Speciale/Ja kush janë 50 shqiptarët e dekoruar nga Franca

Nga Mentor HOXHA, Paris

Mentor Hoxha

Franca, si shteti i dytë më i fuqishëm në Europë dhe i pesti në botën, ka një zë shumë të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Tashmë që Britania, doli nga Blloku Europian, Franca dhe Gjermania janë dy shtetet më të fuqishme që udhëheqin dhe mbajnë të bashkuar BE-në.  Duke qenë e tillë, të gjitha shtetet e botës duan marrëdhënie sa më të mira me Republikën e Francës. Nga ana tjetër, edhe Franca dëshiron marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha kombet dhe shtetet që praktikojnë demokracinë dhe mbrojnë të Drejtat e Njeriut dhe Lirinë e mediave dhe të shprehjes në vendet e tyre. Në kuadër të forcimit të këtyre marrëdhënieve, shteti francez ka dekoruar me Urdhra të lartë mjaft personalitete të shquara brenda dhe jashtë territorit të frankëve, që kanë kontribuar në forcimin e këtyre marrëdhënieve, kanë përhapur e gjuhën, historinë dhe kulturën franceze, apo kanë promovuar Frankofoninë.

Dekorata më e lartë shtetërore në Francë është “Urdhri Kombëtar i Legjionit të Nderit” (frëngjisht: Ordre National De La Légion d’Honneur). Me këtë dekoratë janë dekoruar 92.000 personalitete të larta nga Franca dhe nga bota për meritat e tyre të shquara ushtarake dhe civile. Urdhri Kombëtar i Legjionit të Nderit u krijua më 19 maj 1802 nga perandori i famshëm i Francës me origjinë arbëreshe, Napoleon Bonaparte (1769-1821). U dha për herë të parë më 15 qershor 1804 dhe është ruajtur nga të gjitha qeveritë franceze. Motoja e urdhrit është Honneur et Patrie (“Nderi dhe Atdheu”) dhe selia e tij është Palais de la Légion d’Honneur pranë Muze d’Orsay, në bregun e majtë të Senës në Paris. Në medaljen e titullit është koka e Napoleonit, ndërsa nga mbrapa shkruhet motoja “HONNEUR” (Nder). Medalja u jepet personave që kanë sjellje të shkëlqyeshme civile ose ushtarake, por edhe civilëve, kur puna e tyre rrit reputacionin e Francës përmes studimeve, arteve, shkencave, diplomacisë, politikës etj. Sipas llojit të meritës, akordohet edhe titulli.

Urdhri Kombëtar i Legjionit të Nderit ndahet në pesë shkallë të dallimit në rritje: Chevalier (kalorës), Officier (oficer), Commandeur (komandant), Grand Officier (oficer i madh) dhe Grand -Croix (Kryqi i madh). Kategoria më e lartë është Grand -Croix (Kryqi i madh). Çdo titull i Legjionit Kombëtar të Nderit ka shenjat e veta dalluese.

Në listën e madhe të dekorimeve nga Republika e Francës me Urdhrin Kombëtar të Legjioni të Nderit bëjnë pjesë presidentë, udhëheqës ushtarakë dhe civilë, diplomatë, nobelistë, akademikë, filozofë,  shkrimtarë, profesorë, intelektualë, gazetarë, artistë, sportistë, frankofonë të shquar dhe përkthyes të spikatur të gjuhës frënge. Midis tyre ka edhe mjaft figura të njohura shqiptare nga fusha e politikës, diplomacisë, shkencës, mësimdhënies, letërsisë, artit, kulturës, gazetarisë, sportit etj.

Në listën e mëposhtme janë emrat e 50 personaliteteve shqiptare të dekoruar nga Presidenti francez dhe lloji i Dekoratës që ata kanë marrë. 

Ismail Kadare (1936). I nderuar me Urdhrin “Grand Officier de la Legion d’Honneur”. (“Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, 31 dhjetor 2019) nga Presidenti aktual francez, Emmanuel Macron duke u renditur kështu midis 250 personaliteteve më të shquara botërore të vlerësuar me këtë Urdhër. Ky është Urdhri më i lartë i Legjionit të Nderit pas Urdhrit “Grand -Croix” (Kryqi i madh). Më parë, Kadare ishte dekoruar me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit” (30 maj 2016) nga Presidenti Francois Hollande. Ceremonia e dekorimit nga z. Macron u zhvillua në Pallatin “Élysée” në prani të një rrethi të ngushtë personash të ftuar. Është një ngjarje e rrallë, që vetë Presidenti francez ta dorëzojë këtë titull, të cilin zakonisht e dorëzojnë përfaqësues të tjerë të Pallatit, por, edhe në rastet kur çmimi dorëzohet nga Presidenti, ceremonia zhvillohet për disa personalitete në grup. Pas ceremonisë, në ambientet e Pallatit Presidencial u organizua një koktejl për të ftuarit, gjithashtu një rast i rrallë dhe një respekt që duket se Macron e bën për shkrimtarin e shquar shqiptar. Kadare është anëtar i Akademisë Franceze për Shkencat Morale dhe Politike dhe ka marrë shumë çmime ndërkombëtare. Nga viti 1990 kur kërkoi azil politik në Francë, ndan kohën mes Parisit dhe Tiranës. Ai kërkoi azil politik në Francë për shkak se Franca është një vend shumë i afërt me shqiptarët. Në një intervistë me znj. Vjollca Hajdari, Kadare thotë: “Franca për shqiptarët, ashtu si për gjithë ballkanasit, u bë e afërt sidomos gjatë kohës së Napoleonit, si shembull frymëzimi për t’u shkëputur nga sundimi osman. Kronikat tregojnë se në Ballkan, e sidomos në viset e Shqipërisë, pati një kohë kur “Marsejeza” u këndua si këngë patriotike vendase!”. Kadare dhe letërsia shqipe u bënë të njohur në botë, pas botimit në frëngjisht në Paris të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (frëngjisht : Le général de l’armée morte (1968), i vlerësua nga gazeta franceze “Le Monde” si një ndër 100 librat e shekullit XX. Pas botimit në Francë, “Gjenerali” u përkthye nga frëngjishtja në disa gjuhë të botës. Në Francë i janë botuar mbi 35 vepra në prozë, poezi, ese etj. Kadare vazhdon të jetë kandidat për çmimin Nobël në letërsi për disa vite radhazi. I’u  propozua dy herë posti i Presidentit të Shqipërisë, por në të dy rastet e refuzoi, një precedent i paparë në trojet shqiptare.

 

Esat pashë Toptani (1863-1920). I nderuar me Urdhrin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” (13 prill 1916) nga ish Presidenti, Raymond Poincaré. U dekorua për shërbim ndaj kombit francez. Gjatë cermonisë së dekorimit, Esati u prek thellësisht nga pritja që i’u bë dhe falënderoi e premtoi se ai do të bëhej akoma më i denjë për simbolin e nderit që Franca i bëri. Nga viti 1912 e deri kur u vra me revolver më 13 qershor 1920 në Paris nga Avni Rustemi, ka qenë politikani më i fuqishëm shqiptar. Një nga themeluesit e shtetit shqiptar, delegat në Kuvendin e Vlorës ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë (28 nëntor 1912), nënshkrues i deklaratës së Pavarësisë, ministri i parë i Brendshëm i shtetit shqiptar (korrik -shtator 1913) dhe kryeministër i Shqipërisë (5 tetor 1914-27 janar 1916). Ishte mik i madh i francezëve. Gjatë Luftës së Parë Botërore luftoi përkrah ushtrisë franceze bashkë me 2000 luftëtarët e tij shqiptarë. Gashtë vitet e fundit të jetës i kaloi në Paris, ku edhe u vra për shkak të konkurrencës politike shqiptare, teksa po dilte nga hoteli “Kontinental” me të dashurën franceze. Eshtrat e tij ndodhen në varrezat e Parisit.

Iljaz bej Vrioni (1882-1932). I dekoruar me “Grand Officier de la Légion d’Honneur” (“Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, 1920) për forcimin e marrëdhënieve franko-shqiptare gjatë kohës që ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Paris (1925-1926, 1929-1932). Ka qenë ndër figurat më kryesore politike shqiptare në vitet ’20 dhenjë nga themeluesit e shtetit shqiptar: delegat në Kuvendin e Vlorës, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë (28 nëntor 1912), tre herë kryeministër i Shqipërisë (15 nëntor 1920-16 tetor 1921, 30 maj 1924 -10 qershor 1924, 24 dhjetor 1924- 5 janar 1925), katër herë ministër i Jashtën dhe disa vite ambasador i Shqipërisë në Paris. Vdiq më 1932 në Paris. U varros në Shqipëri. Më 1946, zhvarroset nga regjimi komunist dhe eshtrat e tij hidhen në lumin Osum dhe akoma nuk janë gjetur.

 Jusuf Vrioni (1916-2001). I nderuar me Urdhrin “Oficer i Legjionit të Nderit” (1998 për kontributin e çmuar në promovimin e gjuhës frënge, me dekoratën “Kavalieri i Letrave dhe i Artit” (14 korrik 1993, nderuar në Ditën Kombëtare të Francës), me titullim “Qytetar Nderi” i Arles në Francë dhe me çmimin prestigjioz “Halperin Kaminski” nga komuniteti ndërkombëtar i përkthyesve (1994). Vrioni ishte diplomat, jurist, politolog, shkrimtar, njohës i shkëlqyer i gjuhës dhe letërsisë frënge dhe ambasador i Shqipërisë në UNESCO (1998 -2001). Është përkthyesi që e bëri letërsinë shqipe të njohur në Francë dhe në botë me përkthimin në frëngjisht të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të I. Kadaresë. U formua në shkollat më prestigjioze të Francës. Gjatë regjimit komunist bëri 8 vjet burg politik në Shqipëri (1950-1958). Vdiq në Paris. Është djali i ish kryeministrit, Iljaz bej Vrioni.

Edi Rama (1964). I nderuar me “Komandant i Legjionit të Nderit” (30. 03.2017) nga ish Presidenti francez, Francois Hollande. I mallëngjyer nga dekorimi, Rama shkroi në twter: “Faleminderit Francë! Dekorata i’u dorëzua gjatë një ceremonie nga homologu francez, Bernard Cazeneuve, i cili vlerësoi rolin e Ramës për bashkëpunimin dhe forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis Francës dhe Shqipërisë. Rama është kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013, pasi partia e tij, PS fitoi zgjedhjet. Zëvendësoi prof. dr. Sali Berishën, i specializuar shkëlqyeshëm në Paris. Nga viti 2001-2011, ka qenë kryebashkiak i Tiranës. Për disa vite ka jetuar në Paris (1993-1998). U shkëput nga Parisi më 1998, pasi u zgjodh ministër i Kulturës. Në një intervistë për radion “France Inter” përballë gazetarit të njohur francez, Frederik Miterran, Rama thotë: “Doja të shijoja lirinë dhe liria më solli për tre vjet në Francë, në Cité des Arts”. Rama thotë se shkoi për studime në Paris ku gjeti dhe lirinë, por që nga viti 2013 që drejton Shqipërinë, ai ka përdorur një diktaturë ndaj mediave dhe gazetarëve të pavarur, ndërkohë mbi 60 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, 30 mijë vetëm në Francë, në tetë vitet e qeverisjes së tij.

Ernesto Sabato (1911-2011). I nderuar me “Komandant i Legjionit të Nderit” nga ish Presidenti François Mitterand (1916-1996). Është shkrimtar i madh argjentinas me origjinë arbëreshe, gjë që e ka dëshmuar në disa intervista. Romanet e tij janë botuar në Francë dhe janë vlerësuar me çmime. Romani i tij “Abaddon el Exterminador” apo “Ëngjëlli i errësirave” (“Gallimard”, 1974), i përgatitur në frëngjisht nga shkrimtari ekzistencialist francez, Albert Camus u shpall “Libri më i mirë i huaj i viti 1977” në Francë. Për shumë vite jetoi në Paris dhe fitoi një bursë për të hulumtuar rrezatimin atomik në Laboratorin Curie në Paris. Lindi dhe vdiq në Argjentinë.

Xhemil Dino (1894-1972). I dekoruar me “Oficer i Legjionit të Nderit” për kontributin e dhënë në forcimin e marrëdhënieve franko-shqiptare gjatë kohës që ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë (shkurt 1925-17 maj 1925). Ka qenë Ministër i Jashtëm i Shqipërisë (12 prill 1939-qershor 1939), ambasador në Londër, Sofje, Romë, Bukuresht, në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë dhe pas vdekjes së Iljaz Vrionit më 1932, edhe ambasador për Francën me rezidencë në Londër.

 Solange D’angély. E dekoruar me Urdhrin “Kalorëse e Legjionit të Nderit” (2011) nga Presidenti francez dhe me medalje nga Bashkia e Parisit për veprimtarinë e saj humanitare, e pasqyruar në të gjitha mediat franceze, nga Këshilli i Evropës, nga “Gratë e Evropës” në Bruksel, nga “Urdhëri i Maltës” dhe nga Spitalet e Parisit. Solange është humaniste e madhe shqiptaro-franceze, themeluese dhe presidente e CEMPEA (Bashkëpunim arsimor dhe mjekësor për fëmijët e Shqipërisë). Deri kur doli në pension, punoi si mjeke pediatre në spitalet e Parisit. U lind në Paris nga dy prindër me orgjinë nga Përmeti. Babi i saj, Roberti ishte shkencëtar dhe albanolog i njohur në Paris. Solange u diplomua për mjekësi në Paris me Diplomë të Artë.

 Rauf Fico (18811944). I dekoruar me Urdhrin “Oficier i Legjionit të Nderit” (1926). Ka qenë ministër i Punëve të Brendshme (12 dhjetor – 24 dhjetor 1921), ministër i Jashtëm (18 prill 1929-3 nëntor 1930) dhe ambasador në Beograd.

Selaudin Blloshmi. I dekoruar me Urdhrin e Legjionit të Nderit (1918) për herozimin dhe aftësitë drejtuese si kapiten kompanie gjatë Luftës së Parë Botërore përkrah ushtrisë franceze në Ballkan. Këtë dekorim e përmend në Kujtimet e tij edhe komandanti i ushtrisë franceze në Luftën e Parë Botërore, Kolonel Andre Ordioni. U diplomua në Paris. Ka qenë ushtarak i lart dhe ambasador në Rumani (1926-1928). U martua me gruan më të të bukur dhe më të emancipuar shqiptare të viteve ’20-’30, Sara Blloshmi, mbesa e I. Qemalit, e cila ka jetuar disa vite në Paris.

Lazër Çetta. I dekoruar me “Kalorës i Legjionit të Nderit” (1934) dhe “Officier d’Academie” (1928). Ka qenë konsull i Shqipërisë në Jugosllavi (1925), drejtor i Drejtorisë së të Drejtave të Studimit në Ministrinë e Arsimit dhe profesor i gjuhës frënge në Tiranë. Është babai i veprimtarit të shquar kosovar, Anton Çeta.

Musa Juka (18851955). I dekoruar me Urdhrin “Kumandar i Urdhrit të Legjionit të Nderit”. Ka qenë ministër i Punëve të Brendshme (28 shtator 192510 shkurt 1927 dhe 11 nëntor 1933 –16 tetor 1935), ministër i Bujqësisë, ministër i Punëve Botore (1925-1925; 9 nëntor 1936 –7 prill 1939 dhe 22 prill 1931 –7 dhjetor 1932) dhe tre herë kryebashkiak i Shkodrës (1916-1924).

Mimi Kodheli (1964). E dekoruar me “Kalorës i Legjionit të Nderit” (nëntor 2018). Dekorata iu dorëzua nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, Znj. Christina Vasak. Nga 23 nëntori i 2020-ës, është Zv. Presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e para shqiptare e zgjedhur në këtë post. Ka qenë ministre e Mbrojtjes (15 shtator 2013-11 shtator 2017), deputete, nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Kryetare e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Kryetare e delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, prefekte e Qarkut të Tiranës (2005-2009) dhe nënkryetare e Bashkisë së Tiranës (2002-2005).

Valbona Berisha. E nderuar me Palmën Akademike (2019) për kontributin e dhënë në përhapjen e Frankofonisë dhe të gjuhës frënge në Kosovë, në veçanti në Universitetin e Prishtinës. Medalja iu dorëzua në rezidencën e Ambasadës Franceze në Prishtinë nga ambasadorja e Francës në Kosovë, Znj. Marie -Christine Butel. Berisha është arsimuar në Francë. Është profesore dhe koordinatore e Qendrës Universitare Frankofone në Universitetin e Prishtinës. Me iniciativën e saj dhe mbështetjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, u themelua më 2018 Qendra Universitare Frankofone, dhe Universiteti i Prishtinës është anëtar i Agjencisë Universitare Frankofone në botë.

Marjan Dema (1957). I nderuar me Palmën Akademike (2019) për kontributin e dhënë në përhapjen e gjuhës frënge dhe të Frankofonisë në Universitetin e Prishtinës. Me mbështetjen e tij si rektor i Universitetit të Prishtinës, u themelua më 2018, Qendra Universitare Frankofone, dhe Universiteti i Prishtinës është anëtar i Agjencisë Universitare Frankofone në botë. Z. Dema është matematicien i shquar dhe profesor me një karrierë të gjatë. Ka qenë rektor i Universitetit të Prishtinës dhe kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë. 

Rasih bej Dino (1865-1928). I dekoruar me “Palmën Akademike” (1895). Është një nga themeluesit e shtetit shqiptar: delegat në Kuvendin e  Vlorës, një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë  (28 nëntor 1928), përfaqësues i Qeverisë shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe përfaqësues i përhershëm pranë Konferencës së Paqes në Paris. 

Njomza Emini (1983). E dekoruar me Urdhrin “Kalorës i Legjionit të Nderit” (tetor 2018) për angazhimet dhe aktivitetet politike dhe shoqërore. Dekorata  i’u dorëzua në rezidencën e Ambasadës Franceze në Prishtinë nga ambasadori francez, Didier Chabert në prani të familjes, miqve, kolegëve, autoriteteve franceze dhe mysafirëve. Njomza ka qenë deputete dhe kryetare e Komitetit paraolimpik të Kosovës. 

Koli Xoxe (1923-2013). I nderuar dy herë nga  Franca: Me Urdhrin “Kalorës i Legjionit të Nderit” dhe me “Palma Akademike” për kontributin promovimin e kulturës franceze në Shqipëri. Ishte pedagog, studiues, historian, filozof, përkthyes i shquar i frëngjishtes dhe punonjës shkencor. Përktheu nga frëngjishtja në shqip veprat: “Volteri, filozof i arsyes  njerëzore” (monografi në dy vëllime), “Viktor Hygoi  për të drejtat e njeriut dhe qytetarët”,  “Viktor Hygoi për Shqipërinë dhe shqiptarët”, “Revolucioni francez në mjedisin shqiptar”, “Franca sipas Dora d’Istria-s” etj.

Angelin Prelocaj (1957). I vlerësuar me disa Urdhra dhe tituj, si: “Oficer i Urdhërit të Meritës” (2006), “Kavalier i Legjionit të Nderit” të Republikës Franceze (1998), “Oficer i Artit dhe Letrave” dhe çmimi “Grand Prix National de la danse” nga Ministria e Kulturës së Francës (1992). Nga 5 maji i vitit 2019 është anëtar i Akademisë Franceze të Arteve të Bukura në Paris duke qenë shqiptari i parë i zgjedhur në këtë akademi prestigjioze. Është valltar dhe koreograf i famshëm francez me famë botërore dhe origjinë shqiptare. Cilësohet si një nga koreografët më të mëdhenj në historinë e Francës. Është Baletmaestro i Parisit dhe nga viti 1985 udhëheq Kompaninë e tij të Baletit. U lind në Francë në një familje me origjinë shqiptare. 

Luan Starova (1941). I dekoruar dy herë nga Franca: me “Oficer i Legjionit të Nderit” (2017) dhe “Commandeur des Arts et des Lettres (2000). Z. Starova është diplomat, akademik, shkrimtar, gazetar, eseist, poet, prozator, përkthyes dhe profesor i shquar i gjuhës frënge, anëtar dhe nënkryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave, i Akademisë Mesdhetare në Napoli  dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka qenë Ambasador i Maqedonisë në Paris (1994), në Spanjë (1996) dhe Portugali. Për të mbrojtur gradën shkencore në frëngjisht dhe letërsi krahasuese (1978) ai kaloi ca kohë në Universitetin e Sorbonës në Paris.

Drita Hadaj.  E dekoruar me Urdhrin “Officier i Legjionit të Nderit” për kontributin në përhapjen dhe promovimin e Frankofonisë dhe të gjuhës frënge në Shqipëri.Titulli i’u dorëzua në rezidencën e Ambasadës Franceze në Tiranë nga ambasadorja Znj. Christine Moro. Drita është Presidente e Aleancës Franceze në Tiranë.

Qamil bej Vlora (1895-1950). I nderuar me “Chavalier de la Légion d’Honneur” (13 nëntor 1926) për kontributin në forcimin e marrëdhënieve frëngo-shqiptare gjatë kohës që ishte Sekretar i Parë në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë (Janar 1925-1928). Është djali i Ismail Qemalit. Ishte politikan, deputet dhe diplomat. Fliste shkëlqyeshëm frëngjisht. Nga gushti i vitit 1932 e deri më 1939 jetoi familjerisht në Francë, i ndihmuar nga miku i tij francez, Justin Godart. Në Francë kreu Liceun në Nicë dhe Universitetin e Departamentit të Bouches du Rhone. U lind në Stamboll, vdiq në Tiranë, pasi bëri dy vjet burg politik në regjimin komunist. 

Genc Sulçebe (1954). I dekoruar me “Kalorës i Legjionit të Nderit” (30 nëntor 2018). Medalja i’u dorëzua në Tiranë nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, Madame Christina Vasak.  Është themeluesi i Shërbimit të Imologjisë në Shqipëri, mjek imunolog dhe profesor i mjekësisë me një karrierë mbi 30 vjeçare. I arsimuar në Paris ku ka kryer Masterin shkencor dhe Ciklin e tretë të studimeve pasuniversitare në Imunologji të thelluar në Instituin Pasteur. 

Briseida Mema. E nderuar me Legjionin e Nderit” (2014). Briseida është gazetare dhe pedagoge e njohur. Prej shumë vitesh është korrespodente e Agjencisë Franceze të Lajmeve, AFP) dhe profesore në Universitetin e Tiranës. Ka titullin Profesor”. Është nëna e gazetarit të njohur, Marin Mema.

Mirela Kumbaro-Furxhi (1966). E nderuar me “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” (2017) për kontributin në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez. Ka qenë ministre e Kulturës (2013-2019 ), dy herë deputete e PS-së (2013-2017) dhe pedagoge e përkthimit në Universitetin e Tiranës. Ka përkthyer shumë libra nga fusha e letërsisë dhe e shkencave humane. Ka kryer Master në E.S.I.T-Paris III, Universititeti i Sorbonne-Nouvelle në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor (1994). 

Valon Murtezaj. I nderuar me Urdhrin Oficer i Urdhrit Kombëtar të Meritës (4 tetor 2017). Myrtezaj është politikan, diplomat, profesor dhe analist i njohur nga Kosova. Ka qenë ministër i Diasporës së Kosovës dhe Zv. ministër i Punëve të Jashtme. I diplomua në Paris. Lindi në Kosovë. Prej disa vitesh jeton familjerisht në Paris.

Vedat Kokona (1913-1999). I dekoruar dy herë nga Franca: me “Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të Letërsisë” (1995) dhe “Oficer i Palmave Akademike Franceze” (1996). Ka qenë frankofon i shquar dhe personalitet i botës akademike dhe letrare, ndër prozatorët më të talentuar gjatë Luftës së II Botërore: dramaturg, shkrimtar, prozator, poet, kritik, leksikograf, avokat, përkthyes dhe pedagog i shkëlqyer i gjuhës frënge, autor i fjalorit voluminoz “Shqip-Frëngjisht” dhe “Frëngjisht-Shqip”. Kreu Liceun francez të Korçës dhe studime e larta për Drejtësi në Paris. Nga viti 1965 e deri kur doli në pension dha frëngjisht në Universitetin e Tiranës.

 Pëllumb Nako. I dekoruar me Oficer i Urdhrit Kombëtar të Meritës” për kontributin si Drejtor i Policisë së Kufirit dhe Migracionit. Dekorata iu dorëzua në ambientet e Ambasadës Franceze në Tiranë nga ambasadorja Znj. Moro. Ka qenë për tetë vite Zv.Drejtor i Përgjithshëm i Policisë për Kufirin dhe Migracionin (2008-2016). Aktualisht është pedagog në Tirana Business University. I formuar në Francë ku ka kryer Shkollën e Lartë të Oficerëve të Policisë në Shkollën e Saint Cyr në Mont d’Or, Masterin Shkencor në Lion dhe specializimin e nivelit të lartë në Qendrën e Studimeve Strategjike të Ministrisë së Brendshme Franceze në Paris (2014-2015). Ka përkthyer disa libra nga frëngjishtja dhe ka botuar dy vëllime me publicistikë. 

Shefqet Ndroqi (1912-2001). I nderuar me Urdhrin “Kalorës i Palmave Akademike për kontributin si mjek në Francë dhe në Shqipëri. Njihet si babai i Pneumologjisë shqiptare. Emrin e tij e mban Spitali i Sëmundjeve të Mushkërive në Sauk të Tiranës, i njohur ndryshe Sanatoriumi. U diplomua në Francë. Gjatë Luftës së II Botërore punoi si mjek në spitalet e Francës duke shpëtuar nga vdekja shumë francezë të plagosur. Kishte titullin “Profesor“.

Nestor Thereska (1947). I nderuar me UrdhrinOficer i Palmës Akademike Franceze” (2002) për kontributin e shquar si mjek nefrolog dhe si drejtues. Nga viti 2012 është shef i Nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe për shumë vite profesor i mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Më 2009 udhëhoqi ekipin që realizoi transplantin e parë të veshkave në Shqipëri që u bë në QSU. Bënte pjesë në ekipin mjekësor që kujdesej për shëndetin e udhëheqësit komunist, Enver Hoxha. U specializua në Francë.

 Artan Fuga (1954). I dekoruar me Urdhrin “Kalorës i Palmës Akademike” për kontributin për Frankofoninë dhe kulturën franceze. Dekorata i’u dorëzua nga ambasadorja e Francës në Tiranë, Maryse Daviet. Z. Fuga është profesor, filozof dhe studiues i shquar në Shkencat e Informacionit dhe Komunikimit. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.   Bashkëpunon me institucione arsimore e kërkimore franceze. Ka qenë studiues i asociuar në Laboratorin Ladyss (CNRS, Universiteti Paris-10 ) dhe lektor në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit Paris X Nanterre në Francë (1998-2003). Ka kryer studimet e thelluara në Filozofi në Universitetin Paris X- Nanterre  (1993). Ka titullin “Profesor i Universiteteve”, Francë (2004, i rikonfirmuar më 2008), “Doktor i habilituar në Shkencat Sociale dhe Humane” (Filozofi) në Universitetin Paris X -Nanterre (1998), “Doktor në Shkencat e Komunikimit dhe Informimit” në Universitetin Paris II, Francë (1997), “Profesor” (2000) nga Universiteti i Tiranës. 

Marenglen Spiro (1949). I dekoruar me  Urdhrin “Kalorës i Palmave Akademike”. Është personalitet i njohur i botës akademike. “Doktor i Shkencave në fushën e biofizikës” nga Universiteti “Pjer dhe Mari Kyri”, Paris VI, këshilltar i bashkëpunimit arsimor e shkencor me Francën në Ambasadën shqiptare Paris (1987-1991), anëtar i Komisionit të Bashkëpunimit Shqiptaro-Francez të Kulturës, Arsimit e Shkencës, anëtar i Komisionit Shqiptar të UNESCO-s, punonjës shkencor i Institutit “Kyri”, Paris, Laboratori i Fizikës e Kimisë Biomolekulare (1991-1994), profesor në Shkollën e Lartë të Fizikës e Matematikës Industriale të Universitetit Cergy-Pontoise, Paris, Francë (1991-1994), profesor i Ftuar i Universitetit të Limozhit, Francë (1996 – 2004), anëtar i Komisionit Kombëtar të Frankofonisë dhe rektor i Universitetit të Tiranës (1997-2003) dhe  i Universitetit “Kristal” (2007-2011).

Abedin Pashë Dino (1843-1906). I dekoruar me Palmën e Artë të Akademisë Franceze (1895) për veprimtarinë si letrar dhe përkthyes i gjuhës frënge, e pasqyruar në shtypin evropian. Gazetat franceze, turke dhe greke kanë shkruar për talentin e tij. I dekoruar edhe nga shteti osman me medaljen më të lartë, Urdhrin Mexhid. Ka qenë ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane dhe krijuesi e drejtuesi i bursës së parë së Stambollit (kryeqyteti perandorak). Dha një kontribut të madh në mbrojtjen e trojeve shqiptare si një nga nga krijuesit e drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1865-1928). Shkroi një sërë memorandumesh në frëngjisht që ua dërgoi Fuqive të Mëdha ku proteston për padrejtësitë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Nonda Varfi (1967). I nderur me “Palmën Akademike” (2004). I specializuar në Francë. Nga viti 2010 është pedagog në Leksikologji frënge dhe Gjuhësi teksti në Universitetin e Elbasanit. Ka qenë zv.Rektor për anën shkencore në Universitetin e Tiranës (2007-2010) dhe dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja (2003-2007), pranë këtij Universiteti. Ka shkruar disa tekste mësimore dhe ka përkthyer shumë libra nga gjuha frënge.

Bilal Golemi. I nderuar me “Legjion d’Honneur”(1952). Është themeluesi i sistemit bakterologjik veterinar në Shqipëri. Ishte mjek veterinar dhe shkencëtar i njohur në fushën e veterninarisë. Një dhomë në spitalin turk “Refik Saydam Saglik Merkezi” në Turqi mban emrin e tij. U arsimua në Institutin Pastuer në Paris ku u njoh me shkencëtarë të famshëm dhe u martua me një franceze fisnike të quajtur Nilyfer. Vdiq më 1955 në Stamboll. 

Maniola Trebicka-Camuset. E nderuar me Kalorës i Palmës Akademike” (16 dhjetor 2015) me urdhër të ish Kryeministrit francez, Manuel Valls për kontributin si mësimdhënëse në transmetimin e vlerave të artit, kulturës dhe edukimit dhe si pjesmarrëse në konkurset pianistike në Francë dhe jashtë saj. Dekorata i’u dha në Pallatin e Legjionit të Nderit në Paris në prani të mjaft personaliteteve të jetës kulturore e politike në Paris. Kancelari i Madh i Legjionit të Nderit mbajti diskutimin e tij.  Znj. Trebicka është vajza e aktorit të madh, Roland Trebicka (1947-2013). Është pianiste e talentuar shqiptaro-franceze. Prej 27 vitesh punon në Paris. Nga viti 1997 është mësuese e pianos në Liceun e Legjionit të Nderit, themeluar nga Napoleon Bonaparti dhe që konsiderohet si institucioni më i shquar i edukimit francez. 

Ardian Civici.Porosit Tani  I nderuar me titullin “Kalorës i palmës së artë akademike” (2009). Z. Civici është figurë e shquar e botës akademike dhe ekonomike. Ka gradën “Doktor në Shkencat Ekonomike” nga ENSA, Montpellier (Francë, 2002). Është President i Universitetit Europian të Tiranës dhe Drejtor i Shkollës Doktorale  (2010-2011), anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe Lektor i asociuar në Universitetin e Lyon-it (ISARA), në CIHEAM- IAM, Montpellier, Francë.

Violeta Kraja. E nderuar me Urdhërin “Kalorës i Urdhërit të Palmave Akadamike” (16 shtator 2005) për kontributin pedagogjik. Znj. Kraja është personalitet i shquar frankofon dhe profesore e gjuhës frënge që nga viti 1977.Ka marrë titullin “Personalitet i multilinguizmit dhe frankofonisë për vitin 2008” (mars 2008) nga kryeministri shqiptar dhe Çmimin e interpretimit në konkursin e organizuar nga televizioni francez TV Monde 5 (maj 2000). 

Ulpiana Lama. E dekoruar me “Urdhrin Kombëtar të Meritës” (11 shtator 2017) për aktivitetet e profesionale, shoqërore dhe akademike, dhe për konsolidimin e raporteve mes Francës dhe Kosovës. Urdhri i’u dorëzua në rezidencën e Ambasadës Franceze në Prishtinë nga ambasadori Didier Chabert në një cermoni në prani të familjes, miqve, kolegëve dhe autoriteteve franceze. Znj. Lama është sociologe, gazetare, lektore, pedagoge dhe diplomate nga Kosova. Prej disa vitesh është zv.ambasadore e Ambasadës së Kosovës në Francë. 

Valter Gjoni (1954-2020). I dekoruar me “Kalorës i Urdhrit të Meritës”. Ishte aktor, regjisor, studiues, autor i mbi 10 librave, anëtar në disa organizma ndërkombëtare, fitues i disa çmime kombëtare e ndërkombëtare. 

Beqir Ajazi (1920-2017). I nderuar me “Kalorës i Urdhrit të Meritës” (2002). Ishte shkrimtar, gazetar, përkthyes i gjuhës frënge dhe veprimtar politik. Ka qenë Sekretar i tretë në Ministrinë e Kulturës (tetor 1943-1944), redaktor në ATSH dhe në gazetën “Bashkimi i Kombit” (maj 1944) dhe pjesmarrës në Kongresin e Partisë “Legaliteti”në Herr të Tiranës (1943). Autor i tre librave me kujtime ku përshkruan vuajtjen e bashkëvuajtësve të tij në burgjet komuniste. Bëri 15 vite burg politik.

Vjollca Aliu. E nderuar me “Kalorëse e Urdhrit Kombëtar të Meritës” (28 shkurt 2018) për kontributin në bashkëpunimin franko-kosovar në fushën e trashëgimisë dhe arkeologjisë. Si Drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të të Kosovës për 15 vite me radhë, ajo ka nënshkruar protokollin e bashkëpunimit shkencor në lidhje me misionin arkeologjik francez dhe kosovar. Dekorata i’u dha nga Ambasadori i Francës në Kosovës, Didier Chabert. E emocionuar nga dekorimi, Vjollca falënderoi Francën për vlerësimin dhe shtoi se ky dekorim, aq sa e bën krenare, e obligon edhe më shumë për t’i shërbyer vendit të saj dhe forcimit të lidhjeve midis Kosovës dhe Francës. 

Nerimane Kamberi. E nderuar me “Urdhrin e Palmave Akademike” (16 tetor 2019) për kontributin në përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë. Dekorata i’u dorëzua nga ambasadorja e Francës në Prishtinë, Christine Butel në ceremoninë që u mbajt në Rezidencën e Ambasadës Franceze në Prishtinë. Znj. Kamberi është shkrimtare, gazetare dhe profesore e Qytetërimit, Gjuhës dhe Letërsisë Franceze e Frankofone në Universitetin e Prishtinës. 

Adrian Palloshi. I vlerësuar me titullin “Kalorës i Palmës Akademike” (18 prill 2014). Titulli i’u dorëzua nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christine Moro në një ceremoni për 10 vjetorin e zyrtarizmit të Aleancës Franceze në Elbasan. “Jam e bindur që shembulli i juaj ka bindur shumë të rinj të Elbasanit të studiojnë frëngjishten dhe të vazhdojnë studimet e tyre në Francë”, -i tha ambasadorja. Palloshi është mjek i njohur shqiptar dhe mbajtës i detyrave të larta në sistemin shëndetësor në Spitalin e Elbasanit. I specializuar për disa vite në Francë.

Arta Dobroshi (1980). E nderuar me dekoratën “Kalorëse e Arteve dhe Letrave” (3 prill 2020). Dekorata i’u dorëzua në një cemoni në rezidencën e Ambasadës franceze në Prishtinë nga ambasadorja, znj. Marie-Christine Butel, e cila tha: “Ky Urdhër është i destinuar të shpërblejë personat sikur jeni ju, zonja Artë Dobroshi, që jeni dalluar në lëmin artistik dhe të letërsisë ose për kontributin e dhënë në realizimin e artit dhe letërsisë në Francë dhe në botë”. Dobroshi ka falënderuar shtetin francez dhe ambasadoren. Ka thënë se i duket magjike që ka pranuar dekoratën dhe se ndihet vërtet e nderuar dhe e bekuar për vlerësimin e Qeverisë së Francës. Dobroshi nuk i ka mbajtur lotët gjatë fjalës së saj të shkurtër në frëngjisht. Dobroshi është aktore e famshme kosovare me famë ndërkombëtare. Ka realizuar mbi 50 role në teatër dhe kinematografi, ka marrë shumë çmime. Është aktorja e parë kosovare që shkeli në tapetin e kuq në Kanë të Francës. Shkëlqeu me rolin e Lornës (rol kryesor) te filmi belg “Heshtja e Lornës” (2008) me skenar dhe regji nga vëllezërit Dardenne. Ky film u vlerësua nga e përditshmja franceze “Le Monde” si “Margaritar i ri i Dardenne-ve”. Ky filmi konkurroi në Festivalin e 61-të në Kanë, ku Arta dhe argjentinasja Martina Gusman ishin favoritë për çmimin kryesor.

 Blerta Zeqiri (1979). E nderuar me Urdhrin “Kalorëse e Urdhrit të Arteve dhe Letrave” (27.08.2018) për fuqi e origjinalitet në kinematografi. Ky urdhër i’u dha në rezidencën e Ambasadës Franceze në Kosovë nga ambasadorja, e cila tha: “Filmat e Blertës, janë vlerësuar për zërin unik, origjinal dhe të fuqishëm”. Znj. Zeqiri është skenariste dhe regjisore e njohur nga Kosova. Drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë në Komunën e Prishtinës dhe anëtare e Akademisë Evropiane Filmike. Ka realizuar shumë filma, ka marrë pjesë në mbi 100 festivale filmi dhe ka fituar shumë çmime. E lindur në Kosovë dhe e diplomuar për kinematografi në Universitetin Paris 8 (2007).

Siç shihet nga dekorimet e lartpërmendura për 50 personalitetet e njohura shqiptare, asnjëri prej tyre nuk ka mundur ta marrë gjer më tani Urdhrin më të lartë të Republikës së Francës që është Grand Croix (Kryqi i madh). Tre prej tyre, Ismail Kadare, Esat pashë Toptani dhe Iljaz bej Vrioni janë shumë pranë tij. I pari është një shkrimtari më i madh i trojeve shqiptare, kurse dy të tjerët, ish kryeministra, themelues të shtetit shqiptar dhe nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Edhe pse asnjë shqiptar nuk është vlerësuar me Dekoratën më të lartë franceze, këtë Dekoratë e ka marrë një personalitet i shquar egjiptian me origjinë shqiptare. Ai është është Fuad Pasha (Fuad I, 1868-1936)), mbreti i nëntë i Egjiptit nga dinastia shqiptare e Mehmet Aliut dhe mbreti i parë pas Pavarësisë së Egjiptit nga Britania e Madhe (1922-1936). Urdhrin Kryqi i Madh i Legjionit të Nderit (Grand Croix, Kryqi i madh), ai e mori më 15 nëntor 1927. Fuadi I, ishte djali i vogël i Ismail Pashës. Ai mbretëroi në Egjipt nga viti 1917-1936. Fliste shqip, frëngjisht dhe anglisht. Nuk dinte turqisht dhe arabisht. Për të ishte e pazakontë t’ju drejtohej arabëve në gjuhën e tyre. Më 1914 ai u vu në shqyrtim si një kandidat për fronin shqiptar, por u anashkalua në fund në favor të një sundimtari të krishterë.Fuʾād I, më parë Aḥmad Fuʾād Pasha, (lindi më 26 mars 1868, Kajro, Egjipt – vdiq më 28 prill 1936, Kajro), mbreti i parë i Egjiptit (1922–36) pas pavarësisë së tij nga Britania e Madhe.Fuʾād I, anciennement Aḥmad Fuʾād Pacha (né le 26 mars 1868 au Caire, en Égypte – décédé le 28 avril 1936 au Caire), premier roi d’Égypte (1922–1936) après l’indépendance de la Grande-Bretagne. Lindi më 26 mars 1868 në Kajro, Egjipt, vdiq po në Kajro më 28 prill 1936. Pas divorcit me gruan e parë, princeshën Shouikar Khanum Effendi (1876-1947) me të cilën pati dy fëmijë: Ismaïl Fouad (1896-1896), Faoukia (1897-1974), u martua me Nazli Sabri (1894-1978) me origjinë egjiptiane, turke dhe franceze. Nazlia ishte edukuar në Paris dhe fliste rrjedhshëm frëngjishten njëlloj si Fuati, duke bërë kështu që familja e tyre të ishte një familje frankofone. Nga kjo martesë erdhën në jetë pesë fëmijë: Farouk (1920-1965), Faouzia (1921-2013), Faïza (1923-1994), Faïka (1926-1983) dhe Fathia (1930-1976). Pas vdekjes së tij, u ngjit në fron djali i tij, Faruk (1920 –1965), mbreti i dhjetë dhe i fundit nga Dinastia shqiptare e Mehmet Aliut me origjinë nga Korça. Faruku mbretëroi në Egjipt nga 28 prilli i vitit 1936 deri më 26 korrik 1952 kur u rrëzua nga froni me një puç ushtarak nga Lëvizja revolucionare nacionaliste e udhëhequr nga ushtarakët e grupit të “Oficerëve të Lirë”, Gjeneralët: Gamal Abdel Nasser dhe Muhammad Naguib që i dha fund përgjithmonë monarkisë egjiptiane dhe dinastisë 148 vjeçare shqiptare të Mehmet Aliut. Pas Revolucionit, Mbreti Faruk dhe Monarkia në Egjipt rrëzohen përgjithmonë dhe vendi u kthye në Republikë Presidenciale. Në vjeshtën e vitit 1952, jahti mbretëror “Mahroussa” me Farukun dhe familjen e tij brenda, la portin e Aleksandrisë duke u zhdukur përgjithmonë një nga dinastitë mbretërore më të famshme në Lindjen e Mesme, e njohur botërisht për origjinën e saj shqiptare. Faruk u detyrua të heqë dorë nga pushteti dhe shkoi në mërgim, në Monako të Italisë, ku jetoi pjesën tjetër të jetës së tij. Faruk njihet nga shqiptarët si pritës i Mbretit Zog në emigrim pas pushtimit italian të Shqipërisë. Vajza e Fuadit I dhe motra e Farukut, Princeshë Fevzia- Faëzia (1921-2013) ishte vajza më e bukur e Egjiptit dhe e botës. Për 10 vite me radhë ajo ka qenë Mbretëresha e Iranit në shekullin e XX, duke qënë bashkëshorte e Shahut të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, por më pas u divorcua. Fevzia kishte prejardhje shqiptare, franceze dhe egjiptiane. Është cilësuar nga mediat prestigjioze ndërkombëtare si princesha më e bukur në botë në mesin e shekullit XX.  Është shpallur si “Miss Bota e pakurorëzuar. Nga të gjithë gratë e bukura të botës në shekullin XX, si Ava Gardner, Grace Kelly, Elizabeth Taylor, Greta Gabro, etj. thuhej se, Fevzia ka qenë më e bukura. Është përshkruar nga mediat si një “bukuri shokuese”, “Shkatërruese zemrash”, “Princesha me e bukur e botës”, “Grua që të rrëzon me një shikim” etj. U shpall nga Hollivudi si “Gruaja më e bukur në botë e të gjitha kohërave”, duke lënë pas divat seks-simbol si Elisabeth Taylor, Marilyn Monroe, Ava Gardner, Grace Kelly, Greta Garbo etj. Në atë kohë në Hollivud flitej për të sikur të qe Ylli i Hollivudit. Fatkeqësisht, ajo pati një jetë jo të lumtur. U nda nga bashkëshorti dhe nga vajza e parë dhe një pjesë të madhe të jetës e kaloi në mërgim si refugjate në Europë.

SHKARKO APP