Sondazhi/Nëse LSI del më vete, PS, PDIU, FRD nuk sigurojnë 71 mandate
Nga Eduard Zaloshnja
Në fillim të janarit zhvillova një sondazh kombëtar, të publikuar në revistën Folloë Business Albania. Të njëjtin kampion të atij sondazhi e rianketova përsëri këto ditë, duke riformuluar pyetjen rreth preferencës së votës. 1000 të anketuarit u ripyetën se për cilën parti do të votonin sot, në qoftë se LSI-ja do të garonte më vete, e shkëputur nga koalicioni mazhoritar.
Përgjigjet e baterisë së pyetjeve rreth preferencës aktuale elektorale, votimit të 2013-ës, ekonomisë, rendit publik, energjetikës, urbanistikës, arsimit, shëndetësisë etj. u përdorën për të bërë projeksionin e votave (në rast se zgjedhjet do të zhvilloheshin sot). Një përmbledhje e këtyre projeksioneve është paraqitur në grafikun shoqërues.
Për të bërë projeksionin e mandateve, duhen zhvilluar 12 sondazhe të veçanta lokale (nga një për secilin qark). Sidoqoftë, ky sondazh kombëtar tregon që, nëse LSI-ja garon më vete, marrja e 71 mandateve nga koalicioni mazhoritar nuk do të jetë e sigurtë.
Kështu, PS+PDIU+FRD+Etj. do të merrnin sot së bashku 48% të votave në rang vendi (marzhi i gabimit statisikor plus/minus 3.2%). Ndërkohë, PD+PBDNJ+PAA+PR+Etj. do të merrnin së bashku 38% (marzhi i gabimit statisikor plus/minus 2.7%), LSI do të merrte 11.5% (marzhi i gabimit statisikor plus/minus 1.5%), dhe LIBRA+Sfida do të merrnin 2.5% (marzhi i gabimit statisikor plus/minus 0.5%).
Shënim:
1 – Në vitin 2009, kur LSI-ja dhe LZHK-ja garuan në koalicione të vogla, të shkëputura nga dy koalicionet e mëdha, koalicioni i udhëhequr nga Berisha siguroi 70 mandate, me vetëm 47% të votave në rang vendi.
2 – Në llogaritjet e mësipërme, është presupozuar se FRD-ja do të jetë pjesë e koalicionit mazhoritar. Aktualisht, FRD-ja merr rreth 0.5% të votave në rang kombëtar.