Spartak Ngjela: Hakmarrja e Trump ndaj Vuçiç
Nga Spartak Ngjela –
Marrëveshja Kosovë-Serbi ishte një arritje skematike për pavarësinë e Kosovës, por, politika e presidentit Trump kishte edhe diçka tjetër. Trump-i nuk e fitoi dot njohjen e Kosovës nga Serbia, sepse Vuçiç nuk e pranoi pikën dhjetë të marrëveshjes, ku flitej drejtpërdrejt për njohjen e Kosovës nga Serbia. Por, pasi hoqi këtë pikë, Trump-i e kuptoi se Vuçiç u tremb, dhe, pa e pyetur fare, vendosi vetë dhe deklaroi në prezëncë të presidentit të Serbise se “Serbia do ta kalojë ambasadën e vet në Izrael, nga Telavivi në Jeruzalem”. Dhe ia dha për ta firmosur; dhe Vuçiç e firmosi. Në të njëjtën kohë, brenda marrëveshjes, ishte edhe pika e fundit e saj: njohja e Kosovës nga Izraeli, që krijoi ilaritet ndërkombëtar që në minutën e parë..
Çfarë ishte esencialisht kjo politikë e Trump-it që, pasi trembi Serbinë, e kaloi çështjen te Izraeli, ditën qe pritej të bëhej marrëveshja Kosovë-Serbi?
I.
Në fakt duhet pranuar se në 4 shtator 2020, në Uashington, u luajt një politikë e madhe nga presidenti amerikan Trump. Cila ishte kjo politikë? Politika Trump e 4 shtatorit pati dy aspekte që ai vetë i lidhi me njëri-tjetrin. Aspekti i parë ishte marrëveshja Kosovë – Serbi. Dhe kuptohej që Trump e kishte shumë në favor si akt ndërkombëtar njohjen e Kosovës nga Serbia, në funksion të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Në lidhje me këtë, Uashingtoni, të dy palëve bashkëbiseduese, iu vuri përpara marrëveshjen që duhet të nënshkruehej prej tyre, madje edhe me një forcë të karrakterit politik, duke thënë: “pala që nuk e firmos këtë marrëveshje, do të këtë sanksione amerikane”. Po ta shohësh me vëmendje, të 16 pikat e marrëveshjes së propozuar nga Uashingtoni ishin të gjitha në funksion të njohjes së Kosovës nga Serbia. Aty ishin dhënë 13 miliardë dollarë për investime esenciale: dy autostrada dhe, njëra prej tyre, ishte Prishtinë – Beograd; lidhje hekurudhore Prishtinë-Merdare dhe Nish- Prishtinë; investim i madh në ekonomi, në energjetikë dhe në Liqenin e Ujmanit. Por, të gjitha këto, juridikisht, nuk mund të zbatohen, nëse bie pika dhjetë e marrëveshjes: Njohja e Kosovës nga Serbia. Nëse bie kjo pikë, nuk qëndron asnjë nga pikat e tjera, sepse duhen ngarkesat juridike të dy shteteve të pavaruara, dhe jo e dy shteteve të panjohur juridikisht nga njëri-njetri.
Vuçiç, si serb i trashë me pasion mesjetar që është, i gjithi i përfshirë nga një nerv frike, nuk e pranoi pikën e dhjetë të marrëveshjes, dhe presidenti Trump që kish thënë se “mospranimi i marrëveshjes krijon sanksione amerikane për palën qe s’e firmos”, e pranoi menjëherë heqjen e pikës dhjetë nga marrëveshja, por në çast kaloi në aspektin e dytë të politikës së tij. Në skenë doli Izraeli.
II.
Kjo ka qenë habia e përgjithshme e të gjithë korpusit politikë në Perëndim. Por kjo ishte në fakt substanca e takimit të Uashingtonit, sepse, menjëherë në këto çaste, u deklarua edhe njohja e Kosovës nga shteti i Izraelit, mes deklaratës se kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu. Në të njëjtën kohë, edhe vetë Kosova, me anë të kryeministrit të saj Hoti, deklaroi se ambasada e Kosovës do të jetë në Jeruzalem. E gjithë kjo dha të kuptuar se një rrjedhë tjetër politike doli për presidentin amerikan, por më e rëmdësishmë se vetë marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo, sepse në këtë aspekt të dytë të aktit politik të Uashingtonit, u shfaq një politikë e re në lidhje me çështjen e Izraelit. Por, në të njëjtën kohë, u detyrua Serbia që me dhunë të pranonte botërisht se do ta transferonte ambasadën e saj nga Telavivi në Jeruzalem. Trampi, në këtë rast, e rëndoi Vuçiçin edhe më shumë se me njohjen e Kosovës. Si do të dalë tani Vuçiç përpra politikës ruse? Për politikën ruse, ky akt është shumë i rëndë, sepse të gjithë reaksionin antiperëndimor të arabëve, Rusia ka mëse pesëdhjetë vjet që po e luan, që nga koha e Bashkimit Sovjetik. Gjithçka terroriste anti Perëndim që vjen nga Lindja e Mesme, është dorë e politikës ruse; me pretekstin arab të armiqësisë terribile arabe me shtetin pushtues të Izraelit. Kurse, befas, Serbia, djali i madh i Rusisë, shkon e njeh si kryeqytet të Izraelit, Jeruzalemin; domethënë Serbia, befas, pranoi të ashtuquajturin pushtim të Jeruzalemit nga Izraeli. Por, çfarë pritet të ndodhë me pasojën e këtij akti në politikën ruso-serbe? Asgjë nuk mund të parashikojmë, por një gjë është e sigurt: nëse Vuçiç heq dorë nga deklarata e transferimit të ambasadës së Serbisë në Jeruzalem, atëherë duhet të presë hakmarrjen e Trampit.
Pikërisht këtu gjithçka kthehet në një motiv qesharak: terrorizmi serb dhe gjendja e tij në majë të shkatërrimit, do të merrte një goditje ruse. Prandaj pritet që Vuçiç të heqë dorë nga akti i tij Jeruzalem. Për politikën Ruse, Kosova as që mund të krahasohet me çështjen arabe të mbrojtur prej saj me fanatizëm politik, që ata e luajnë si armiq për vdekje të Perëndimit. Po presidenti amerikan Trump, çfarë do të bëjë? E thamë më lart: ai do të hakmerret.
Por, këtë duhet ta presim pasi politika qorre serbe të marrë vendimin e tërheqjes së saj nga Jerusalemi. Dhe kjo do te jetë një komedi makabër që iu ndodh vetëm shteteve agresivë që jetojnë me territore të pushtuar. Ndërsa, Kosova dhe vetë Shqipëria, do ta ketë në favor historik këtë rrjedhë politike që do të vijë. Por, a janë në gjendje lidershipet politikë të dy shteteve shqiptare në Ballkan që ta luajnë këtë politikë në favor të shqiptarëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor?