Spartak Ngjela: Rama duhet të ndahet nga Meta

 

Nga Spartak Ngjela

Politika shqiptare sot është tërësisht në krizë. Dhe kjo krizë nuk është ajo që thotë Saliu apo opozita, por është e tjetërllojshme dhe shumë më e thellë. Kriza jonë është në menaxhim. Dhe kjo qeveri dhe ky kryeministër e treguan se nuk e menaxhojne dot krizën e politikës shqiptarë. Rama mendoi se, sapo të vinte ai si kryeministër, populli do të gëzohej dhe tokat do të prodhonin bollëk, kurse ai do të gjente para ndihmash apo investimesh; dhe gjithçka do të lindte nga e para. Naivitet. Kriza ishte dhe është shumë e thellë: ajo ka të bëjë më demokracinë në fillim, me ligjin më pas dhe me korrupsionin në terminalin e dy të parave. Kriza e demokracisë në Shqipëri sot është kriza e institucioneve; të cilat janë të mpira familjarisht apo me parazitë antidemokrartikë. Kush do ta bëjë reformën institucionale dhe ligjin e ri për krijimin e një administrate të diturish dhe profesionistësh në Shqipëri? Kush do ta reformojë ligjin për të gjitha arsyet juridike në funksion të drejtësisë shoqërore në Shqipëri? Kush do ta kthejë luftën kundër korrupsionit në një fenomen legal në Shqipëri? Kush do ta bëjë reformën në treg, për të sistemuar informalitetin në funksion të zhvillimit dhe jo të dekadencës së mirëqenies? Kush do ta bëjë reformën ne sistemin financiar, i cili është në një lëngim pesëmbëdhjetëvjeçar? Kush do ta bëjë ligjin për reformimin e sistemit banker, i cili sot është një ligj antitreg? Kush do ta bëjë reformën në drejtësi, për të plotësuar të gjithë sistemin ligjor në Shqipëri: në gjykatë, prokurori, noteri, avokati?

Të gjitha këto janë çështjet që ky kryeministër as që iu është afruar qoftë dhe një centimetër deri tani. E ka të pamundur: katër ministrat abuzues të Metës që “grumbullojnë para për Metën”, që ky pastaj të blejë pushtet, janë shembulli më tipik mesjetar i Shqipërisë dhe qeverisë së sotme. Kjo sigurisht që ka qenë një nga pengesat e frenimit reformator në Shqipëri pas vitit 2013, por askush nuk do t’ia dijë, edhe pse Rama dhe i gjithë lidershipi i PS –së, e quan Metën sjellësin e fatkeqësisë së tyre. Absurditet: Meta flaket, nuk lutet. Kjo është politika, sepse në të kundërt, gjithçka është justifikim. Këto zgjedhje ka mundësi që ta “hapin qiellin reformator” në Shqipëri, se, rregullisht duhet të rrëzojnë dy defektet qesharakë të politikës shqiptare: Basha dhe Meta. Që të dy keta abuzues të mëdhenj të parave të shqiptarëve në dhjetë vjetët e fundit, duhet të fluturojnë pas 21 qershorit. Por, a ka PS politikanë të këtij rangu që të gjejnë “fshesën e largimit” të tyre, pasi të shohin se vetë shqiptarët do t’i ndëshkojnë që të dy me votë në 21 qershor të këtij viti? Fshesa politike që do të fshinte këtë dyshe qesharake, do të sillte pa dyshim klimën e moralitetit politik në të dyja krahët e politikës shqiptare: majtas dhe djathtas…

SHKARKO APP