Sokol Balla:Tre pikët që na duhen sot

 

 

Nga Sokol Balla

Një vit më parë në CROWN PLAZA hotel në Beograd zhvilloheshin dy skena paralele dhe krejt të kundërta. Një grup tifozësh dhe gazetarësh shqiptarë, mes të cilëve edhe unë, pas një bllokimi mbi tre orë në aeroportin Nikola Tesla dhe ndërhyrjeve direkte të kryeministrit Rama, të thirrjes së ambasadorit serb Zariç  nga ministri Ditmir Bushati dhe paaftësisë dhe zbythjes së ambasadorit tonë në Beograd, i cili shihte me përulje nga policët serbë, më në fund nën eskortë policie, ju drejtuam hotelit ku rrinte Kombëtarja.

Por 100 metra larg hyrjes së hotelit, autobusi u ndal. Një kryepolic urdhëroi në serbisht që të dilnim një e nga një, me duart prapa kokës dhe të na hapnin bagazhet e zhvishnin rrobat secilit.

Sigurisht kjo nuk ndodhi, pas një dialogu të ashpër me kryepolicin, zhvilluar gjysëm serbisht, gjysëm anglisht dhe gjysëm shqip. Pasi kryepolici ishte serb nga Kosova. Me siguri mendoi se i kishte ardhur rasti të përsëriste sadopak ato që kishte bërë atje para vitit 1999. Ky pa frikë, mund të thuhet se është serb që në rrethana të tjera meriton plumbin. Sigurisht sot, ai meriton vetëm përbuzje dhe tallje. Ato që realisht i mori që atë natë, ai dhe disa kolegë të tij.

Ama disa kolegë të tij, ata që lejuan Ivanin e tmerrshëm të hynte në fushë dhe dhunonte me bandën e tij lojtarët tanë, meritojnë burgun. Vetë Ivani, meriton plumbin, por siç thotë Bujar Kapexhiu “do ishte një plumb i shkuar dëm”.

Kur hymë në hotel, në barin e tij ishte bërë një tavolinë nacionalisht e çuditshme, por shumë e bukur. Lojtarë të kombëtares serbe dhe shqiptare, që luajnë bashkë në skuadra europiane, plus dy kapitenët e kombëtareve. Një kafe e shpejtë. Para ndeshjes. Informale, por në përpjekje për të zbutur paraprakisht tensionet e një ndeshjeje historike. Ata serbë që ishin aty, shpesh i kemi admiruar për talentin e tyre dhe klasin botëror si futbollistë të Chelsea, Manchester City apo Lazio. Dhe ata e meritojnë respektin si futbollistë. Disa prej tyre në atë tavolinë meritojnë respect edhe sepse të paktën nuk u përfshinë ne kasaphanën e kolegëve të tyre serbë të stolit, që vinin kryesisht nga kampionati vendas, e që tentuan, dhe e them pa hezitim të vrisnin fizikisht futbollistët tanë.

Sot lexova letrën e Vuçiç që ishte mërzitur shumë nga guriçka e një tarallaku adoleshent shqiptar, një akt që Sajmir Tahiri e kishte marrë aq seriozisht sa e kishte shpallur në kërkim?! Për Vuçiç ndjeva keqardhje. I shkreti mes çfarë populli i takon të punojë.

Serbët janë fqinjë dhe si të tillë nuk i zgjedh dot. Aq më tepër kur vijnë të shumtë në numër dhe zënë tokat e tua. Fillimisht do vritesh, pastaj do t’i kundërshtosh. Pastaj do tentosh të negociosh dhe në fund do t’i pranosh siç janë, nëse nuk vendos të largohesh e t’u japësh vendin tënd. Por edhe nëse qëndron, ka gjithmonë rrezik të përballesh me fqinjin mistrec dhe katunar, edhe për një vijë ujë, apo për drejtimin e hijes së degëve të pemës.

Por kjo është jeta. Dhe vjen një ditë, që nga fqinji të vjen ftesa për martesën e të birit dhe ti je në dilemën, t’ja “dhjesësh” e mos shkosh, apo të vesh maskën, të veshësh rrobat më të mira e t’i shkosh në dasëm me dhuratën me të bukur të mbrëmjes.

Unë jam për këtë të dytën. Sot do shkoj në Elbasan Arena, i veshur me bluzën me flamurin më të bukur në botë, po s’ma hoqën çunat e Sajmirit, do hesht kur të këndohet himni serb, do ulëras mesa kam në kokë kur të vijë fjalia e himnit tim “… nga lufta veç ai largohet, që është lindur tradhëtor”, do shikoj një ndeshje futbolli, do gëzohem fort nëse marrim tre pikët që na çojnë në Francën, apo hidhërohem me krenari nëse humbim. Por as do shaj, as do dieg makina e dyqane shqiptare por do t’i kthej prapanicën të shkuarës me fqinj tim mistrec dhe katunar serb. Qoftë atij që meriton plumbin, përbuzjen, talljen, keqardhjen apo respektin tim. E shkuara nuk harrohet. Ai do mbetet një fqinj, katunar, mistrec dhe serb. Por unë jam shqiptar, qytetar dhe zemërgjerë. Nuk fal, por nuk marr hak. Nuk harroj por shoh përpara. Humbas por nuk qurravitem. Se kam akoma edhe një ndeshje me Armeninë. Se kjo është e vetmja betejë që nuk kemi fituar.

Fqinji im ka vetëm shpresën që unë t’i prish dasmën sonte, që të thotë: “Ja, e shikon që e meritonit t’ju vrisnim, t’ju digjnim, t’ju merrnim tokat?”

Kurse unë dua fitoren e tre pikëve dreqi e mori. Dua që fqinjit tim mendjemadh t’i tregoj se tashmë edhe në futboll, jemi më mirë se ata. Se simbolikisht, ashtu si në Europë, edhe në Europian, e merituam të shkojmë para tyre.

Këto janë tre pikët që na duhen sot.

SHKARKO APP