Sot dita e Presidentit!
Nga Afrim Krasniqi
Dita e Presidentit (Presidents’ Day)? Shqipëria nuk ka ditë, shumica e vendeve europiane nuk kanë ditë të tillë. SHBA po, e hëna e tretë e muajit shkurt. Lidhet me ditëlindjen e ish-Presidentit G.Washington. Presidentët amerikane votohen në nëntor, zgjidhen nga Kolegji në dhjetor dhe marrin detyrën në javën e tretë të muajit janar.
Shqipëria? Ne kemi një datë “unifikuese” për Presidentin: 24 korrik. Presidenti Meidani, Presidenti Moisiu, Presidenti Topi, Presidenti Nishani dhe aktualisht Presidenti Begaj janë betuar me 24 korrik. Nisi më 1997 dhe vijoi si praktikë, – ndërkohë që ceremonia e parë normale e zyrtare e kalimit të detyrës u bë me 24 korrik 2002.
Presidenti në hierarkinë tonë shtetërore është kryetar shteti, ka kompetenca kryesisht përfaqësuese dhe koordinuese, si dhe përgjegjësia e tij kryesore është përfaqësimi i shtetit dhe i unitetit të popullit. Mandati i tij është 5 vjet me të drejtë rizgjedhjeje. I vetmi i rizgjedhur ishte SB (1997) por dha dorëheqje katër muaj më vonë, dorëheqja e dytë pas RA (1991). Ne kemi pasur vetëm një President konsensual, por pas ndryshimeve kushtetuese 2008 zgjedhje është vendimmarrje e mazhorancës: në mënyrë paradoksale, një institucion honorifik si Avokati i Popullit zgjidhet me 84 vota, kurse Kryetari i Shtetit me 71 vota! Shqipëria (ndryshe nga Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, Rumania, Serbia, etj), zgjodhi që më 1991 modelin e zgjedhjes nga parlamenti. Rama në opozitë e Berisha në opozitë patën premtuar zgjedhje direkt nga qytetarët, por në Shqipëri premtimet politike nuk bëhen për tu mbajtur!
Në Shqipëri mungojnë botimet e referuesshme mbi Presidentin, historinë politike, vendimmarrjet, aktet dhe ndikimet në sistemet politike/qeverisjen e vendit, – unë kam publikuar dy studime të pjesshme modeste (https://works.hcommons.org/records/zng7b-y3h33) dhe (https://isp.com.al/zgjedhja-e-presidentit-historia-problematikat-dhe-skenare-te-mundshem/). Mungon gjithashtu një sistem vlerësimi mbi bilancin dhe rolin e institucionit. Sondazhet gjithnjë i japin Presidentit më shumë mbështetje sesa parlamentit dhe partive, gjithsesi këto të fundit kanë monopolin e pushtetit.
Thelbi? Një vend që ka në mentalitet e kulturë politike vetëm kujtimin e Sekretarit të Parë të KQ (i pushtetshmi që qeveris/kryeministri kryetar partie në pozitat aktuale kushtetuese) e ka të vështirë të kuptojë, pranojë dhe respektojë parimin e ndarjes dhe balancës së pushteteve, të njohë kompetencat dhe të ushtrojë llogaridhënie, si dhe të krijojë kulturë shtetërore dhe memorie institucionale.
Nga ana tjetër, nga 1998, sidomos pas 2008, kompetencat e Presidentit janë reduktuar ndjeshëm në funksion të rritjes së kompetencave të kryeministrit, (i fundit, ligji mbi dekoratat, kompetencë klasike e kryetarit të shtetit që u kufizua me ligj nga ekzekutivi), – tregues se Shqipëria vijon të jetë një vend në tranzicion dhe nivel ende minimal të maturisë politike/institucionale/demokratike.
KOHA JONË SONDAZH

