Sot ditëlindja/Teodor Keko, i gjallë mes kujtimeve të miqve

Nga Ben Andoni

Ashtu si në jetë, ai e ka ruajtur ekzistencën e tij që të jetë e qetë dhe e patrazuar nga të shpeshtët. Por, tashmë këtë veprim e bën me një ndryshim, sepse nuk është më pranë vdekatarëve të zakonshëm, por në Amëshim. Një rrugë, që ai e kishte përgatitur me qetësi që në gjallje, sepse e dinte “kohën e pasosun”, që e priste. Teodor Keko, publicisti dhe shkrimtari i njohur, nëse do të ishte gjallë, do të festonte ditëlindjen e tij të 58­të. Një mungesë, që nuk është zëvendësuar, por që bëhet e dhimbshme për shkak të fatit jo të mirë të tij dhe ndarjes parakohe nga jeta. Por, ajo që mungon dhe që njerëzit i kthehen spontanisht figurës së Kekos, është fakti që ai e ka privuar kryeqytetin nga një qytetar i vërtetë. Nga një, prej atyre, që Tiranës i mungojnë shumë në ditët tona. Në të gjallë, ai i fali kryeqytetit shumë jetë, përmes artit të tij, që dora­dorës u bë më i spikatur dhe shoqërisë së tij urbane. Për gazetarët, ai ka lënë një vend bosh, për sa i përket trajtimit të problemeve dhe mprehtësisë së penës. Për politikanët, mbeti një fshikullues i pashpirt i mediokritetit.

Ja si i përgjigjet ai, një lexuesi të “Korrierit” më 19 maj të vitit 2001:”Nisur nga përvoja ime, dhe si deputet, pra si ish­premtues edhe si votues, do t’iu rekomandoja të dëgjonit me shumë kujdes liderat politikë, natyrisht, nëse nuk e keni ndarë mendjen të votoni për partinë tuaj e jo për individin. Po, mos kini paragjykime, mund të orientoheni pak a shumë saktë, se në cilën anë qëndron më e mira për mbarë shoqërinë shqiptare. Mirëpo duke e ditur se ne e kemi të vështirë të ndahemi nga paragjykimet…”. Përballë tij qëndroi një botë me paragjykime dhe që ai u mundua ta luftonte sipas mënyrës së tij, me talljen dhe me indiferencën treguese. Për të mos shënuar penën, aleatin, ku ai, u strehua gjatë dhe ku u shpreh për të gjithë ato që ndiente, për të gjithë ai ka hapur një shteg pastërtie, ku mund të kalojnë, ata që e mbajnë veten realisht si të papërlyer.

Teodor Keko u lind në 2 Shtator të vitit 1958 dhe u nda nga jeta më 20 Gusht të vitit 2002. Ai ishte publicist, shkrimtar dhe për dy vjet u zgjodh si deputet në Kuvendin Popullor. Ai e gjeti veten në tregimin e shkurtër, ku ai respektonte shumë tregimtarët e para viteve ’90. Ai ka lënë shumë shkrime dhe botimet ”Lajmëtarja e vdekjeve”, “Made in Albania”, “Prostituta” etj. Shpirti i Kekos ishte mbarsur për të krijuar gjëra të mira dhe që të gjithë i shpresonin dhe i prisnin shumë tek ai. Ai vetë ishte i pari, që kuptoi, se në këtë fushë, ai mund të jepte për të gjithë”. Ja një frazë, nga ai, që tashmë merr një kuptim tjetër: ”Nuk isha politikani klasik. Nuk e gjeja veten aty dhe kjo bëri që të mos hiqja dorë nga zanati im”. E më tej akoma ” Nëse nuk bëhesh prostitutë e pushtetit hyn tek njerëzit normalë dhe një punë e ke”. Për Dorin, mund të flasësh pa fund dhe të kujtohesh mbi të gjitha me respekt për një vend, që kurrkush nuk mund ta zerë dot, …atë të qytetarit të mirë shqiptar.

***Mesnatë. Cigaren e fundit flaka nga ballkoni

dhe harku i zjarrtë në tokë u shua.

Jeta ime le të bjerë kështu,

veç deri ditën e mbrame zjarrin ta ruaj.1992

javanews.al

SHKARKO APP