Sondazhi i Zaloshnjës: Bien PS e LSI, ngrihet PD

Nga Eduard Zaloshnja

Nga një sondazh kombëtar që kam zhvilluar ditët e fundit, rezulton se, në qoftë se zhvillohen sot zgjedhjet parlamentare:

Rreth 390 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (18%) janë të vendosur të mos marrin pjesë në votim. (Në zgjedhjet e 2013-ës, rreth 470 mijë të tillë nuk morrën pjesë në votim.)

Rreth 175 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (8%) janë të pavendosur. (Shumica e të pavendosurve janë njerëz që votuan “të majtën” në zgjedhjet e 2013-ës.)

Rreth 640 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (30%) votojnë për PS-në. (Në zgjedhjet e 2013-ës, PS-ja mori rreth 715 mijë vota.)

Rreth 620 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (29%) votojnë për PD-në. (Në zgjedhjet e 2013-ës, PD-ja mori rreth 530 mijë vota.)

Rreth 175 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (8%) votojnë për LSI-në. (Në zgjedhjet e 2013-ës, LSI-ja mori rreth 180 mijë vota.)

 Rreth 85 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (4%) votojnë për partitë e vogla si PDIU, PBDNJ, FRD, PSD, PDK etj. (Në zgjedhjet e 2013-ës, partitë e vogla morën rreth 270 mijë vota gjithsej.)

 Rreth 70 mijë zgjedhës banues në Shqipëri (3%) do të votonin sot për partinë që pritet të krijojë Gjergj Bojaxhiu (Në zgjedhjet e 2013-ës, rreth 1/3 e përkrahësve të Bojaxhiut ka votuar për partitë “e majta”, rreth 1/3 për partitë “e djathta” dhe rreth 1/3 nuk morrën pjesë në votim.)

Nga sondazhi rezulton se partitë e vogla do të merrnin sot shumë më pak vota në zgjedhje parlamentare, në krahasim me 2013-ën (rreth 185 mijë vota më pak). PD-ja duket se është përfituesja më e madhe nga kjo firo e partive të vogla.

Me sistemin aktual elektoral, secilës prej dy partive më të mëdha do t’i duhet të bëjë koalicion me LSI-në për të krijuar qeverinë, në qoftë se zgjedhjet zhvillohen sot. Në një sistem proporcional kombëtar me prim, nevoja për koalicion do të kushtëzohej nga madhësia e primit dhe nga niveli i pragut elektoral.

Shënim: Anketimi u krye me telefon/celular me 1000 banorë të Shqipërisë në moshë për votim. Kamapioni u balancua politikisht, gjeografikisht dhe demografikisht, për të përfaqësuar sa më realisht elektoratin shqiptar. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor për këtë kampion ishte plus/minus 3.2%.

SHKARKO APP