policët që të më hapnin rrugën. Dola vetë, në fakt, bëra si grifshë. Ore hapni rrugën u thashë, jeni njerëz ju apo çfarë jeni? Dilni protestoni ku të doni, mua më hapni rrugën”.

Këtu e merr fjalën kryeministri, për ta bërë gjendjen sa më dramatike, për ta bërë të qartë se bëhej fjalë për bllokinim e një autoambulance: “ishit me ambulancë apo makinë?”

“Isha me ambulancë”, i thotë gruaja, “bashkë me doktorin, por s’kishim ç’të bënim”.

Ndërhyn doktori: “pacienti kishte një traumë të qafës… është një dëmtim shumë i rëndë”.

Pastaj krah për krah me gruan bën disa hapa dhe ndalet sërish afër kameras. Thotë se do të bëjë gjithçka do të mundet. “Na vjen keq që ka ndodhur. Nuk duhet të ndodhte. E mira do të ishte të kishim këtë punën e ambulancave. Unë s’e di si ka ndodhur që është bllokuar 40 e ca minuta… Fatkeqësi… Por… Kam shumë shpresë… Këtu jam në dispozicion”.

“Të vdes motra. Je vëllai im”, ia kthen gruaja, a thua se Rama erdhi nga Vlora për t’i hapur rrugën vetë.

Kamerat fiken këtu.

Por propaganda vazhdon.

Kryeministri e poston videon në Facebook dhe e shpërndan nëpërmjet zyrës së tij të shtypit nëpër media.

E shoqëron në FB me një shkrim.

“FALI ZOT SE S’DINË SE Ç’BËJNË. Të gjithë ata njerëz të zakonshëm që i’u përgjigjen thirrjes për të bllokuar rrugët, duhet ta shohin këtë video. Edhe të gjithë ata që nuk i’u përgjigjen thirrjes edhe pse janë anëtarë apo simpatizantë të PD-së, duhet ta shohin këtë video. Ndërsa gjithë atyre të tjerëve që ishin kundër bllokimit të rrugëve dhe do ta shohin këtë video, u lutem të mos mallkojnë të gënjyerit nga frikacakët e ngujuar në Çadër, po thjesht të mos e harrojnë atë që do të shohin!”

Në fakt, të gjithë duhet ta shohin realisht këtë video për të parë më qartë se si kryeministri përdor edhe pacientët në funksion të propagandës së tij. Sepse mesazhi është i qartë: opozita që bllokoi rrugët dëmtoi qytetarët, jo qeverinë.

Sa qytetarë të tjerë janë ankuar drejpërdrejtë se autoambulancat as që u shkojnë kur kanë nevojë?

Një infermier denoncoi në emisionin STOP me zë e figurë se i afërmi i një deputeti të PS, ish –drejtues i lartë i policisë, vdiq në autoambulancë sepse aty s’kishte asgjë për t’i dhënë ndihmën e shpejtë.

A e pa njeri kryeministrin të flasë?

Opozita e paralajmëroi se Rama do të nxirrte autoambulanca për të inskenuar situata dramatike. Por në çdo aks ku u bllokuan rrugët, autoambulancat u lejuan të kalojnë. Dhe kjo u pa live, sigurisht jo nga kamerat e ERTV. Ata dhanë Ramën duke ngrënë e duke pirë për qejf. /Lapsi.al

SHKARKO APP