Spahiu për dënimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Kjo është vetëm beteja e parë, Apeli mund të ndryshojë vendimin
Analisti dhe juristi Reshnik Spahiu ka komentuar vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, Spahiu e cilësoi vendimin si të pritshëm dhe theksoi se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar. Sipas tij, beteja kryesore do të zhvillohet në Gjykatën e Apelit.
“Kjo është beteja e parë. Të gjithë duhet të ishim të përgatitur edhe për një humbje. Beteja ligjore vijon dhe ka shpresa”, u shpreh Spahiu.
Ai tha se beson se Apeli mund ta ndryshojë vendimin, duke e krahasuar çështjen me atë të gjeneralit kroat Ante Gotovinës, i cili ishte dënuar në shkallën e parë dhe më pas u shpall i pafajshëm në apel.
Spahiu argumentoi gjithashtu se vendimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve politike dhe diplomatike.
Sipas tij, Thaçi është përballur me procese politike të ndërlikuara gjatë viteve të fundit dhe arrestimi i tij ndodhi pak para një udhëtimi të planifikuar në SHBA.
“Kam besim se e drejta do të dominojë mbi presionin politik”, deklaroi Spahiu, duke shtuar se dënimi me 25 vite burg për Thaçin, sipas tij, është një dënim që mund të nënkuptojë kalimin e pjesës tjetër të jetës në burg.
KOHA JONË SONDAZH

