Sociologu Gëzim Tushi: Pandemia, shkolla dhe komplementariteti familjes…

Nga Gëzim Tushi –

Kjo kohë e vështirë e pandemisë, por vecanërisht ajo që do vijë pas saj, do e bëjnë akoma të vështirë binomin edukativ, detyrimet reciproke dhe sidomos përgjegjësinë e përbashkët të integrimit të shkollës dhe familjes. Si kurrë më parë virusi e ka vënë shoqërinë përballë nevojës imperative për të gjetur modulet dhe implementuar një unitet të ri dhe forma të lidhjeve më organike e kompakte të këtyre institucioneve, që tani në kohën pandemike dhe sidomos në atë post- pandemike do të jenë komplementarisht akoma më shumë se më parë përgjegjës, qoftë për nivelin e dijes së nxënësve apo standartet qytetare të edukimit të fëmijëve. Në mënyrë evidente në këto muaj të betejës me virusin janë përfshirë energjikisht shkolla dhe familja. Në mënyrë të qartë po duken sfidat e reja që ka sjellë virusi Covid-19, dhe që duhen vlerësuar për impaktin që ka në këto dy institucione me rëndësi të madhe sociale, që kanë qënë dhe mbeten unike në përgjëgjësitë e tyre për mësimin dhe edukimin e të rinjve tanë.
Në pamje të parë virusi dhe pandemia e coronavirusit duken si “faktor të jashtëm” dhe me ndikime periferike për strukturën dhe funksionet educative e pedagogjike të shkollës dhe familjes. Por në të vërtetë nuk është kështu, sepse virusi solli turbulence paralele edhe për familjen por edhe për shkollën, të cilat ndihen në një situatë të padëshiruar. Duke e parë më në thellësi situatën shqetësuese që ato po kalojnë, e cila përvec gjërave të tjera ka ndikuar negativisht, duke e bërë akoma më të vështirë rolin, përgjegjësinë dhe detyrën e mësuesit në shkollë. Në të njëjtën kohë jo pak vështirësi po kalon edhe roli edukativ i prindit në familje. Kjo është arsyeja pse tani në një platformë të re diskutimi dhe debati, duhet diskutuar intelektualisht dhe profesioanlisht nevoja e “përmirësimit” të roleve respektive, për rritjen e angazhimit cilësor e të personalizuar në përpjekjet dhe përgjegjësitë komplementare të tyre. Përgjegjësi të rritura dhe obligativisht të natyrshme, qoftë në fushën e mësimit dhe rrugët, format më të reja të procesit të edukimit.
Pandemia na ka vënë seriozisht të gjithëve para detyrimit, për të ndryshuar shumë gjëra në sjelljen profesionale dhe qytetare të mësuesve dhe prindërve, për të gjetur “piketa të reja” të orientimit sipas tingullit të kohës, komportimit, lidhjeve dhe marrëdhënieve të reja midis shkollës dhe familjes, si konditë sine quan non për ta bërë procesin e mësimit dhe edukimit sa me komplementar, efektiv, dinamik. Mbi të gjitha me “përgjegjësi të përbashkët” të shkollës dhe familjes, mësuesit dhe prindit. Ky partneritet kulturor dhe edukativ, ky binom historikisht i pandarë i përgjegjësive, tani është përballë sfidave, konceptimeve modern, nevojës urgjente për forma më të zhdërvjellta të realizimit. Sidomos urgjente janë këto bashkëpunime organike e marrëveshje konsensuale midis shkollës dhe familjes, mësuesit, prindit, nxënësit, në këtë fazë të parë të ndryshimit të gjërave, mënyrave, mjeteve tradicionale dhe ridimensionimit të modeleve thelbësore të funksionimit dhe përgjegjësive socio-edukative të familjes dhe shkollës.
Sepse pandemia së pari shkollën, këtë institucion tradicionalisht të sigurt në rrugën dhe identitetin e vet tw njohur, e ka vënë në një lloj paqartësie të përgjegjësive ekskluzive konceptualo-pedagogjike dhe një lloji të ri të hutimit metodik. Së pari për të kuptuar nevojën dhe thelbin e ndryshimeve, dhe pastaj edhe për gjetjen e rrugëve dhe mjeteve të reja, të realizimit të procesit të mësimit dhe edukimit në shkollë dhe jashtë saj.
Shkolla shqiptare, rrallë herë në histori mund të ketë patur halle e problem kaq intensive e të ndërlikuara. Kështu që në këto kushte është imperativ social që si shkollë, shoqëri dhe familje të kuptojmë vështirësitë dhe sfidat e reja postpandemike të shkollës, bashkë me difektet e mangësitë e natyrshme, të një procesi që akoma është disi kaotik. Në këtë kontekst, difektet e natyrshme të shkollës, ambiguitetet pedagogjike të procesit të ndryshuar të trajtave klasike të mësimdhënies dhe edukimit, të lidhura me përmbysjen e paradigmave pedagogjike dhe edukative tradicionale, si dhe përballë me nevojën e shikimit të gjërave ndryshe dhe përdorimit të metodave të reja të komunikimit pedagogjik në hapësirë dhe kohë, me nxënësit dhe studentët, duhet të ndihmohen që të kapërxehen. Kjo është arsyeja pse shumë detyra të shkollës, në kushtet aktuale nuk mund të përballohen dhe të zgjidhen pa një koncept të ri të komplementaritetit shkollë-familje, pa mbështetjen e sinqertë të shkollës dhe angazhimin komplememntar dhe thelbësor të familjes dhe shoqërisë.
Sidomos momentalisht për shkak të situatave të një lloj “bunkerizimi shtëpiak” të nxënësve, është thelbësor angazhimi i shtuar i përdorimit me efektivitet të kushteve dhe shtimit të kujdesit dhe përgjegjësisë ekskluzive edukative të familjes. Ky pretendim është normal, organik në kushtet e “revolucionit” që po ndodh në shkollë. Kjo do të thotë se, është detyra dhe përgjegjësia e familjes shqiptare, të bëhet “strukturë komplementare”, organike, ndihmëse besnike e shkollës. Kjo sepse familja dhe shtëpia tashmë si institucion i jetës private, gjithnjë e më shumë përvec funksioneve të tjera sociale shtesë, do të marrin edhe përgjegjësinë e një lloj “ambienti alternative” jashtë shkollor, që do të jetë paralel me klasën apo auditorin, ku nxënësi e studenti do mund të lidhet me mësuesin dhe pedagogun për të zhvilluar mësimin dhe edukimin, atë proces që normalisht sipas modelit parapandemik, do të duhej zhvilluar në bankat e shkollës dhe aulat universitare.
Megjithatë gjërat duhen parë në mënyrë sinkretike, në lidhjet e domosdoshme të shkollës me familjen, mësuesit me prindin, sepse jemi të detyruar të veprojmë me shpejt, me guxim dhe inteligjencë sociale në këtë kërkesë për sinkronizim të intensifikuar e organik pedagogjiko-familjar. Për arsye se “revolucioni” që po ndodh në shkollë, nuk mund të përballohet me sukses, në se nuk do të ndërtohet një proces organik, me përgjegjësi të shtuar në mënyrë të dyanshme.
Nga njëra anë është imperative, që shkolla të shtojë më shumë përpjekjet profesionale, të zgjerojë përgjegësinë sociale për të bërë sa më efektiv mësimin dhe procesin e aftësimit të nxënësit me metodat e reja të diktuara nga pandemia. Nga ana tjetër, pandemia po shton edhe përgjegjësinë paralele të familjes, shtëpisë dhe prindërve, të cilët janë të detyruar të marrin përsipër akoma më shumë se në të kaluarën, përgjegjsinë e shkollimit dhe edukimit të fëmijëve të tyre.
Kjo përgjegjësi e shtuar vjen nga “deficiti edukativ”, që po krijohet nga distancimi hapësinor dhe kontakti fizik I fëmijëve me me një strukturë të tillë fondamentale edukuese, sikurse është shkolla. Këto janë tipare të një procesi edukimi të cilit pandemia i ka dhënë një shtytje të re, duke e larguar disi mësuesin nga “përgjegjësia eduktaive”, për shkak të distancës së krijuar me shkollën, si strukturë formale përgjegjëse e edukimit, duke afirmuar në të njëjtën kohë të vërtetën universale, që me sa duket procesi mësimit dhe edukimit, do të bëhet akoma më i hapur, më pak institucional dhe më shumë liberal.
Sidoqoftë një gjë është plotësisht e qartë në këto momente. Shkolla është në kohën më të vështirë të saj, e panjohur për zhvillimet në të gjithë historinë e periudhave paqësore. Në këto kushte, ajo kërkon më shumë investim nga mësuesi jo vetëm si mësimdhënës por edhe si terapist, që të ndikojë në plotësimin e boshllëqeve të natyrshme, që krijojnë nxënësit nga kjo përmbysje e lidhjeve dhe marrëdhënieve të tyre me shkollën. Por në se kujdesi për nxënësit në përgjithësi, duhet të jetë më i madh në këto kushte të ndryshuara, ky kujdes duhet të jetë akoma më i shumëfishuar, kur është fjala për raportet on-line apo në distancë të shkollës dhe mësuesve në raport me fëmijët jetimë, të atyre që për shkaqe biologjike apo sociale janë pa kujdesin e duhur familjar e prindëror apo për nxënësit me aftësi ndryshe (të kufizuara), të cilët mund të mbeten jashtë këtij procesi të shkëveprimit shkollë-familje, apo për arsye të tjera, dhe që në mënyrë të padrejtë mund të margjinalizohen nga marrëdhëniet me shkollën, apo të ndihen të diskriminuar në këtë proces për shkaqe materiale, situatës së varfërisë familjare, deficiteve kulturore dhe edukative të familjes së tyre biologjike.
Nuk duhet parë kjo gjë pa kujdesin e duhur apo me mendjelehtësi, në këtë proces të mësimit dhe edukimit, në një masë të konsiderueshme të distancuar nga shkolla, apo të realizuar on-line e përmes përdorimit të zgjeruar të formatit teknologjik. Me siguri që janë shfaqur probleme serioze, që kanë lidhje jo vetëm me shkollën dhe përgjegjësitë e saj, por sidomos me situatën financiare dhe statusin qytetar dhe edukativ të familjes. Faktorë që kanë ndikimin e tyre të qënësishëm, në mundësinë e integrimit normal në këtë proces të “nxënësve të dizantavazhuar”, sidomos nga statusi ekonomik dhe kulturor i familjeve të tyre. Koha po tregon se ky lloj procesi mësimi dhe edukimi në distancë, përvecse është shumë i vështirë për një kategori të caktuar nxënësish, për shkaqe që lidhen me nivelin, formimin, interesin e tyre për mësimin, ka dhe një tjetër të “metë” të madhe.
Ky lloj mësimi është më i kushtueshëm, në shumë raste i papërballueshëm për familje të caktuara, që jetojnë në kushte varfërie apo mbijetojnë me nivelin tejet modest të ndihmës ekonomike. Prandaj është imperative, që këto ndryshime që po ndodhin në marrëdhëniet e reja shkollë-familje, duhen vlerësuar edhe në aspektin e ndikimeve negative që ato mund të kenë në formimin e nxënësve apo studentëve. Ky është obligim i madh social e professional, kusht esencial për integrimin e tyre në jetë…
*Sociolog, Mjeshtër i Madh

SHKARKO APP