Skënder Gjinushi: Kadare e ngriti letërsinë shqipe në nivelet më të larta të historisë së saj
Nga Skënder Gjinushi*
Të nderuar akademikë, profesorë, kolegë, miq të pranishëm këtu apo nëpërmjet rrjeteve sociale.
Është në traditën tonë festimi i ditëve të shënuara, siç janë dhe festimi e nderimi i ditëlindjeve të anëtarëve tanë, por kjo ditë, dita e 85-vjetorit të lindjes së shkrimtarit shqiptar më të madh të të gjitha kohërave e anëtarit më të vlerësuar të ASH, mikut tonë Ismail Kadare, është një ditë e veçantë.
Në këto raste është vështirë që në pak rreshta të përshkruash vlerat e kontributet e një jete 85-vjeçare, aq më tepër të një shkrimtari a shkencëtari, por në rastin e Kadaresë kjo duket njëkohësisht më e lehtë e më e vështirë, e lehtë sepse veprën e tij e njeh gjithkush nga por e vështirë sepse çdo vlerësim i veprës së tij veçse do ta zbehte emocionin e përshtypjen që ka krijuar ajo tek gjithkush prej jush nga njohja e drejtpërdrejtë e veprës së Kadaresë.
Megjithatë në këtë përvjetor krahas urimit në emër të ASH e gjithë të pranishmëve, për një jetë të gjatë, të qetë e të lumtur, do të shprehnim mirënjohjen për kontributet kryesore të Kadaresë
Kadareja e ngriti letërsinë shqipe në nivelet më të larta të historisë së saj. Çdo letërsi ka uljet e ngritjet e veta, ka përfaqësuesit e saj të periudhave e kohërave të ndryshme, ata që përbëjnë panteonin, e pa dyshim Kadareja është më i shquari në panteonin e letrave shqipe pasi ai e ngriti atënë lartësi të tilla që çdo letërsi i përjeton rrallë në rrjedhë të shekujve.
Kadareja ngriti vetë vlerat e gjuhës shqipe, tregoi që shqipja, ndonëse gjuhë e një populli të vogël, është gjuhë e aftë për një letërsi të madhe, e aftë të shprehë me tërë forcën, bukurinë e thellësinë e mendimit artin gjenial të Kadaresë.
Kadareja e bëri të njohur ndërkombëtarisht letërsinë shqipe e ndërkohë vetë Kadareja rreshtohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore të kohës sonë.
Tashmë është e mirënjohur që vepra e Kadaresë është përkthyer në pothuajse tërë gjuhët e botës, e ajo ka merituar gjithë çmimet më prestigjioze ndërkombëtare nga Azia në Amerikë. Kjo ka bërë që Kadare të kthehet në një ikonë të identitetit të letërsisë e të vet kombit shqiptar, të renditet ndër ato simbole e figura që rrisin imazhin pozitiv të Shqipërisë e shqiptarëve në botë. Reputacioni ndërkombëtar i Kadaresë është i tillë që kalon dhe atë të vetë vendit ku lindi e jetoi sa që shpesh kush nuk e njeh Shqipërinë i shpjegohet se Shqipëria është i vendi i Kadaresë.
Edhe një herë faleminderit, i urojmë jetë të gjatë dhe të lumtur familjarisht Ismail Kadaresë, duke e falënderuar për kënaqësitë që na ka dhënë me veprën e tij dhe për gjithë brezat tanë, është një fat që jetuan në kohën e tij.
*Fjala e kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, në 85-vjetorin e lindjes së Ismail Kadare