Spiropali: Autori i “Patriotizmit konsensual” ishte në listën e zezë!

Zonja Spiropali është një nga njerëzit më të besuar të Edi Ramës. Me një karriere të shkurtër, por befasuese, ajo po shfaqet gjithnjë e më shume si një pasuese e denjë e kupolës roze, duke shkuar krah për krah me Majkon në takimet e rinisë socialiste, apo duke shkruar apo thënë disa gjëra të cilat asnjë në PS nuk guxon t’i thotë. Dhe mirë bën Spiropali, pasi ka kurajën dhe të drejtën për të thënë ç’ka mendojnë në selinë roze për kreun e LSI-së, Ilir Meta. Të tjerët, përfshi edhe kryeministrin Edi Rama, nuk guxojnë të thonë një fjalë kundër kreut të LSI-së, sepse kanë hallin se u bie qeveria. Ndërsa me postimin e mëposhtëm të Spiropalit lexohet edhe mendja e kryeministrit Rama:

“Patriotët çajnë male për të kaluar trenin e historisë dhe nuk bëhen mullar së bashku nga frika se i ha bajlozi i matanë oqeanit. Më falni, po unë kam shumë respekt për patriotët dhe e kam të pamundur t’i shoh Samiun e Abdylin, Ismail Qemalin apo Fan Nolin, si paraardhës të konsensusit të prodhuar nga trysnia ekstreme e superfuqive aleate, që shkoi deri në paralajmërimin publik të SHBA për futjen në listën e zezë të Presidentit Obama të atyre që sot na tregojnë patriotizmin konsensual!”,- shkruan Elisa.

Në fakt patriotizmin konsensual e ka përmendur për herë të parë pikërisht Ilir Meta, në seancën e 21 korrikut, kur kriza ishte më afër se kurrë mes mazhorancës e opozitës, por edhe mes PS-së e LSI-së, si parti që bashkëqeverin. Ilir Meta e tha këtë aksiomë,  e cila me shumë finesë përmendet nga Spiropali, por që duhet të ketë marrë një OK edhe nga Edi Rama, i cili edhe do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por edhe karrigen e Kryeministrit e ka qejf. Të dyja nuk shkojnë, ose me saktë nuk do ta lënë t’i ketë. Njërën ose tjetrën!

Fakti që Spiropali thekson në profilin e saj në Facebook, dhe jo si qytetare, por si zyrtarë e lartë e PS-së tregon se diçka po luhet në kupole.

Spiropali shkruan nder te tjera se: “….shkoi deri në paralajmërimin publik të SHBA për futjen në listën e zezë të Presidentit Obama të atyre që sot na tregojnë patriotizmin konsensual!”. Pra Spiropali thotë se Ilir Meta e bëri “patriotizmin konsensual” se ishte në listën e zezë të presidentit Obama! Akuzë e rëndë kjo nga një zyrtarë e lartë në PS dhe mike e kryeministrit Rama. Pse nuk e bënë vetë kryeministri, pasi do të ishte më burrërore sesa të fshihet pas fustanit të një femre të kupolës së PS-së.

Me sa duket do të kemi një verë të nxehtë, jo vetëm nga kushtet klimaterike të motit, por edhe në nga zhvillimet politike. Duket se Rama e synon me çdo kusht prishjen e konsensusit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, siç e këshillojnë në selinë rozë, sepse kuotat publike të qeverisjes po shkojnë përditë e më keq.

Me këtë sherrnajë për 7 ligjet e reformës duket se mjeshtërisht Rama do t’i heq emrin e mirë Bashës që fitoi në SHBA e BE dhe të përmbysë anijen e tij qeveritare, sepse mendon se e shpëtojnë jelekët e ujit. Por në ujë tashme ka “peshkaqenë” që e hanë me gjithë lecka kryeministrin, nëse bën veprime të pabesa dhe kundër paktit.

Sidoqoftë, Elisa Spiropali e bëri një efekt pozitiv: Bëri që qeveria të rrezohet më shpejt se sa mendohej.

SHKARKO APP