Sociologu Gëzim Tushi: Logjika e pandemisë dhe “besnikëria ndaj familjes”…

Nga Gëzim TUSHI* –

 Shfaqja e papritur, e menjëherëshme e virusit Covid-19 e tronditi familjen shqiptare. Madje në shumë aspekte e vuri atë në një siklet ekzistencialisht të madh. Kjo është ana e errët e ndikimeve negative të virusit që u bë një problem shtesë, mbi përgjegjësitë e njohura të familjes. Por nga ana tjetër dhe në të njëjtën kohë, situata virusale e detyroi familjen të mobilizojë forcat, të vërë në punë tërë potencialin strukturor e funksional dhe mbi të gjitha, të shfaqë jo vetëm rezistencën dhe fuqinë sociale por dhe kapacitetet shpirtërore e terapeutike. Madje disa cilësi të “fjetura” apo të neglizhuara, u ringritën si asnjëherë më parë.

Analiza e zhvillimit të situatave familjare në familjet shqiptare gjatë pandemisë, po vërteton se në betejën me virusin ka patur shumë familje që luftën e bënë me sukses të plotë, ashtu sikurse familje që kanë patur dështime nga mungesa e kujdesit të duhur familjar. Ndoshta është e udhës të bëhen studime më të thelluara të mënyrave si vepruan, si mbajtën kohezionin dhe kujdesin e duhur “familjet e suksesshme, duke sjellë gjëra të dobishme për shëndetin e familjes dhe më pak andrralla për kujdesin mjekësor, shtetin dhe shoqërinë, por edhe për të nxjerrë mësime për familjet jo funksionuese apo të dështuara.

Koha e pandemisë por jo vetëm ajo, po vërteton se “dështimi i familjes”, sot mbase më shumë se kurrë, nuk është vetëm tragjedi personale por edhe katastrofë sociale. Sepse jemi në kohëra të reja, kur ridimensionimi i vlerës, roleve dhe funksioneve private e sociale të familjes, është një kusht jo vetëm për funksionimin e saj por edhe për shëndetin e shoqërisë. Ajo që ka rëndësi në këto moment dhe që është thëlbësore për përmirësimin e shëndetit të familjes shqiptare, edhe pse mund të duket si rastësisht e lidhur me sfidat e “kohës pandemike”, ka të bëjë me mënyrën se si duhet të ”rindërtojmë kulturën” familjare dhe strukturën e lidhjeve dhe marrëdhënieve njerëzore Brenda saj. Sociologët po flasin për një “stenografi normash” që janë të reja në përdorim dhe qarkullim kulturor, që duhen përsosur në epokën post-pandemike. Sipas tyre kjo “stenografi normash” të reja ka mundësi që të bëhen “bazë kulturore” për përmirësimin dhe përshtatjen adekuate të normave të sjelljes utilitare në “grupet e rrjetëzuara” të familjes.

Për ne ka qënë pozitiv fakti që në kohën e pandemisë familja shqiptare u vë vatër e rëndësishme, faktori kryesor i mbrojtjes dhe garantimit të jetës së pjestarëve të saj. Të gjithë antarët e familjes e panë familjen e tyre si një “port i sigurt”, ku në mënyrë pothuaj të re, njerëzit “hodhën spirancën” dhe ankoruam sigurinë e jetës personale e familjare. Sociologët me të drejtë thonë se që të “jesh funksional në familje, më së pari duhet të dish si funksionon ajo”.

Për fat të mirë fleksibiliteti i familjes dhe reagimet e saj ndaj pandemisë, kanë qënë të admirueshme, në përshtatje me situatën. Veprimet kanë qënë kompakte e koherente, humane e solidare, qoftë në vlerësimin e familjes si “absolute morale” apo si strukturë shoqërore, e aftë të bëjë ndryshimet e kërkuara, e të përshtatet me sfidat e panjohura, të paparashikuara të virusit Covid-19.

Në se do shikojmë jetëndhe aktivitetin familjar të kohës së pandemisë, me lehtësi do të konstatojmë një përmirësim të dukshëm të funksioneve bazë dhe të rendit të brendshëm të saj. Mbi të gjitha këto kohë kanë qënë periudhë e përmirësuar e sistemit të kujdesit shëndetësore dhe shërbimeve sociale brenda familjare. Një lulëzim mbase sui generis i “terapisë familjare praktike” për të mbështetur njëri tjetrin. Sepse situata pandemike e goditi fort “qetësine familjare”, qoftë thelbësisht apo në dukje, duke sjellë një tension të natyrshëm në rritje, që synonte destabilizimin e saj funksional dhe ta bënte familjen shqiptare një strukturë sociale në krizë, strukturalisht të tronditur e të paqëndrueshme.

Koha e solli që në situatën e rrezikshme të pandemisë, familja dhe shtëpia u vunë në një nga provat më serioze, të kryerjes së rolit dhe mbajtjes së përgjegjësive sociale, garantimit të stabilitetit ekzistencial midis pjestarëve të saj, edhe pse në kushtet e izolimit. Në këto rrethana, familja u mobilizua dhe me “mëndje të hapur”, njohu më mirë disa role e funksione “shtesë”. Ajo shfaqi tërësisht potencialin e vet funksional dhe shpirtëror, duke zëvendësuar shumicën e institucioneve të tjera sociale e medikale, që përballë shpërthimit të papritur të virusit Covid-19, u ndodhën të befasuar, në vështirësi serioze për të realizuar detyrat dhe rolet e tyre specifike.

Megjithëse dinakëritë komplekse e të rrezikshme të virusit Covid-19, u përpoqën të prekin “shëndetin e familjes” shqiptare, megjithatë nuk ka arritur ndonjë “sukses” të madh, në luftën degraduese me këtë institucion tradicionalisht të fortë, me rezistencë sociale të njohur. Përkundrazi, me siguri për shumicën e familjeve shqiptare, virusi u bë një faktor që ndihmoi në konsolidimin strukturor dhe korrigjimin e raporteve personale të pjestarëve të saj me familjen e tyre, duke konsoliduar më mirë rolet dhe përgjegjësitë e secilit.

Sepse në tërë historinë e jetës së saj, mënyra si ka funksionuar familja shqiptare e ka bërë atë gjithnjë një “entitet social”, që ngrihet mbi individin dhe shfaqet si institucion kompakt me përgjegjësi të përbashkëta. Pavarësisht se jemi në kushtet e shoqërisë postmoderne, të shfaqjeve evidente të forcimit të tendencës individualiste, e prirjes universale të reduktimit të detyrimeve individuale ndaj familjes, një sëmundje sociale e njohur tashmë, e cila për fat të mirë pësoi një “zbutje” gjatë “kohës pandemike”, duke çuar drejt përmirësimit të kuotave të lidhjes më të fortë shpirtërore, shfaqjes se solidaritetit në “luftën” totale anti pandemike.

Duke qënë se familja është njëherësh institucion social por edhe i jetës private, akoma nuk jemi marrë sa duhet për të vlerësuar shfaqjen e dukurive të reja, të fenomenologjisë së funksionimit në “kohën pandemike”. Bashkë me analizën se sa të qëndrueshme do të jenë, ndryshimet që kanë ndodhur në funksionalitetin e saj. Mbetet për tu parë dhe analizuar më thellë, mënyrat e reja të komportimit të familjes në periudhën post-pandemike. Duke e parë tipologjinë e “re” të familjes, ka dy mënyra vlerësimi: ose si “instititucion të disiplinës për anëtarët e saj”, sikurse kanë menduar filozofët e Shkollës së Fraknkfurtit Adorno e Hokhaimer, apo si organizëm social që funksionon me “skemë jo disiplinore”, sikurse mendon M. Fuko. Por ky është një problem sociologjik, që kërkon “distancën e duhur” të vlerësimit të reflektimeve, dhe ndryshimeve sociale në tipologjisë e familjes postmoderne shqiptare.

Personalisht mendoj se reagimet specifike të familjes shqiptare, kanë qenë pothuaj adekuate me përgjegjësistë dhe sfidat me të cilat ajo u përballë nga “dhuna e virusit”. Me një shpejtësi të habitshme, mobilizim integral të resurseve dhe aftësive të veta, të njohura edhe më parë, familja shqiptare forcoi dhe në këtë situatë dhe spikatën mirë rolin e saj më kryesor, sikurse është forcimi i “rolit klinik”, për përmirësimin e përgjegjësisë së kuotave të shërbimit shëndetësor ndaj njerëzve të infektuar.

Por gjithashtu familja u kthye në një “qendër pedagogjike” të mësimit dhe përmirësimit të vullnetshëm, të formave të sjelljes familjare dhe zgjerimit të profilaksisë personale në “kushte izolimi”, luftës për të siguruar mbrojtjen e nevojshme, mjetet e duhura të komportimit në ambientet sociale. Për herë të parë ndoshta, familja shqiptare tradicionale në sjellje dhe lidhjet shumë të ngrohta, që ka kultivuar midis pjestarëve të saj, reagoi dhe filloi të aplikojë standarte të reja, të shfaqë në familje kujdes në aplikimin e “komunikimit të mbrojtur”, në distancë dhe të veçuar. Angazhimi i familjes, intensiteti i veprimeve të guximshme, medikalisht mbrojtëse dhe pedagogjikisht instruktuese, e bashkuar kjo me humanizmin dhe solidaritetin e njohur tradicional, e bënë shndërrimin e familjes standarte, në një familje tejet dinamike, me funksione gati të “familjes xhonglere”, për të bërë disa punë njëherësh dhe për të mbajtur disa “përgjegjësi paralele shtesë”.

Koha e pandemisë në mënyrë evidente ndihmoi në kthimin e menjëhershëm të bindjes sociale tek shqiptarët, se familja, “vatra” e saj, është me rëndësi jetike identitare, fizike e funksionale. Për fat të mirë koha e pandemisë na solli në vete, dhe filluam të mendojmë, se “adhurimi i familjes” nuk është konservatorizëm. Përkundrazi, disa vlera të “vjetra”, të njohura, tipike e substanciale për “fibrën  e familjes” shqiptare, u spikatën në mënyrë të posaçme, duke plotësuar më mirë disa role që shpesh i mbeten shtetit, kur këtij të fundit i duhet të kompensojë edhe ndonjë “difekt të familjes”.

“Deficiti i familjes” në kohën e pandemisë, u zbut dukshëm nga rritja e menjëhershme e rolit dhe përgjegjësive intuitive dhe shpirtërore të antarëve të saj. Sidomos u bë i dukshëm një rigjallërim i funksioneve mjekuese, edukuese dhe shoqërizuese. Edhe pse në kapërxyell dhe duke kaluar nga familja e gjërë me funksione sociale, tek familja bërthamë, e lëvizshme. Në këto rrethana pati dhe vazhdon të jetë obligativ, shtimi i intensitetit të “besnikërisë ndaj familjes, sepse “…sa më e vështirë bëhet gjëndja në jetën tonë, aq më tepër forcohen lidhjet e besnikërisë me njerëzit që na qëndrojnë më afër…”. (Richard Rorty, “Filozofia dhe e ardhmja”, f 74)

Kjo është imperative edhe për një arsye thelbësore, që lidhet me faktin që familja shqiptare ndodhet në një zonë sociologjikisht akoma sinkretike: midis të mirave dhe negacioneve të së kaluarës tradicionale nga njëra anë, dhe të ardhmes jo shumë të sigurt, apo më sakt të paqartë të zhvillimeve brenda dhe jashtë saj. Padyshim, Covid-19 nuk është faktor vetëm patogjen, me efekte për shëndetin individual dhe publik. Sikurse po evidentohet qartë, ndikimet e tij do të jenë konsistente, me efekt të gjatë, ndoshta të vazhduar, duke sjellë ndryshime evidente të njëkohëshme në jetën familjare e atë publike. Me sa duket e ardhmja ka mundësi që familjen pavarësisht tipologjisë së saj, tradicionale apo bërthamore në strukturë, ta strukturojë si një “mikroshoqëri” me funksione më të qarta ekonomike, arsimore, edukative e shpirtërore. Forcimi i rolit dhe funksioneve të familjes në këto rrethana, është kusht i pashmangshëm dhe aspak i neglizhueshëm.

Sociologët e kohës moderne mendojnë se duke qënë në kushte të reja, “Ne duhet ta pranojmë realitetin se paternalizmi social ka dështuar: shteti nuk mund ta zëvendësojë familjen”. (Paul Collier, “E ardhmja e kapitalizmit”, f 239) Si konkluzion, besoj se kjo kohë na e ka përforcuar bindjen, se çfardo që të bëjë shteti, sidomos në situata të zgjeruara frike, ankthi e pasigurie sociale, kujdesi i tij nuk mund të zëvendësojë përgjëgjësinë familjare.

Koha që jetojmë kërkon një tjetër vëmendje për statusin e familjes, rolet e saj shoqërore. Kjo do të thotë që tani është koha, që debatin për ndryshimet dhe rolin e familjes, si garant i sigurisë, duhet ta kthejmë në një debat të madh social. Sepse në se familja do të ketë përmirësim të “rendit të brendshëm”, shëndet të mirë, dhe mbështetje të fortë të njëri-tjetrit, atëhere edhe shëndeti i shoqërisë do të jetë më i sigurt…

*Sociolog,

Mjeshtër i Madh

 

 

SHKARKO APP