Skenari Rama – Basha për qeveri të përbashkët

Në sinkron me njëra-tjetrën, PS e PD kanë nisur një sulm kundër partisë së Ilir Metës. I pari e thumboi aleatin që e solli në qeveri 4 vjet më parë, Edi Rama, të martën në Dibër. “Ti ke qeverinë, por drejtorinë e bujqësisë e ka… ose jo të bujqësisë se na zemërohen…, të ujit e ka një parti tjetër dhe ai drejtori thotë: me duhet hidraulik po do të marr këtë shoferin, se ku me sjell vota.

Një ditë më vonë, ishte Lulzim Basha që e akuzoi LSI –në si parti matrapazësh. “Edhe LSI ta ketë të qartë se koha e matrapazëve në politikë që shkojnë sa andej këndej, shit këlyshë e bli qen, merr fund në 25 qershor. Ndaj të gjithë ju votues që jeni tunduar me teserat e partive të pazarit, që ua kanë dhënë për t’u mbajtur peng, dijeni se votat për këtë parti janë vota të hedhura në det. Kurrë më pazari bli këlyshë e shit qen nuk do ecë me PD. Mos harroni, ne jemi të bashkuar, ata janë të përçarë.”

Petit Vasili zgjodhi ta injorojë Bashën, tek i cili LSI nuk sheh më një politikan që mund t’i besojë iu përgjigj Ramës, që si refren të fushatës ka bërë shprehjen “makina duhet me një timon dhe timoni s’mund të mbahet duke pasur dikë në prehër”. “Tafmaja e makinës me një timon. Po dëgjoj këtë teorinë e dy timonave. E kam dëgjuar edhe në 1994 kur mbahej referendumi për një timon në një makinë blu. Fundi i makinave me një timon dhe pa frena ka qenë gjithmonë i njëjtë. Populli është aty, më i vëmendshëm se në 1994”, shkruan Vasili në faqen e tij në Facebook.

Menjëherë, nga oborri i PS, kryetarit të LSI iu vërsul Saimir Tahiri. “Dëgjova Petrit Vasilin që thoshte se është tahma e madhe të imagjinosh një makinë me një timon. Unë nuk e di pse i shkon mendja te tahmaja në fakt. Unë e quaj përgjegjësi, atij i shkon mendja te tahmaja, është puna e vet. Gjatë katër viteve të qeverisjes ka pasur shumë shkopinj nën rrota dhe për këtë Partia Socialiste kandidon në zgjedhje me aleatin e vetëm, qytetarët e Shqipërisë”, tha Tahiri në një takim elektoral në Tiranë.

Pas tij nxitoi ta sulmojë LSI-në edhe Braçe, sapo IPR Marketing publikoi një sondazh që e nxirrte LSI –në forcë në rritje. Braçe e akuzoi për rrugët e papërfunduara si Bay Pass –et në Fier e Vlorë (LSI ka Ministrinë e Transporteve), për reformën në drejtësi, për bujqësinë (LSI drejton Ministrinë e Bujqësisë) etj. Ajo që bie në sy në këtë sulm të koordinuar është ashpërsimi i toneve të Lulzim Bashës, që e sheh LSI –në si partinë që po e bjerr PD –në.

Por a nisi me fushatën edhe “sherrnaja” PS – PD me LSI? Në LSI, marrëveshja Rama-Basha u komentua si një pakt kundër saj. Ilir Meta, që ditën e marrëveshjes e mbajti frymën në zyrën e Sali Berishës, e krahasoi atë me paktin për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që në thelb kishte asgjësimin e LSI. Meta, që nga PS ishte akuzuar si frymëzues i çadrës së PD, u shfaq i prerë në fytyrë para kamerave, pas takimit.

 Rama dhe Basha e kishin nxjerrë atë jashtë loje. I kishin shkarkuar edhe kryetarin e partisë, Petrit Vasilin, nga detyra e Ministrit të Drejtësisë, pa e vënë në dijeni.   Ndoshta ajo ishte dita kur për herë të parë pas 8 vjetësh Ilir Meta po i bënte sërish llogaritë kundër dy partive të mëdha. Nga ana tjetër, është përfolur gjatë këto kohë se ky pakt ishte një test për një koalicion të madh PS – PD pas zgjedhjeve. Dhe zërat që e kanë artikuluar këtë edhe publikisht nuk kanë munguar, në Shqipëri e jashtë saj.   Eurodeputeti Knut Fleckenstein, një nga negociatorët e planit që u mor si bazë për marrëveshjen nuk e përjashton një koalicion të mundshëm PS-PD. “Nëse nuk do ketë asnjë alternativë tjetër për koalicion, atëherë një koalicion i tillë i madh, qoftë dhe teorikisht, mund të formohet. Pse jo?” deklaroi ai në Tv Klan.

Lulzim Basha, që foli për 3 muaj në radhë në çadrën e opozitës për një Republikë të Re pa Edi Ramën, për zgjedhje që do të bliheshin nga paratë e hashashit, për vota që do të vidheshin nga kriminelët, duket më i qetë. Qetësi kjo që duket e pabesueshme të mendohet se i vjen nga ministrat teknikë. Deri tani, prej tyre janë bërë të njohur vetëm dy akte. I pari, nga ministri i Brendshëm, që u filmua duke kërcënuar Oficerët e Policisë Gjyqësore që të mos sekuestronin disa prozhektorë të një kompanie pasi i duheshin për mitingun e një partie politike (me gjasë PD), dhe i dyti nga ministrja e Financave që urdhëroi pezullimin e lejeve të zakonshme në kohën e fushatës, me qëllim që punonjësit e administratës të mos përfshiheshin në zgjedhje, një vendim që iu kundështua nga zëvendësja e emëruar nga Rama.

Dhe sigurisht këto dy akte s’mund t’i kenë sjellë qetësinë Bashës se vota nuk do të vidhe e blihet dhe se administrata nuk do të përdoret në zgjedhje. Vendimet më të mëdha për zgjedhjet dhe jo vetëm Lulzim Basha po i merr me Edi Ramën, me të cilin komunikon drejpërdrejtë që nga nata e 18 majit. Ata vendosën së bashku të miratojnë një ligj kryekëput në shkelje me Kodin Zgjedhor që t’i detyrojnë televizionet private t’u japin reklama falas. Ata vendosën që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të pranonte listat e PD jashtë çdo afati ligjor. Komisioni, me vendimin e tyre, po vepron në shkelje të ligjit. Basha dhe Rama vendosën t’i hiqnin LSI –së tre drejtorë, pa e pyetur fare Metën. Ata ranë dakord të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, cilidoqoftë ai, pavarësisht shqetësimeve që Basha ndërkombëtarizoi me të drejtë, se në fushatë Edi Rama dhe të tijët mund të përdorin 2 miliardë euro para të pista, të ardhura kryesisht nga trafiku i drogës.

Tani këto shqetësime janë zhdukur. I vetmi problem që ka mbetur është LSI. Nuk përjashtohet dhe ndonjë parti e vogël, që nuk ka as numërues në qendrat e numërimit. Shembulli tipik ishte sulmi i sinkronizuar në seancën e jashtëzakonshme të parlamentit kur Edi Rama, Sali Berisha, Edi Paloka e të tjerë nga PS iu vërsulën të gjithë Ben Blushit, për arsyen e vetme se tha që PS – PD e LSI ishin bërë bashkë në qeveri për t’u mbrojtur nga vetting-u dhe nga shqiptarët. Basha, pas paktit me Ramën, “zhduku” edhe “shqetësimet” që kishte në partinë e tij.

Ai largoi nga listat e kandidatëve për deputetë kritikët dhe ata që nuk i kishte nën kontroll, emrat më të njohur të PD –së, Astrit Patozin, Jozefina Topallin, Arben Imamin, Majlinda Bregun, Genc Rulin, etj.

Një veprim i guximshëm, që ai e ndërmori vetëm pas “miqësisë së re” me Edi Ramën, “armikun e dikurshëm të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira” që për herë të parë iu referua Bashës si “kryetari i opozitës” vetëm pas takimit të gjatë kokë më kokë në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ku ranë dakord për të shkuar së bashku në zgjedhje. Tani rruga e vazhdimit të bashkëpunimit duket e shtruar. Rama ka larguar aleatin e “bezdisshëm”, ndërsa Basha “kritikët” në parti, të  cilët nuk pritën as rezultatin e zgjedhjeve për t’i kërkuar dorëheqjen, duke bërë ndoshta pa dashje një hap të gabuar, pasi e konsumuan fishekun që mund të qëllonin pas 25 qershorit, nëse PD do të dilte humbëse. Lapsi.al

SHKARKO APP