Sondazhi/Aleanca PD-LSI-LIBRA-PDIU kalon Edi Ramën në opozitë
Del sondazhi i parë për zgjedhjet
PD merr 36% të votave duke u rritur me 6% ndërsa LSI shkon në 12% të votave duke pësuar rritje me 1.5%. Forcë e katërt renditet LIBRA me 2.3% të votave duke siguruar edhe përfaqësim në parlament. Por PDIU ka vota në tre rajone çka del me deputetë.
Duke u hedhur një sy shifrave menjëherë shtrohet pyetja: Kush do të bëjë qeverinë pas këtyre zgjedhjeve?
Kryeministri Edi Rama ka dalë në fushatë duke kërkuar votat për të bërë i vetëm qeverinë me argumentin se “PS duhet të ketë e vetme timonin dhe të mos mbajë asnjë në prehër”. Kjo e ka vënë përballë të gjitha partive të tjera të cilat të gjitha së bashku bëjnë mbi 50% te votave.
Armiqësimin e parë e ka pasur me LSI-në e cila u thellua pas marrëveshjes Rama-Basha. Partia e Ilir Metës e konsideroi “thikë pas shpine” vendimin për të mos garuar në koalicione duke i hequr kësaj force disa mandate.
Megjithëse në korridoret e politikës flitet për një marrëveshje bashkëqeverisjeje PS-PD pas zgjedhjeve, rritja me 6% e Partisë Demokratike në krahasim me vitin 2013, që në sondazhin e parë, kur fushata nuk është nxehur ende, mund të ndryshojë kursin e Lulzim Bashës. Në vend që të bashkëqeverisë me Edi Ramën duke mbajtur përsipër sulmet që do të ketë nga jashtë dhe brenda partisë ai mund të zgjedhë një koalicion me LSI-në. “Kimia” mes këtyre dy forcave është vërtetuar disa herë edhe në 4 vitet e qeverisjes Rama-Meta. Kujtoni këtu marrëdhënien e veçantë Meta-Berisha dhe aleancën gjatë miratimit të reformës në drejtësi apo dhe gjatë negociatave për dalje nga kriza politike.
Ilir Meta President dhe Lulzim Basha kryeministër mund të jetë një ndarje pushteti që kënaq të dyja palët dhe lë “armikun e përbashkët” Edi Rama në opozitë. Këtyre dy partive mund tu nevojitet edhe ndonjë mandat nga parti të tjera të vogla si LIBRA që gjithashtu është shprehur e hapur për koalicione pas zgjedhjeve.
Një skenar i tillë nuk është dhe aq fantazi. Ai u aplikua në Maqedoni ku VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit i fitoi zgjedhjet, por qeverinë e bënë të gjitha partitë e tjera.