Ilir zgjidh pararojën, JO paranojën!
Nga Sokol Balla.
Reforma në drejtësi testoi në 48 orë jo thjesht mazhorancën qeverisëse, por edhe ekuilibrat shumë delikatë të krerëve të saj, të dëmtuar nga një vit situatash të tensionuara, e që prej shpërthimit publik në marsin e shkuar të aferës Doshi, iu fut një spiraleje nga nuk po del akoma. As mazhoranca, as raporti mes dy krerëve të saj dhe as paranoja e Ilir Metës. Prej një viti atë e bren pyetja nëse Edi Rama ka një plan për eleminimin e tij politik. Njerëzit që i rrijnë afër, në mungesë të dëshirës apo zgjuarsisë, qartazi larg nivelit të kreut të tyre, kanë zgjedhur rrugën më të shkurtër: të bindin atë, se përgjigja është Po. Edi Rama kërkon fundin e Ilir Metës.
Që Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë më dashuri mes tyre dhe se martesa e tyre politike është një martesë “konvenience”, nuk kanë pasur as ata të dy vetë asnjë dyshim që në sekondën e parë kur u riafruan në fund të vitit 2012. Të dy ama ishin të bindur se ishte vendimi i duhur, por kishin problemin e besimit tek njëri-tjetri. Kur më kanë pyetur u jam përgjigjur, se ribashkimi i tyre ishte si ribashkimi i dy të divorcuarve, që ribashkohen jo se duhen, por për të mirën e fëmijëve të përbashkët. Pavarësisht çfarë përfaqëson Rama në PS dhe Meta jashtë saj, të dy bashkë janë krerët e një familjeje të madhe dhe me traditë në politikë, por që fati i keq u solli në derë, që baballarët e radhës të jenë dy vëllezër tipikë shqiptarë, që harrojnë gjakun e përbashkët dhe vriten për një vijë uji. E njëjta gjë po ndodh edhe sot, por për më keq: të dy po mbysin qeverinë, për një pikë ujë.
Prej aferës Doshi e deri tek mesazhet e tabulateve të Ismailajt, në kokën e Ilir Metës është ideja fikse, se po “ia fut” Rama. Deri diku, nuk ka faj. E para, sepse në plan afatgjatë, të dy duan të drejtojnë vetëm të majtën dhe vendin. E dyta, se Tom Doshi ishte deputet i PS, i afërt me Ramën, dhe jo shumë kohë më parë, protagonist në aksionin më të madh, apo atentatin më të madh politik kundër Metës, videon e janarit 2011. Afera CEZ, duket se u promovua jo vetëm nga kanale ndërkombëtare, por edhe nga kanale të administratës shtetërore. Televizioni Klan, dikur totalisht në shërbim të Ilirit, ka prej shtatorit që merret me këtë aferë thuajse çdo javë, dhe kjo koincidon me afrimin e tij me kryeministrin Rama, i cili ka firmosur dy leje ndërtimi për pronarin e tij, të famshmin Frangaj. Synimi? Baltosja e Metës dhe e LSI si formacion politik I korruptuar.
Deri tek Klan, Meta ka të drejtë. Emisioni investigative Stop, në puntatën e parë nxorri zbuluar një kre administrate, emerim i LSI. Ashtu si Fiksi në 2011, për Metën skenari është i qartë: Rama dikur bashkëpunoi me Topin, dhe tani me Klanin, për ta eleminuar politikisht. Analistë dhe lapsaxhinj të afërt me Klan, godasin sistematikisht çdo ditë Metën dhe bëjnë fakt përfshirjen e Ramës në konspiracionin kundër tij, ndërkohë që në emisionin kryesor politik të televizionit, me një temë të përgjithshme të hënën e shkuar, si rrëshqanthi dolën disa mesazhe mes Ismailajt dhe Metës, ndërkohë që prej muajsh ai shantazhohet për një video ku me gjasë feston me disa familjarë të biznesmenit të burgosur të DIA-s. Kjo, bashkëngjitur me distancën që komisioni i reformës në drejtësi mbajti nga LSI (ashtu si edhe ndaj PS, në fakt), bëri që Meta dhe këshilltarët e tij, të shohin një prej krijesave të kësaj reforme, trupës speciale hetimore anti-korrupsion, trupen speciale anti-LSI, duke plotësuar kështu teorinë konspirative të asgjësimit politik me autor Edi Ramën. Por nëse paranoja e Metës është deri diku e sofistikuar, autorët e interesuar janë të tjerë dhe këta mjeshtra me ushqimin e kësaj paranoje, në fakt po realizojnë qëllimin e tyre: asgjësimin. Jo të Metës, por të koalicionit aktual qeverisës.
Këtu nuk i referohem vetëm faktit të ditur të heshtjes së Berishës dhe PD, ndaj denoncimit të gazetarit Hoxha, të këtyre mesazheve me gjasë, sipas tij, kompromentuese të hënën e kaluar. As faktit se zoti Berisha mazhorancës tashmë i ka zëvendesuar Metën me Kokëdhimën. Jo. Unë nisem nga një prezumim i thjeshtë: nëse Rama dashka eleminimin politik të Metës, atëherë më duhet të nis të kërkoj arsyen përse.
Sepse LSI po rritet? Kjo është arsye, por jo sot, por pas një viti e gjysëm. Sot në skenën politike, ka një tjetër betejë. Atë të reformës në drejtësi. E cila kërkon mbi 93 vota. Dhe që Rama t’i arrijë këto vota, i duhet që së paku të ketë të sigurta 87 votat e maxhorancës. Por paranoja që i ushqyen me dinakëri PD dhe KLAN dhe me naivitet servilosës disa nga bashkëpunëtorët e më të ngushtë Metës, kanë bërë që siç tha sot me vërtetësi neveritëse një deputet jeshil i PD në komisionin e posaçëm, “Rama të ketë vetëm 62 deputetë pro kësaj reforme”. Pra, ose do të besojmë se Rama po godet Metën që të rrëzojë reformën që e ka me aq dëshirë për ta kaluar (që do të ishte një absurditet logjik), ose të besojmë atë që është shumë më e thjeshtë: Se Ramës vetëm në këtë moment nuk i intereson të sulmojë Metën, dhe se nuk është ai prapa kësaj loje të ndyrë, të neveritshme, por politikisht normale të opozitës dhe medias pranë interesave të saj, kundër kreut të LSI.
Por paranoja e Metës e ushqyer nga PD dhe klanet e saj, ka sjellë një tjetër efekt të padëshirueshëm për kreun e LSI. Kjo paranojë e ka shtyrë atë të sulmojë reformën në drejtësi, me më shumë zell sesa difektet që realisht drafti i saj ka. Duke ushqyer edhe më shumë, perceptimin se është korrupsioni dhe ndëshkimi i tij, arsyeja përse ai sulmon këtë reformë. E di që do ngjaj jo mirë kur e them këtë për disa, por sado të korruptuar ta shohë opinioni këtë parti të së majtës, ajo nuk është as më shumë dhe as më pak e korruptuar sesa administrata e promovuar nga Partia Socialiste. Përkundrazi, shumë prej zyrtarëve të saj në administratë, duke justifikuar këtë perceptim të LSI si model të bashkëqeverisjes, po vjedhin me katër duart, shumë më tepër sesa kolegët e tyre të bashkëjetesës së majtë. Sa për PD dhe qeverisjen e saj, aty nuk po futem fare, se ata tashmë ende vuajnë ndëshkimin popullor të qershorëve 2013 dhe 2015.
Gjëja që më ka pëlqyer më shumë tek Ilir META në intervistat me të deri në 2015, ka qënë se sa herë e kam provokuar për çështje korruptive të zyrtarëve të tij, më është përgjigjur me konsistencë njëlloj: “Drejtësia të verë në pranga të gjithë të korruptuarit, përfshirë edhe zyrtarët e LSI”. Mendoj që ka qënë mënyra më e mirë për të pastruar atë imazh të dëmtuar personal politik nga ngjarjet e vitit 2011 dhe besoj se ja kishte arritur më së miri. Mendoja se vendosja në pararojë të luftës kundër korrupsionit do ishte mënyra më e mirë për Rilindjen e LSI dhe rezultatet e qershorit 2015 në zgjedhjet lokale më dhanë të drejtë për këtë. Ndaj trishtohem sot kur shoh se LSI dhe kreu i saj, kanë zëvendësuar pararojën me paranojën, duke rënë në grackën e një loje jo edhe aq të sofistikuar politike, që po e shtyn atë gjithnjë e më larg një maxhorance me PS, gjithnjë e më afër situatave të vjetra të viteve 2001-2005. Dhe për më keq, duke vetëpërkeqësuar një imazh me shumë mund të përmirësuar sa i përket perceptimit të korrupsionit, tashmë kur është shtyrë me dinakëri, në ballë të luftës kundër reformës në drejtësi dhe sponsorëve të saj të vërtetë, komunitetit ndërkombëtar. Uroj që shpejt Iliri të reflektojë edhe më thellë, siç edhe ka bërë këto dy ditë. Të zëvendësojë paranojën me pararojën e dikurshme të koalicionit të majtë, misioni i të cilit më duket, se ende nuk ka përfunduar, pavarësisht dështimeve, korrupsionit, rrënimit moral, sa kohë modeli përballë është ende ai mbytës edhe për vetë PD, i Berishës dhe lapsaxhinjve të tij.
(Java)