Sociologu Gëzim Tushi: Pandemia, “moment kalimtar” apo “pikë kthese” sociale?…
Nga Gëzim Tushi –
Ka që i pritshme që shoqëria dhe mendimi sociologjik të përfshiheshin dhe të fillonin një debat konceptual teorik dhe sociologjik por dhe empirik e jetik, mbi efektet dhe kundërefektet e pandemisë në jetën e njeriut dhe pasojat transformuese që do të jenë pjesë integrale të shoqërisë postmoderne. Një ndikim që me sa duket, do të jetë në përmasa të gjëra sociale, globalisht gjithpërfshirës, me efekte thelbësore dhe anësore instutucionale, sociale e personale. Sepse “përmbysja” që ka sjellë pandemia është gati si një “revolucion social” i papritur dhe me ndryshime në përmasa të mëdha. Madje ka filozofë dhe sociologë, të cilët kanë guximin të mendojnë, se duke parë zhvillimet ekonomike, shëndetësore, institucionale e sociale që po ndodhin në të gjitha fushat e jetës shoqërore, se Covid-19 mund të jetë një “pikë kthese” në jetën tone, një “gurë caku” që mund të ndajë të kaluarën nga e ardhmja. E cila me sa duket, nuk do të jetë vazhdim linear i strukturës, tipologjisë dhe fenomenologjisë së shoqërisë para pandemike.
Unë mendoj se në mënyrë të sigurt dhe fare qartë, duket se në të ardhmen e afërt dhe të largët, do jemi të “detyruar” të jetojmë duke respektuar disa “piketa sociale” dhe “shënjues të rinj” të sjelljes individuale, komunitare, institucionale dhe doemos edhe sociale. Koha që po vjen ka nevojë pikërisht për atë “pikë kthese” që duket se ka ardhuer, dhe që do të shërbejë për një orientim të ri të mënyrës së jetës, duke ndryshuar “kufijtë e vjetër” dhe duke përcaktuar njëkohësisht me saktësi “kufijtë e rinj”, të asaj që lejohet të ndodhë nga ajo që ndalohet të ndodhë.
Kjo do të thotë se shoqëria do të përballet me nevojën imperative të ndryshimit dhe përmirësimit të “themeleve” të vjetra sociale dhe etike në lidhjet dhe marrëdhëniet njerëzore. Kjo nuk është thjesht ndikim mode apo presion periferik i pandemisë, përkundari është ndryshim substancial, i nevojshëm dhe i domosdoshëm, në mënyrë që të përballojmë jo vetëm me atë që duket dhe po ndodh sot, me të cilën po përballemi, por sidomos për tu përgatitur për shumë ndryshime të tjera, të thella, komplekse me natyrë sociale, ekonomike, kulturore e psikologjike, që sot mund të duken të paimagjinueshme për të ndodhur .
Por sikurse dihet koha që jetojmë ka rëndësinë e saj, për të vlerësuar efektet sociale me natyrë empirike, por duhen vlerësuar edhe idetë teorike filozofike e sociologjike që do të bashkëshoqërojnë këto ndryshime të jetës individuale e sociale. Pandemia është një realitet që gradualisht, në mënyrë të pabesueshme, sipas mendimit tim, e ka vënë shoqërinë në detyrimin e përshtatjes me kërkesat e reja gati normative të epokës post-pandemike dhe ndryshimeve të thella në lidhjet sociale dhe marrëdhëniet njerëzore.
Edhe pse në shumë aspekte pandemia na ka detyruar të jetojmë në një kohë e vështirë, e shoqëruar me dëshpërim individual dhe zhgënjim social, për shumë “gjëra ekzistuese” të shëndetësisë, politikës, ekonomisë, drejtësisë sociale, etj. Është një “kohë e re”, krejt e ndryshme nga ajo që kemi jetuar, që kërkon perfeksionim të “kulturës së përshtatjes” me sfidat e reja. Bashkë me durimin social, për t’i përballuar pasojat dhe ndryshimet e imponuara me kurajo, optimizëm, vullnet social.
Sepse këto zhvillime objective e subjective nën ndikimin e pandemisë, janë sfida të mëdha e të përbashkëta sociale, të cilat e kanë vënë në “situata të parehatshme” shoqërinë tonë.Në këto rrethana, është plotësisht e justifikueshme ekzistenca e shqetësimeve dhe zëmërimit të njerëzve, e shoqëruar me një lloj “kriticizmi” të thellë social e publik. Duhet të jesh i verbër të mos kuptosh dhe pranosh, se shoqëria shqiptare po kalon një lloj krize komplekse, që kërkon zgjidhjet e duhura, koherente, të përshtatshme për kohën që jetojmë.
Në këto kushte, së pari problemi është të parashikojmë se cili do të jetë ritmi i ndrydhimeve që kërkohet të ndodhin: do jenë ndryshime të ngadalta apo të shpejta? Në të vërtetë kohëzgjatja, virulenca patologjike, pasojat me dimension katastrofik, janë fakte që kërkojnë një shikim sociologjik dhe logjik të akseleruar për vlerësuar utilitetin dhe determinancën e ndryshimeve, pikërisht tani dhe këtu në momentin krucial të “pikes së kthesës”. Ndryshime të cilat nuk mund të jenë të ngadalta, por parashikohet të ndodhin me ritëm të shpejtë. Disa prej tyre ndoshta menjëherë.
Shikimi objektiv i situatës duhet të marrë në konsideratë disa gjëra me rëndësi. Virusi Covid-19 erdhi në mesin tonë në mënyrë të menjëhershme, me intensitet të lartë, dhe me pasoja tragjike. Jo vetëm shëndetësore. Ajo po tenton që të bëhet “pikë kthese” që mund të sjellë përmirësime në modulet tradicionale të sjelljes individuale dhe komportimit social të shoqërisë, por mund të bashkëshoqërohet edhe me katastrofa të tjera me natyrë ekonomike, financiare, morale, sociale e personale. Disa prej të cilave akoma nuk është e lehtë për t’I prashikuar në afatgjatin kohor strategjik. Sidomos duke u bazuar në të vërtetën dhe në faktin, që pandemitë si rregull “..ndryshojnë në mënyrë rrënjësore (sikurse lufta) ekonomitë, politikat, shoqëritë dhe arkitekturën urbane”. (Ivan Krastev, Mbërriti e nesërmja thua”, f 10)
Që virusi ka qënë një “sfidë planetre” me përmasa të gjëra dhe ndikime polivalente në tërë strukturat e jetës njerëzore, tashmë për këtë askush nuk ka dyshim. Pranimi i sfidës së ndikimeve të pandemisë është me efekte sociale me shtrirje lineare por edhe me ndryshime koncentrike, që do të ndihen fort në vazhdimin e jetës së përbashkët, duke ndikuar në ndryshime konceptuale të thella për kohën që jetojmë sot, por sidomos për standartet e reja të sjelljes në “epokën post-pandemike” që do vazhdojë më tej. E rëndësishme, e pritshme dhe ultimative është që të ecim me ritmin e kohës dhe të bëjmë përshtatjet e duhura, për tu mësuar, përshtatur pse jo edhe “bashkëjetuar” me “kulturën e virusit”. Sidomos të përgatitemi dhe ta bëjmë këtë sfidë sociale e mjekësore, këtë forcë të pakontrollueshme planetare, sa më të menaxhueshme.
Mund të kenë dale, dhe do vazhdojnë të dalin shumë mësime të reja për kohën që jemi dhe atë që po vjen. Padyshim, mbase tani jemi herët për të bërë analiza shteruese, për të nxjerrë konkluzione e për të përcaktuar detyra e përgjegjësi sociale afatgjata apo me natyrë strategjike, për të analizuar deri në fund me saktësi sociale e preçizion teorik, trendet e reja të zhvillimeve shoqërore pas kalimit të pandemisë. Besoj se është moment i angazhimit serioz të mendimit sociologjik, për të realizuar analiza objektive e koherente, duke ofruar dije më të sakta e sistematike, duke dhënë zgjidhje që të jenë analoge me të vërtetat e kohës që jetojmë sot, por sidomos me veçoritë e asaj që do “vijë nesër”. Pavarësisht se në vlerësimin kohor dhe hapësinor mund të duket sikur ato janë akoma në horizontin e jetës së ardhshme sociale.
Por një gjë është fare evidente. Parashikimi I sociologëve të postmodernitetit, se jeta në këtë shekull do të zhvillohet në një “terren likuid”, të paqetë e të rrëshqitshëm, tashmë është duke u vërtetuar. Ajo nuk është profeci sociologjike, por një realitet i vërtetë, në të cilin jemi të detyruar të jetojmë individualisht dhe të bashkëjetojmë me shoqërinë. Momenti i shfaqjes dhe kurba e zgjerimit të pandemisë, është vërtetë një “pikë ktese” për të menduar gjërat ndryshe dhe në përputhje me to, edhe për të jetuar ndryshe. Sepse ka qënë e mjaftueshme koha, për të kuptuar dhe nxjerrë mësimet e duhura. Shqetësimet e përjetuara intensivisht në shoqërinë shqiptare nga virusi mikroskopik Covid-19, nuk kanë qenë dhe nuk janë të thjeshta, sipërfaqësore, kalimtare që nuk duhen parë e vlerësuar me seriozitet. Ai edhe kur të kalojë, në mënyrë të sigurt do të lërë pas gjurmët e nevojës për ripërshtatje, nxjerrjen e detyruar të mësimeve të reja, sociale, mjekësore e individuale.
Detyra imperative është që njerëzit tanë të përmirësojnë sjelljen, mënyrën e jetesës, në kushtet kur akoma po përballemi fort, “dhunshëm” me një të “vërtetë të gjallë”, sikurse është situata e efekteve gjithpërfshirëse të pandemisë, statusi akoma i pakontrolluar dhe frenuar i virusit Covid-19. Duke e përfyturuar këtë moment si “pikë kthese”, personalisht mendoj dhe kam parasysh që kjo situatë ku jemi, dhe ajo që do të vijë më pas, do të kenë ndikime të thella në jetën e përbashkët të shoqërisë shqiptare: në politikë, ekonomi, jetën shoqërore. Në të gjithë strukturat e tjera bazë të jetës sociale.
Unë besoj dhe dëshiroj të ritheksoj edhe njëherë se virusi Covid-19 nuk do kalojë pa pasoja ekstra mjekësore dhe efekte thelbësore sociale e strukturore. Sipas mendimit tim, ai mund të jetë një “gurë caku”, që do të ndajë në shumë aspekte stilin e jetës së kaluar me mënyrat e reja të sjelljes sociale në të ardhmen. E kaluara dhe e ardhmja do ta kenë si “pikë vlerësimi” këtë ngjarje dramatike, me efekte të thella, kur të flasim për të kaluarën dhe të bëjmë prognoza ekonomike, sociale, psikologjike e kulturore për të ardhmen.
Është e sigurt besoj që virusi do të ketë ndikime të forta, ndoshta të pakthyeshme në ndryshimet obligative që do të ndikojnë në transformimin e thellë të shumë paradigmave dhe në stilin e jetës shoqërore. Ne duhet të përgatitemi për një tjetër lloj mënyre jetese, në të cilën do të ndryshojë thelbësisht “këmisha e përgjegjësisë” qytetare. Kjo do të thotë, se duhet të përgatitemi për të bërë ndryshimet e duhura në mënyrën e sjelljes, format e rindërtimit të moduleve të njohura apo të reja qofshin në jetës personale e sociale. Sidomos ato probleme që kanë të bëjnë me raportet e reja, midis individit dhe shoqërisë, bashkëveprimit të njerëzve në ambinte private e vende publike.
Sepse me sa duket ajo që pritet të ndryshojë e para, me shpejtësi, në mënyrë të domosdoshme është sistemi i edukatës së sjelljes publike. Kjo do të thotë se “pika e kthesës” së sjelljes sociale, kërkon që në shoqërinë e nesërme post-pandemike të bëjmë “jo atë që duam” por “atë që duhet”, duke mundësuar angazhimin e ndërgjegjshëm të individit dhe shoqërisë, për të bërë të mundshme ato gjëra, mënyra sjelljeje e komportimesh sociale, që janë të nevojshme dhe të domosdoshme.
Kjo kërkon së pari një lloj ndërgjegjësimi të gjërë të njerëzve tanë, për të kuptuar dhe pranuar në këtë kohë të re, “largimin e formave të vjetra” të sjelljes nga skena e jetës, që tashmë nuk është vetëm postmoderne por edhe post-pandemike. Sfida e jetës shoqërore që po vjen, kërkon në mënyrë ultimative një lidhje më të fortë të përgjegjësisë për veprimet individuale, lidhjen e tyre me pasojat kolektive që sjellin në jetën e përbashkët shoqërore. Një nga mësimet e mëdha apo “virtytet” e pandemisë, është fakti që njerëzit duhet të binden, se jeta në kushtet e “shoqërinë e rrezikut”, kërkon që ata të bëhen më të ndërgjegjshëm se do të jenë shumë herë më të detyruar, për të mbajtur pasojat e sjelljeve të tyre.
Kjo do të thotë se duhen riparë standartet e përdorimit të “instrumeneteve” të njohura me të cilat kemi ndërtuar lidhjet dhe marrëdhëniet tona në jetën sociale. Madje, edhe instrumentet bazë të shoqërizimit social sikurse janë humanizmi, altruizmi, solidariteti, socialiteti apo sociabiliteti, miqësia, fqinjësia dhe komunitarizmi. Edhe këto janë në “pikën e kthesës”, përballë ndryshimimeve dhe reformimeve të forta sociale e instrumentale. Sociologët mendojnë se epoka post-covidiane, ka mundësi të përshtatet me funksionimin e një lloj të ri solidariteti social dhe komportimi human, që mund të konsiderohet si “solidaritet i ndarë”. Sepse në këtë kohë jo aq për fajin tonë, por të ndikimeve të forta virusale, na duhet të përmirësojmë dhe ndryshojmë të gjitha format e “përgjegjësive të përbashkëta”.
Kjo është “pika e kthesës” sociale, kur po krijohet një “mekanizëm i ri” i shfaqjes dhe rindërtimit të formave të reja konceptuale dhe kontekstuale të humanizmit dhe solidaritetit, që nuk do të jenë aq kompakt, të qëndrueshëm e solid si në të kaluarën, por do të shfaqen duke qënë të “ndarë”. Por që të realizohen këto lidhje dhe që të funksionojnë mekanizmat e reja të humanizmit dhe solidaritetit të ri, që janë forma të ndara, nga modulet dhe mënyrat e vjetra të shfaqjes së tyre në të kaluarën, kemi nevojë për të bërë përmirësime në kulturën e sjelljes sociale të njerëzve, të “orientimeve standarte” të kalçifikuara supersociale të së kaluarës.
Këto ndryshime janë në kundërsens dhe nuk e pranojnë rezistencën apo sjelljen me mendjelehtësi sociale të disa njerëzve tanë. Të cilët për të qënë të vërtetë, nuk janë të paktë. Ideja se njeriu është i lirë të sillet si të dojë dhe të bëjë çfarë të dojë me veten e tij, në kushtet e reja, në “epokën post-pandemike” duhet korrigjuar. Kjo në emër mbrojtjes së shëndetit individual, dhe public. Në emër të vitalitetit të nevojshmë të jetës sociale. Mund të kesh konceptime antinomike apo anarkike për lirinë e sjelljes personale, por në kushtet e reja të jetës duhet të marrësh mbi vete edhe përgjegjësistë personale të këtyre sjelljeve. Madje bashkë me pasojat e rënda dhe të vështira për tu korrigjuar dhe riparuar, disa aspekte thelbësore të jetës, që kanë të bëjnë me kujdesin personal, sjelljen publike, higjienën, ritualet sociale të gëzimeve dhe hidhërimeve, sjelljet në ambiente e lokale publike, etj.
Është interesante që sa shumë energji, propagandë, masa ligjore e veprime administrative janë konsumuar, vetëm për të krijuar tek njerëzit bindjet e duhura për të “mbrojtur veten” nga virusi dhe pakujdesitë personale, për të kuptuar dhe kultivuar ndjenjës e sigurisë personale, përmes respektimit të “etikës së distancës”, kushteve të largësisë në hapësirë dhe kultivimin e një kulture të re publike, të cilën sociologu britanik lordi Anthony Giddens, e ka quajtur nevojë të respektimit të “pavëmendjes civile”.
“Pika e kthesës” është e vështirë të gjëndet dhe të bëhet efektive, por mundësia e vendosjes së “kufirit” midis masave sociale të matura dhe veprimeve administrative të vendosura, është plotësisht e mundur, si kusht të sjelljes sociale në “epokën post-covidiane”. Këto janë masa të domosdoshme, utilitare me dobi të zgjeruar sociale. Në se veprojmë me koherence, bindje sociale qytetare e sjellje të qytetëruar, duke e kuptuar gjërësisht vlerën fizike dhe metafizike të “pikës së kthesës” strategjike që duhet të bëjmë në jetën tonë të përbashkët, përmes diagnostikimeve të sakta dhe terapive sociale të garantuara, atëherë do arrijmë një gjë të madhe për jetën tonë: Nuk do e lëmë shoqërinë ti “shqepën tegelat” e sigurisë sociale dhe garantimit moral të jetës
*Sociolog, Mjeshtër i Madh