Sot, vezë dhe patate!
Partia Demokratike paralajmëroi dje se seanca e sotme e Parlamentit nuk do të zhvillohet normalisht. Kreu i selisë blu, Lulzim Basha në mbledhjen me deputetët e opozitës ka përsëritur edhe një herë kushtet për mazhorancën. Sipas tij, kushti kryesor është miratimi i ligjit për dekriminalizimin në Parlament. Ndërsa arsyet e tjera lidhen me moslargimin e Armando Prengës nga Kuvendi dhe rrëzimi i kërkesave nga PS për heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës, Rakip Sulit dhe Valentina Leskajt. Këto arsye, sipas Bashës, e bëjnë të pamundur marrëdhënien normale mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend. “Rama do të përballet me vendosmërinë tonë nesër në Parlament sikundër i jap fjalën që nuk do të shpëtojë dot nga një drejtësi e reformuar, nga një prokurori e reformuar, nga një kapacitet hetues për korrupsion në nivele të larta”,- tha dje Basha pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat.
Vendimin e demokratëve për bllokimin e seancës e ka përforcuar dhe vendimi i Këshillit të Mandateve dhe Rregullores së Kuvendit, i cili vë në dukje se ligji për dekriminalizimin nuk mund të vihet në zbatim me vendime të tjera, por projektvendimet duhet të kthehen në ligje. Kjo është një tjetër arsye, që sipas PD-së e bën të domosdoshëm bllokimin e punimeve të Parlamentit. PD kërkon që ligji të miratohet sa më parë në Kuvend, ndërkohë që me zhvillimet e reja, procesi duket se do të shtyhet edhe disa ditë të tjerë. Në këtë situatë, për demokratët nuk ka zgjidhje tjetër përveç se bllokimin e Kuvendit. Në një prononcim për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka tha se “seanca nuk do të jetë e qetë”. I pyetur se si do të deputetët e djathtë do bllokojnë seancën, Paloka u shpreh se “çdo gjë do të bëhet e ditur në momentin e duhur”.
Por cila është skema që do të zbatojnë sot në Kuvend deputetët e Partisë Demokratike? Zyrtarisht deputetët e PD-së thanë se nuk do të ketë akte dhune. Por bllokimi i seancës nuk mund të bëhet pa patur tensione. Javën e kaluar deputetët e selisë blu përdorën vezë dhe peceta të lagura për të qëlluar mbi Kryeministrin dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar. Sot, burimet të rezervuara nga PD-ja thonë se nëse do të ketë provokime, pra që kryeministri nuk do të pranojë fillimin e projektligjeve për dekriminalizimin, do të ketë reagim më të ashpër në seancë nga deputetët. Vezët janë “arma” më e padëmshme që kanë zgjedhur demokratët deri më dje. Strategjia e re është përdorimi i sendeve më të forta, si patate dhe perime të tjera të forta dhe më të përshtatshme për të gjuajtur.
Garda e Republikës ka marrë masa që ditën e djeshme për seancëne sotme. Deputetët do të kontrollohen në mënyrë më të rreptë se javën e kaluar. Porosi e veçantë është dhënë për deputetët që në seancën e mëparshme ishin më aktivët dhe futën brenda në seancë vezët. Megjithatë edhe për këtë masë të Gardës, nga selia blu janë marrë masat. Ndërkohë që një pjesë e tyre nuk do t’i fshehin me kujdes vezët për t’u dhënë mundësi gardistëve të bllokojnë disa prej tyre dhe të lënë të tjerët të kalojnë. Por thuhet se vezët, patatet e disa sende-objekt goditje janë futur që mbrëmë në barin e seancave plenare. Nuk dihet se si porse drejtuesit e selisë blu thanë se “ i kemi marrë masat!”. Ka dyshime se një punonjës i Gardës i ka futur vezët dhe patatet në sallën e Kuvendit, të cilat do të përdoren sot mbi qeverinë.
Në seancën e kaluar protesta e opozitës solli akte dhune në momentin kur sipas demokratëve pati provokime nga ana e Kryeministri Edi Rama, pavarësisht se PS-ja deklaroi se fajin e kishin deputetët e PD-së. Edhe sot pritet që edhe nëse nuk provokohen nga Kryeministri, do të jenë deputetët e PD-së ata që do provokojnë Kryeministrin ose anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar.
Bllokimi i Kuvendit nga PD bëhet në të njëjtën ditë që në Tiranë do të jetë Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE, Federica Mogherini. Zyrtarja e lartë e BE-së ndodhet në Tiranë për herë të parë dhe vizita e saj ka një rëndësi të veçantë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Nuk dihet cili do të jetë vlerësimi i zyrtares së Brukselit, kur nga njëra anë Kryeministri i kërkon hapjen e negociatave dhe nga ana tjetër, deputetët e opozitës me vezë në dorë bllokojnë Kuvendin dhe kërkojnë largimin nga politika të kriminelëve.
Ministria e Brendshme dhe Garda që mrbëmë vonë kanë rrethuar e kontrollojnë çdo segment të sallës së seancave plenare që të mos krijohen situata si herën e kaluar, ndonëse burime jo zyrtare tregojnë se i është kërkuar kryeministrit Rama që të mos shkojë në sallën e parlamentit,sepse mund të krijohet ndonjë precedent goditje nga deputetët demokratë. Nuk dihet nëse Edi Rama do të hyjë në seancë sot.