Sokol Balla: Pesha relative e ambasadorëve

 

Nga Sokol Balla

Në një edicion lajmesh mbrëmë, tre nga pesë lajmet kryesore ishin: Lu për orat e gjyqtarëve, ambasadorët paralajmërojnë PD dhe një tjetër me burgjet, ku ambasadori anglez fliste me një shqipe të çalë – nuk di pse kanë fiksim ta përdorin kur nuk e njohin – dhe ai i OSBE me një shqipe perfekte. Të dy jepnin mend se çfarë duhet të bëjmë me burgjet, kë të fusim, kë mos të fusim. Për fat nuk kanë thënë akoma se ku duhet ta fusim. Por besoj nuk është larg edhe ajo ditë, kur do na thonë me kë mund të rrimë, me kë pimë kafe e më kë hamë dreka. Në fakt unë jam nga ata që rri, ha pi me kë më do qejfi dhe si ma kërkon puna dhe si i tillë më duket frymëmarrëse sjellja e këtyre diplomatëve.

Për shembull me Uithers nuk kam ngrënë kurrë një drekë kokë më kokë, por Arvizut i kishte përcjellë përshtypjet se isha miku i tij më i mirë. Sigurisht kemi ndarë shumë mendime dhe përplasur ide, por të jesh mik, është diçka shumë më e madhe. Arvizun po, mund të thuhet e kisha mik megjithëse e kritikoja dhe e bëja copë publikisht. Por meqë e kam mik, nuk ia mora shumë për të madhe kur erdhi në emision tek mua për t’u ankuar se nuk ja varte Holta Gixhari. Zotin Lu e kam takuar dy herë, njëherë në rezidencën e tij, ku ai u fiksua me këpucët e mia bojëkafe dhe një herë në zyrat tona, kur erdhi ditën që unë kisha intervistën me Tom Doshin. Jam i sigurt që nuk i mungojmë njëri tjetrit kur ai po mbush një vit në Tiranë. Por nëse do ta takoja do t’I bëja vetëm një pyetje në privat dhe ato do ia lija edhe përgjigjen nëse do kishte: çfarë do bënte nëse reforma në drejtësi nuk do të kalonte? Do jepte dorëheqjen, do varte Saliun, Lulin apo Ilirin në mes të sheshit? Apo do t’i fshinte me shami Ramës e Xhafës lotët e krokodilit? Ka shumë mundësi asnjë nga këto. Sepse në fakt prej shumë vitesh ambasadorët e huaj në Shqipëri, kanë marrë një peshë relative, dhe gjithnjë në trend drejt zbehjes.

Ata nuk shihen më si perëndi, jo më nga shqiptarët, por as nga politikanët. Dhe merita kryesore i takon për mirë dhe për keq Sali Berishës. Një ambasador gjerman më thoshte dikur në një drekë shumë vite më parë, se ai dinte çfarë ishte Saliu, porse ua mbyllte gojën se u jepte çfarë i kërkonin në emër të shtetit të tyre.

Më kujtohet Mariza Lino e cila thuhet se në 14 shtator 1998 kërcënoi Saliun të tërhiqej nga puçi ose do sillte helikopterët. Të paktën kështu thoshte korrieri i saj i ndjeri Godo se i kishte thënë Saliut atë ditë në nxehtë. Në 2001 ndoshta është akti i fundit i ndërhyrjes direkte thuajse ushtarake të një ambasadori, kur i ndjeri Limpreht mbështeti Gjykatën Kushtetuese kur ajo ktheu mbrapsht dhe i ndryshoi pronar, mbi 40 mandateve të deputetëve të sapo dalë nga zgjedhjet. Por më vonë, me ardhjen e Berishës gjërat ndryshuan. Nëntë muaj pas zgjedhjeve të korrikut 2005, amerikanët nuk i çuan Saliut asnjë telegram urimi për fitoren, përfunduan në mbështetësit e tij më të mëdhenj deri në 2012, por fatkeqesisht nuk i dhanë atij dot mandatin e tretë. Sepse ashtu si në 2005, fituesin e përcaktuan votuesit shqiptarë. Ashtu si në 2013 kur ishin shqiptarët dhe jo të huajt që zgjodhën Edi Ramën, njeriun tekanjoz dhe rebel, që amerikanët e bënë për ujë të ftohtë dhe e futën në frigorifer pas 21 janarit, a thua se katër vetët i vrau ai, dhe jo “burri I shtetit” në mes të Bulevardit.

Gjithsesi liberalizimi i vizave, ose çlirimi nga vizat, çliroi shqiptarët nga shumë komplekse ndaj të huajve, përfshirë edhe atë të rradhëve në ambasada dhe servilosjes së pështirë ndaj ambasadorëve të huaj.

Sot, publikisht dhe privatisht politikanë të së majtës dhe të së djathtës, përjashto profesorët e kompleksuar të marksizmit që ende mbijetojnë aty këtu në parlament nga të dyja anët e sallës, të flasin me bezdi për prezencën e kudondodhshme dhe te ububushme të këtyre diplomatëve, që kanë mbetur vetëm të na përcaktojnë çmimin e specit tek tregu i fruta perimeve, dhe që nuk kuptojnë asgjë e janë bërë pa e kuptuar hiç, pjesë e lojës së përdorimit të politikanëve shqiptarë.

Më vjen të qesh me numrin dy të OSBE në Tiranë, të cilit i mungon vetëm një çadër e gjatë edhe në ditë më diell, për të përmbyllur profilin tij grotesk, kur e shoh në krah të kreut të kuvendit, sa herë ky i fundit dëshpërimisht kërkon të duket sikur të huajt vdesin për të. Lu është kthyer në trembësin e PS ndaj gjyqtarëve por ai nuk gëzon as hiret e Vlahutin të cilat na bëjnë ta durojmë zonjën kroate të gjitha herët që del në ekran dhe nuk thotë asgjë. Më vjen të qesh kur mendoj ambasadorin gjerman të cilit duhet t’I vijë plasja kur dëgjon Doktorin ta përqeshë, por më shumë nga marazi, se në fakt nuk ka se çfarë t’i bëjë atij asgjë.

Doktori në fakt i ka të vjetra këto punë. Që në verën e largët të vitit 1996 kur Tritanit të trembur që i erdhi në zyrë dhe e pyeti përse e përzuri zyrtarin e famshëm amerikan Shifter, iu përgjigj me fjalitë lapidare: “Tritan, Arafatin e qujtën 30 vjet terrorist, por ja ku është sot, se e zgjedh populli I vet”.

Me kosto të lartë për vendin, dhe jo për veten e tij, Saliu në fakt na ka nxjerrë disa mësime që në vlerë absolute vlejnë shumë. Përtej pushtetit, parave dhe lojërave të tjera, ne e duam këtë vend më shumë sesa të huajt. Ndoshta dhe ata e duan këtë vend, por dashuria shumë shumë u zgjat tre vjet. Pastaj ikin e na harrojnë. Ndoshta  mirë është ta kuptojnë që e dimë këtë, dhe nuk kemi turp e frikë t’ua themi.

Ndaj reforma në drejtësi kalon s’kalon, është punë dhe prioritet i shqiptarëve. Ndaj burgjet do zbrasen apo mbushen, si do vendosin shqiptarët. Ndaj nesër PD do bëjë protestën e saj dhe nuk do t’ua vari shumë kërcënimeve të kryediplomatëve. Pasi pasardhësit e tyre pas pak vitesh do të shtrëngojnë duart e buzeqeshin para kamerave sikur s’ka ndodhur asgjë, me kryeministrin e radhës që do dali nga Selia Blu.

Thjesht atë ditë do na vijë për të vjellë ose do buzëqeshim, në varësi të motit të ditës, dhe të rritjes së GDP-së.

SHKARKO APP