Spektakli nacionalist shqiptar: Më shumë lehje se sa kafshim

Pompoziteti i “mbledhjes së përbashkët” të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë mund të sugjerojë se nacionalizmi është në ajër – pot në fakt kemi të bëjmë me politikë të vockël për konsum të brendshëm.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Shqiptarët po mësohen tashmë me spektaklet e përsëritura të nacionalizmit në të ashtuquajturat “mbledhje të përbashkëta” të qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë të zhvilluara në emër të të ashtuquajturit “bashkim kombëtar”.

Spektakli i parë u dha në Prizren në janar 2014, kur kryeministri aktual i Shqipërisë Edi Rama, i ardhur i freskët nga zgjedhja si kryeministër në shtator 2013, e futi të gjithë qeverinë e tij në një autobuz për të vajtur në qytetin e Prizrenit në Kosovë, vend që ka një rëndësi të veçantë në nacionalizmin shqiptar.

Prizreni është qyteti ku më 1878, gjatë luftës Ruso-Turke që pothuajse shkatërroi Perandorinë Osmane, udhëheqësit shqiptarë u takuan aty për të shpallur vullnetin e shqiptarëve në tokat e Ballkanit që pretendoheshin edhe nga Mali i Zi, Serbia dhe Bullgaria.

Fjalori Enciklopedik shqiptar i publikuar më 1985 thotë: “Lidhja e Prizrenit qe e para organizatë politike mbarëshqiptare brenda në Shqipëri me një platformë ideologjike e një program politik kombëtar e me një struktuë organizative e shtrirë në të gjithë viset shqiptare”.

Takimi i vitit të kaluar në Prizren u shoqërua me një shfaqje të fortë nacionalizmi me fjalë të rënda por jo shumë hapa konkret përpara – apo pa ndonjë ide fizibël mbi një bashkim kombëtar. Gjithsesi, për Hashim Thaçin, në atë kohë kryeministër në prag të zgjedhjeve, spektakli eci mirë.

Të hënën në Tiranë, Edi Rama e përsëriti spektaklin me madhështi, sido që pa shumë shije. Një tryezë e rrumbullakët blu (ngjyra e flamurit të Kosovës) me flamurin kuq e zi me shqipojë një mes bëri rast për goxha foto nga lartë. Fjalimi i Ramës gjithsesi kishte pak kuptim.

“Rikthimi në tryezën e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona, zanafilla e së cilës u ngjiz në qytetin e të gjitha zanafillave të historisë shqiptare drejt shtetformimit, në Prizren, ndodh në kohën e duhur,” tha ai.

“E vërteta është, se ajo që ndodhi dje në Prizren dhe që po ndodh sot në Tiranë është përmbushje e një urdhërese madhore të kohës; politikbërjes në bazë të realiteteve.”

“Sa për ëndrrën tonë, bashkimi kombëtar përmes Bashkimit Europian, politikbërja mbi realitete e ka urtësi dhe frymëzim të saj të përhershëm.”

Dikush duhet të nënvijëzojë përzjerjen e çuditshme të fjalëve, disa të nxjerra nga Bibla dhe disa të tjera nga narrativa historike që u ndërtua gjatë Komunizmit, i cili në Shqipëri zyrtarisht quhej “nacional – komunizëm”, të përzjera me ëndrrën e Bashkimit Europian.

Fjalët e rënda të shprehura me frymë poetike të dobët fshehin realitetin. Në fund, Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të ndryshme.

Në janar 2014, takimi u shoqërua me aludimet se nuk kishte substancë përveç fjalëve të rënda. Të hënën, në Tiranë, dy qeveritë nënshkruan plot njëmbëdhjetë “marrëveshje bashkëpunimi”.

Ka arsye për të dyshuar se në fakt nuk ka patur fare marrëveshje përveç titujve të tyre.

Shikoni psh, Memorandumin e Mirëkuptimit “Për Forcimin e Bashkëpunimit Ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”. Titulli sugjeron se bashkëpunimi ekziston megjithëse ai duhet të forcohet më tej.

Tri marrëveshje lidheshin me forcimin e bashkëpunimit mes ministrive të brendshme. Nuk merret vesh se pse nuk bënë një marrëveshje me tri kapituj. Dukshëm, nënshkrimi i tri marrëveshjeve tingëllon më mirë se sa vetëm një.

Ndërkohë, Kosova dhe Shqipëria kanë dy qeveri të ndryshme dhe dy klasa sunduese, të cilat, megjithëse të ndryshme, janë njësoj të diskretituara.

Qeveria e Kosovës u përball me një shuplakë të hidhur të realitetit gjatë muajit të fundit kur rreth 20 mijë shqiptarë emigruan ilegalisht në vendet e BE-së. Kjo është e barabartë me 1.3 për qind të popullatës.

Rama, ndërkohë, ka parë imazhin e tij si udhëheqës Rilindës, siç e thërret qeverisjen e vet, të njollosur. Shumë deputetë të zgjedhur nga partia e tij apo nga partitë në koalicion janë ekspozuar si njerëz me të shkuar kriminale, me lidhje të forta kriminale apo si të dyshuar për aktivitete kriminale.

Në këtë kontekst, një shfaqje nacionalizmi ndihmon. Gjithsesi, kjo shfaqje nuk duhet të alarmojë diplomacinë ndërkombëtare. Ajo është e padëmshme.

SHKARKO APP