Sonila Meço: Mirëmëngjes Shqipëri, si u gdhive?
Nga Sonila Meço –
Nuk pati as një artikulim të qartë e as një qëllim të fundëm, sipas publikut.
Nuk kish mjaftueshëm pjesëmarrje, sipas portaleve dhe ngazëllimit të pushtetit.
Të dyja mund te jenë të vërteta dhe sa më shumë të gjykohet me mendje të kthjellët e pandikuar, aq më mirë është për shëndetin tonë emocional (se mirëqënia e morëm vesh, që nuk na ndryshon sido që të shkojë rezultati).
Por nuk është as problem qëllimi të fundëm e as numrash. Asfare. Protesta me shumë më tepër pjesëmarrje në shumë raste nuk kanë sjellë asnjë rezultat; qëllimet kanë qenë të artikuluara qartë e prerë e sërish protesta është braktisur nga vetë organizatorët e saj.
Nesër në mëngjes, pas trishtimit të disave sot e ngazëllimit të të tjerëve për dështimin e një proteste, do gdhihemi po me të njëjtat probleme e halle, po me të njëjtin maraz e pamundësi, me skandalin e radhës majtas a djathtas a pingul, duke mbushur rrjetin me opinione pas një profili. Dhe do themi sërish se, pse nuk ngrihemi të shkretën, pse jemi atrofizuar kaq rëndë, pse na ka shushatur frika e jemi paqtuar kaq pa rezistencë me të keqen.
Por edhe ata që gëzojnë sot për dështimin e një proteste do hanë veten me dhëmbë nesër kur mos t’ia dalin dot se kanë kontribuuar me shumë zell në ngordhjen e nervit reagues. Por edhe të zhgënjyerit do mësojnë se protesta të këtij lloji nuk bëjnë më punë. Kur të zgjohemi nesër e të ketë mbaruar spektakli i krekosje-zhgënjimit, do kuptojmë se s’na e ka fajin as njëri lider e as tjetri për sa kohë ua lëmë atyre në dorë organizimin. As aktivistë, as shoqëri civile, as motivim komunitar e as ngacmim personal për të dalë edhe të vetëm në protestë. Për t’ia prishur terezinë si atij, që e përqesh protestën, si atij që e dështon. Ose në fund të ditës të shpallim protestën si refuzim mbarëkombëtar, kësisoj shmangim zhgënjimet e krekosjet, duke zhbërë pritshmëritë.
Flasim nesër sërish, kur të jemi rikthyer në hallin vetjak, që po bëhet dita-ditës kolektiv. E si paradoks gjithnjë e më pak përbashkues në reagim. E si edhe më paradoks, ua lëmë në dorë reagimin atyre që na e shkaktuan.
Mirmëngjes Shqipëri, si u gdhive?