Sokol Balla: Gjithë herët e para të rastit “Ksera”

Habia kaloi. Peshku i parë i madh ra në rrjetë. Arrestimi i një ish ministri dje në Tiranë, ia vlen të katalogohet pasi është precedent për shumë arsye.

Kjo është hera e parë që një ish-ministër vendoset në pranga. Zyrtari më i lartë i arrestuar ndonjëherë së fundmi, ka qënë Fatos Nano në korrik 1993. Por profili i lartë politik i tij si kryetar i opozitës dhe shqetësimet ndërkombeëtare në rritje për autoritarizmin e regjimit të Presidentit të kohës Sali Berisha, bënë që procesi të konsiderohej aq politikisht, sa askush përveç gazetarit Edi Paloka që shpërtheu dhe investigoi skandalin e ndihmave italiane, për të cilën më pas u akuzua ish-kryeministri socialist, nuk u mor realisht me këtë çështje. Në fakt të gjithë emrat e përmendur në atë aferë, në një mënyrë ose tjetër u prangosën për afera korruptive në Itali përfshirë edhe ish ministrin e jashtëm socialist Gianni de Michelis. Ndërsa Fatos Nano fitoi në 1997 fillimisht, faljen dhe lirinë, pastaj pafajësinë dhe dëmshpërblimin nga shteti shqiptar, në krye të të cilit ai erdhi, sërish si kryeministër.

Ksera është funksionari i parë që arreston Llalla pas kthimit të tij nga Kroacia, vendi model për mënyrën sesi ndëshkoi korrupsionin dhe shpejtoi kështu rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Llalla ka marrë përvojë në Tiranë dhe jo vetëm për mënyrën sesi funksionoi USKOK-u ose drejtoria speciale kroate që arrestoi dhjetra ministra deputetë, kryetarë bashkish dhe kryeministra, duke spastruar sistemin politik nga korrupsioni. Por kjo është hera e parë që ai zbaton përvojën kroate, sidomos nën presionin e madh, jo aq të opinionit vendas sesa të ndërkombëtarëve dhe… reformës në drejtësi.

Po. Arrestimi i Kserës është efekti i parë i fortë i Reformës në Drejtësi ende ajo pa u miratuar. Krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe debati që e shoqëron kanë një background jo edhe aq të njohur për publikun. Ky organ presupozohet të ketë në fokus pikërisht luftën kundër korrupsionit në nivele të larta zyrtarësh dhe ka mbështetjen ndërkombëtare, edhe për shkak të frustrimit të tyre, sidomos të amerikanëve për punën e pamjaftueshme deri tani të Prokurorisë. Arrestimi i Kserës mund të jetë prova e parë që Llalla dhe faktorët politikë që e mbështesin, kryesisht Meta – siç e bëri edhe mbrëmë tek Zonë e Lirë – se Byroja Kombëtare e Hetimit nuk është e nëvojshme, se Prokuroria mund ta luftojë korrupsionin dhe se kryeprokurorit aktual Llalla, nuk ka pse i ndërpritet mandati, siç parashikon një nga variantet e reformës në drejtësi.

Arrestimi i Kserës nuk mundi të ishte hera e parë e Task Forcës Antikorrupsion, të cilën zoti Llalla e shkriu në fillim të këtij viti, zyrtarisht “për rezultate të dobëta në luftën kundër krimit ekonomik”. Kjo task forcë, kishte patur sponsorizim direct amerikan. Meqë rasti Ksera, është rasti i parë i arrestimit të madh antikorruptiv, supozoj se ka qënë edhe prova e parë indirekte që prokuroria i jep amerikanëve, se nuk ishte faji i saj, por i organeve të tjera që bënin pjesë në këtë task forcë, për dështimin e luftës kundër korrupsionit. Dy ditë para arrestimit të Kserës, nga Korça, zoti Llalla fajësoi indirekt policinë për mos hetim të këtyre rasteve.

Arrestimi i Kserës është rasti i parë i prangosjes së një ish ministry dhe funksionari të një partie politike, nga një kryeprokuror i zgjedhur dhe i votuar prej saj në parlament. Alush Dragoshi që prangosi Nanon në 1993 ishte zgjedhur nga PD. Maks Haxhia, i zgjedhur po nga PD një vit më herët, u shkarkua pikërisht se nuk pranoi të prangoste liderin e opozitës. Ndërsa Llalla në vitin 2012, mori edhe votën e Spiro Kserës, deputetit minoritar të emigruar në radhët e PD dhe ministër i Punës Sociale prej shtatorit 2009. I mori këto poste si shenjë hakmarrjeje ndaj Vangjel Dules, i cili mori PBDNJ dhe e kaloi me Ramën. Ksera u “natyralizua” blu dhe doli deputet i PD në Dropull. Ironikisht ama, burgosja e tij, nuk e lë vendin bosh në PD. Vangjel Dule duket se do të zërë vendin e tij. Do të ishte e dhimbshme ama, të zbulohej se kjo lëvizje drejt PD e Dules bëhej në dijeni të plotë të arrestimit të Kserës, prej krerëve të PD, të cilët në fakt bënë një reagim të thatë dhe formal për ndalimin e ish ministrit. E dhimbshme, por nuk do të ishte hera e parë…

SHKARKO APP