Skenari dhe aktorët e rinj të ERTV

“…ndoshta do të na ofrojë së shpejti dhe spektakle me këngë e valle nga zyrat e kryeministrisë. Edhe pse në fakt i vetmi zhanër ku mund të shkëlqejë është skenari i ndonjë telenovele me banditë dhe trafik droge, aq të njohur dhe të afërt për të….”

Nga Desada Metaj

Ministri i Brendshëm dhe kryeprokurorja që vetëm e përkohshme nuk duket të jetë nga vendimet që ka marrë deri më sot, kanë finalizuar të premten një bashkëpunim të ri, që më së paku konfirmon agoninë e reformës në drejtësi dhe të vetting-ut të famshëm. Pa hyrë në detajet burokratike të një marrëveshjeje që në thelb rrit kompetencën e drejtuesit të organit të akuzës të kontrollojë prokuroritë e rretheve, përfshirë dhe atë të krimeve të rënda, qartas qëllimi është i dukshëm. Çdo hetim do të jetë i centralizuar dhe “bekuar” nga dora jo dhe aq e padukshme e kryeministrit.

Ky i fundit u shfaq mbrëmë në një intervistë televizive dhe meqë e pati të vështirë të prodhojë lajme me retorikën e zakonshme, menjëherë pas show-t të radhës, arriti të tërheqë vëmendjen e publikut me lajme për arrestime pas mesnate të disa ish-drejtuesve të Ministrisë së Transporteve. Sado abuzive të kenë qenë tenderat për një aks periferik të Elbasanit, ndalimi i disa ish-drejtorëve ( për të cilët dihej e qartë vendndodhja) në orët e vona të natës dhe me stilin e sigurimit të shtetit të çon të mendosh se skenari ka për autor një ish hetues të asaj periudhe, ose më së paku një nostalgjiku të regjimit.

Në harkun kohor të një ore në media qarkulloi dhe lajmi se Shkëlzen Berisha kishte qenë në prokurori për çështjen e Dia-s. A thua se ditët e shkurtra të dimrit nuk mjaftonin që këto veprime të prokurorisë të kryheshin brenda orarit zyrtar. Asnjë nga të sipërpërmendurit nuk është person që ka paraqitur rrezikshmëri për largimin nga Shqipëria. Dhe për më shumë, hetimet për ta kanë kohë që kanë nisur dhe palët kanë qenë në dijeni në mos dhe të paralajmëruar për zhvillimin e tyre.

Më moderne duket përpjekja për të trafikuar në media detaje të të vetmit aksion policor të kohëve të fundit për ndalimin e një vrasësi me pagesë. Kaq shumë hollësira kanë dalë në portale gjatë 24 orëve të fundit për një larje hesapesh mes bandave në Tiranë, sa jemi të qartë edhe për ngjyrat e tatuazhit të shtetasit grek që shërbente si vrasës me pagesë. Të gjitha sa më lart duken të jenë strategji e qartë e mënyrës se si Edi Rama drejton marrëdhëniet me publikun edhe të  institucioneve që të paktën formalisht nuk janë nën varësinë e tij. Tërheqja e vëmendjes nga skandali i madh i ekstradimit të Nezar Seitajt është lëvizja tipike e kryeministrit që ende nuk i është përgjigjur pyetjes: a mban përgjegjësi kreu i ekzekutivit për një veprim antiligjor si ekstradimi i Nezar Seitajt, për të cilin ministri i brendshëm thotë se “ndoshta ka qenë i nxituar” dhe ministrja e Drejtësisë justifikohet duke ja ngjeshur fajin Prokurorisë së Përgjithshme?

A mund të konsiderohet normale dhe jo përdorim marrëveshja e sotme që do i çojë prokurorët “de facto” në zyrat e Fatmir Xhafës? Kush institucion mund të garantojë sot se drejtësia në duart (jo të pastra) të kryeministrit nuk mund të përdoret si gjueti shtrigash për motive politike duke lënë në detin e korrupsionit peshkaqenët e vërtetë dhe duke i servirur publikut dhe ambasadorëve cironka?

Çdo manovër për të shmangur këtë përgjegjësi apo trafikimi i lajmeve për gjatësinë dhe peshën e vrasësve me pagesë është thjesht një lojë e dalë boje dhe strategji demode e Edi Ramës. Ndoshta studiot e reja të ERTV dhe intervistat e bëra nga vartësit e tij janë frymëzimi i ri i një kryeministri, që në përpjekje për të qenë zot dhe i transmetimeve televizive ndoshta do të na ofrojë së shpejti dhe spektakle me këngë e valle nga zyrat e kryeministrisë. Edhe pse në fakt i vetmi zhanër ku mund të shkëlqejë është skenari i ndonjë telenovele me banditë dhe trafik droge, aq të njohur dhe të afërt për të. Opinion.al

SHKARKO APP