Sociologu Gëzim Tushi: Shkolla, “nostalgjia pedagogjike” dhe paradigmat e reja të dijes…
Nga Gëzim Tushi* –
Askush nuk e besonte para shfaqjes së virusit Covid-19, se shkolla, ky institucion polyvalent dhe tradicionalisht me strukturë klasike, i bazuar rregulla të forta, disiplinë formale dhe substanciale, tani nën presionin e pandemisë është e detyruar të reflektojë disa ndryshime, të pakonceptuara më parë për shkollën dhe procesin e mësimit. Sidomos rikonceptimin dhe rindërtimin e marrëdhënieve mësues-nxënës. Në këtë koncept, mbase jo vetëm dhe thjesht nga ndikimi i virusit, struktura dhe funksionimi i shkollës pritet të marrë një karakter më liberal, duke cënuar në mënyrë të detyruar disa nga “shtyllat” pedagogjike apo paradigmat e njohura të transmetimit të dijes kurrikulare.
Në të vërtetë ajo që po ndodh këto me shkollën është logjikisht racionale, sepse shkolla është në një situatë “tensioni në rritje”, nën presionin këmbëngulës të diktuar prej virusit Covid-19. Për pasojë ajo ka nevojë organike, që për të mirën e saj institucionale, por sidomos për rritjen e eficiencës së mësimit dhe edukimit, të bëjë disa ndryshime. Ndoshta edhe ripërkufizime strategjike e formulime taktike nëpërmjet përmirësimit të disa gjërave thelbësore, formave klasike e tradicionale të performancës së saj. Covid-19 e ka vënë shkollën dhe mësuesin përballë një “revolucioni” ndryshimesh të thella konceptuale për shkollën, thelbësore për mënyrat, format dhe metodat e mësimdhënies.
Debati për ndryshimet dhe reflektimet postpandemike të shkollës, duhet thelluar nga ana profesionale dhe njëkohësisht duhet intensifikuar edhe më gjërë duke i dhënë formën e debatit të zgjeruar social. Sepse këto ndryshime nga njëra anë e ndërlikojnë, por edhe e lehtësojnë punën e shkollës dhe mësuesit, por edhe rëndojnë më shumë peshën e përgjegjësisë sociale të aktorëve dhe faktorëve të tjerë jashtëshkollorë, sikurse janë ndikimet komplementare që duhet të vijnë nga familja. Jemi në një situatë kur gjërat duhet të ndryshojnë, sidomos ideja e vjetër e prindërve të cilët “…pëlqejnë normën tradicionale për ta lënë vetëm në dorë të shkollës edukimin e fëmijëve”(Paul Collier). Koha, mësimet dhe pësimet e marra prej pandemisë, tregojnë qartë se familja shqiptare ka nevojë për një “normë revolucionare”, të bazuar në barazi përgjegjësie në bashkëpunimin e saj organik me shkollën.
Megjithatë “pjesa e luanit” në këtë transformim të papritur të “punëve të brendëshme”, përsëri i mbeten shkollës dhe mësuesit. Ata do të duhet t’i përballojnë këto sfida të reja, të panjohura më parë me guxim, dije, vullnet e fleksibilitet psikopedagogjik. Sepse koha pandemike, por mbase edhe ajo që vjen “pas saj”, do të detyroj shkollën dhe mësuesin të përvehtësojnë, besoj për herë të parë në historinë e lashtë dhe të re të shkollës, artin liberal të “mësimdhënies në distancë”.
Gjë që nuk është e lehtë, as për mësuesin dhe pedagogun, as për nxënësin dhe studentin. Largimi nga shkolla, klasa, auditori është një sfidë e gjërë, së pari pedagogjike, sepse duhen gjetur aftësitë profesionale moderne, dhe bashkë me të edhe zotërimi në perfeksion i artit të duhur të mësimdhënies, në mënyrë që edhe në distancë nga nxënësi e studenti, mësuesi dhe pedagogu duhet të mbajnë të gjallë interesin për të mësuar. Sot mund të duken pak paradoksale, por që nesër mund të jenë forma standarte normale të punës në shkollë e jashtë saj.
Situata që po kalon shkolla, tregon se ky “eksperiment i imponuar” nga shkaku i pandemisë, që të ketë sukses dhe që të mos dështojë, duhet shoqëruar me angazhime të shëndosha psiko-pedagogjike të teoricienëve të arsimit, metodistëve, njerëzve më elokuentë të dijes pedagogjike, për të ndihmuar në reformimin e moduleve të rindërtimit të shkollës, përmes aplikimit të mënyrave interaktive të dhënies së mësimit në distancë, jashtë mureve të klasës dhe auditorit.
Por kryesori mbetet sigurimi i lidhjeve empatike dhe formave aktive të bashkëpunimit të mësuesit me nxënësit, i cili duhet të jetë me cdo kusht një lloj bashkëpunimi i suksesshëm midis tyre. Besoj se këto ndryshime që po ndodhin dhe që me siguri do të thellohen, deri në nivelin që të bëhen determinante në punën e shkollës, nuk mund të përdoren për të justifikuar uljen e efektivitetit të mësimit të alternuar, qoftë në shkollë apo në distancë prej saj. Sociologët e arsimit mendojnë, se masat e marra nga ndikimet e pandemisë për ndryshimin e formave të mësimit, nuk e pengojnë mundësinë e të mësuarit për atë që e do mësimin. Sipas tyre ana e “mirë” e pandemisë, është se ajo po ndikon në përforcimin e një “kahu të shkollës” dhe të “mësuarit modern”, sipas të cilit të mësuarit më shumë se në struktura kompakte kolektive sikurse është shkolla, gjithnjë e më shumë do të bëhet një “akt i vullnetit dhe objektivave personale”.
Nuk ka dyshim që nga përmasat e transformimeve që po ndodhin, shkolla, është në procesin e madh të një revolucioni socio-psiko-pegagogjik. Ajo ndodhet përballë kërkesave të “epokës post-covidiane”, bërjes së ndryshimeve të domosdoshme. Qoftë edhe duke prekur disa nga parimet pedagogjike të mësimdhënies, thelbin deontologjik të profesionit të mësuesit dhe pedagogut, duke pranuar konsensualisht si të nevojshme dhe të domosdoshme modulet e reja të mësimit jashtë shkollës apo paralel me të, në ambiente të tjera ku mundësohen lidhjet on-line midis mësuesit dhe nxënësit, pedadogut dhe studentit.
Koha që jetojmë dhe sfidat që po vijnë, na detyrojnë që të kuptojmë imperativat e saj që kanë filluar të shfaqen dukshëm, edhe në institucione të tilla me “traditë konservatore” sikurse është shkolla. Kjo do të thotë që jo me këmbëngulje naive apo besnikëri mediokre, të ngulim “këmbët në ajër”, duke qënë kundër ndryshimeve thelbësore, si kërkesë për ndryshime imperative në përmbajtjen e mësimdhënies dhe format e reja të realizimit në distancë të procesit mësimor. Për të realizuar këtë “revolucion” të ndërlikuar psiko-pedagogjik dhe socio-kulturor në shkollat tona, do të duhen mësues të “rinj” (jo në kuptimin moshor), mendjehapur, të aftë të kuptojnë “tingullin” e kohës, në mënyrë që të reflektojnë ndryshimet që kërkon shkolla sot. Sepse me sa duket, “ritualet klasike” të shkollës, që ka qënë një “mit i paprekshëm” me natyrë komplekse social-pedagogjike, mund të ndryshojnë dhe përmirësohen në përputhje me kërkesat e kohës liberale, natyrës individualiste e personaliste të të mësuarit, dialektikës së ndryshimit të strukturës dhe formave më interaktive të performancës së shkollës, të cilat mbase për rastësi, u desh virusi Covid- 19 që ato të preken në thelbin e tyre dhe të “detyrohen” të ndryshojnë.
Padyshim, këto ndryshime nuk janë të lehta. Ato kanë sjellë marramendje metafizike, konceptuale dhe pedagogjike në strukturën e shkollës, transformime të thella të proceseve që zhvillohen brenda saj. Në këto kushte duhet të binden mësuesit dhe nxënësit, studentët dhe pedagogët, se ndryshimet që po bëhen, transformimet në përmbajtje dhe format e mësimdhënies, nga njëra anë janë të domosdoshme, por nga ana tjetër janë ndryshime që do të shoqërohen me pasoja të dukshme për punën e shkollës. Ato lidhen organikisht me rendimentin e procesit, nivelin e mësimdhënies së mësuesve dhe pedagogëve, efikasitetin e mësimnxënies dhe efektivitetin e përvehtësimit të dijeve, të transmetuara në forma jo aq shumë kompakte, në se e shikojmë me optikën skolareske tradicionale, dhe jo gjithnjë në mënyrë të determinuar në ambientet e “natyrshme” zyrtare të shkollës.
Por janë ca ndryshime që në mënyrë deterministe kërkojnë që të ndodhin, që nuk mund të shmangen me kokëfortësi negativiste, apo me besime të verbëra në mjetet, format dhe mënyrat tradicionale të shkollës dhe procesit të mësimdhënies. Do të ish verbëri e pafalshme, kokëfortësi e kotë në se nuk kuptojmë efektet gjithpërfshirëse të pandemisë në jetën e sotme mësimore, edukative, sociale, shëndetësore të shkollës. Madje dhe përtej tyre. Jemi përballë një “revolucioni” të gjërë konceptual, pedagogjik dhe strukturor me përmasa të mëdha, që sot mbase nuk imagjinohet, në tërë dimensionet hapësinore e kohore të ndryshimeve që do të ndodhin në esencën e sistemit tonë arsimor, në jetën inkrementaliste të ndryshuar në shkollat dhe universitetet tona. Pandemia e këtij shekulli solli një përmbysje të madhe të koncepteve, ideve dhe gjërave thelbësore të jetës personale, sociale dhe institucionale, nga e cila nuk mund të shpëtonte dhe të mos reflektonte edhe shkolla.
Në këto kushte qëndrimet refraktare e konservatore pedagogjike, që nuk reflektojnë në mënyrë adekuate e të kujdeshme nevojën e ndryshimeve, që po ndodhin sot, dhe që do thellohen në të ardhmen, për të mbërritur deri tek mundësia për të patur një shkollë të re, me forma të mësimdhënies dhe metoda të mësimnxënies të ndryshuar, nuk është ajo që kërkohet nga koha që jetojmë.
Në këto kushte është e udhës që mësuesit, pedagogët dhe studentët të fillojnë të përshtaten me legjitimitetin e këtyre ndryshimeve, që do thellohen në të ardhmen në punën e shkollës dhe universitetit. Qëndrimet konservatore, perceptimi dramatik i ndryshimeve, sidomos hutimi, rezistenca pasive apo pengesat e moskuptimit të nevojës, për të pranuar këto ndryshime në sistem, strukturë dhe metodat e mësimdhënies dhe mësimnxënies, do të ishte një situatë paradoksale, shfaqje brutale e “aleancës” të kundërnatyrshme, e bashkimit regresiv dhe mekanikisht, të dëmshëm të efekteve të sëmundjes dhe virusit me një lloj tjetër “pandemie: atë të “nostalgjisë pedagogjike” për shkollën e “tipit klasik”. Këto të gjitha të marra së bashku, jo vetëm që mund ta dëmtojnë por dhe mund ta shkatërrojnë shëndetin, funksionin dhe misionin e ndryshuar të shkollës tonë.
Koha kërkon që shkolla të ndryshojë disa parametra të saj. Sidomos idenë e shkollës të ndërtuar në konceptin holist apo të shikimit të saj si “institucion turme”. Ato ndryshime që po ndodhin në shkollë dhe me shkollën sot, janë sinjale të qarta, të sigurta, për ndryshimet që lidhen organikisht me të ardhmen e saj. Nga pikëpamja e metafizikës pedagogjike dhe sociologjisë së arsimit, në shkollë do të preken (nuk e dimë deri në çfarë mase) forma e vjetër mekaniciste e shkollës, si entitet i ngritur mbi konceptin strukturor të një bashkësie dhe komunitarizmi shkollor të tipit klasik. Një rishikim i koncepteve, bashkë me të edhe ndryshimi i formave, metodave, standarteve të mësimdhënies dhe mësimnxënies, kufizimi i hapësirave interpersonale dhe orareve, zgjerimi i mësimit on-line, bërja e detyrave dhe realizimi kërkesave pedagogjike në distancë, pa kontakt të drejtpërdrejtë fizik e komunikativ mësues-nxënës, etj, janë restriksione që prekin përmbajtjen arsimore dhe thelbin e vjetër të administrimit të shkollës, “gjeometrinë” dhe “algjebrën” e të menduarit të gjërave që zhvillohen brenda dhe jashtë saj.
Prandaj them se ndryshimet që do të ndodhin në shkollë janë të dimensioneve të një “revolucioni” të integruar socio-pedagogjik. Ana formale e këtij “revolucioni” në punën e shkollës, megjithë vështirësitë kalimtare, pengesat materiale, paqartësitë konceptuale, rezistenca arkaike, etj, me siguri që gradualisht do të përmirësohen dhe elementët që e realizojnë këtë proces, strukturalisht, konceptualisht dhe në aspektin socio-pedagogjik, do të kompaktësohen dhe do kenë efektivitetin e duhur. Shqetësim mbetet jo aq shumë mënyra si do të organizohet dhe disiplinohet metodika, struktura pedagogjike e formave të reja të mësimdhënies on-line apo të alternuar, por çfarë duhet bërë për të ndërgjegjësuar anën e brendshme të nxënësve dhe studentëve, për ta kuptuar dhe zbatuar këtë “revolucion pedagogjik”.
I vetmi rrezik, që për mua është thelbësor, i vështirë të realizohet, është rreziku i deformimit të “kohës së brendshme” të nxënësit dhe studentit, dobësimi i lidhjeve emocionale, empatike mësues nxënës, rreziku i shpërdorimit të kohës, hallakatjes, shpërdorimit të energjive të vullnetit sistematik, kollajllëkut nga mungesa e kontrollit kapilar të njohurive, etj. Në këto kushte ajo që kërkohet dhe pritet të ndodhë, është që ndryshimet në strukturën e shkollës, format dinamike të mësimdhënies, kërkojnë që mangësitë e natyrshme të ndryshimeve të kompensohen me forma të tjera, më aktive dhe dinamike të përvehtësimit të njohurive.
Nuk kemi rrugë të tjera. Pandemia ishte një faktor objektiv, që ndikoi seriozisht, duke e bërë të vështirë vazhdimin linear të gjërave të shkollës, për të ecur gjërat e saj ashtu “sikurse kanë qënë”. Dhe më në fund, ideja qarkulluese se reflektimet e pandemisë në sistemin arsimor duhen shtyrë për më vonë, pasi të ajo të kalojë apo deri kur të rregullohen problemet shëndetësore, ekonomike e financiare të shoqërisë, është tërësisht e gabuar. Nuk mund të qëndrojë shkolla në pritje të Godosë!..
*Sociolog, “Mjeshtër i Madh”