Spitalet Covid midis “bunkerizimit” dhe luftës për shpëtimin e jetës…

Nga Gëzim Tushi –

Jeta spitalore e zhvilluar në mënyrë gati paradoksale në këtë kohë të pandemisë, ka qënë në qëndër të debatit politik, diskutimeve profesionale dhe gjykimeve empirike të opinionit publik. Gjithë ky debat ka qënë jetik edhe kur vlerësimet për veprimtarinë spitalore janë bërë me superlativa apo kur kritikat kanë qënë gati destruktive, nihiliste e penguese për punën dhe logjikën e veprimtarisë institucionale. Nuk mbaj mend që spitalet tona, në tërë historinë e tyre të kenë kaluar një situatë kaq të ndërlikuar dhe delikate. Kurë më parë, asnjëherë në “historitë spitalore”, nuk ka patur një gjëndje kaq paradoksale, që të ketë imponuar një “status” të tillë ndërlikuar të trajtimit spitalor, një izolim të tillë kaq të fortë, hermetik pothuaj total të pacientit duke bërë ndërprerje të plotë të kontakteve me të afërmit dhe njerëzit e tjerë të dashur të tyre.
Kjo masë ishte dhe është akoma e domosdoshme, për shkak të natyrës së virusit, tipologjisë së pandemisë, e cila u kthye në “barrë shtesë” spitalet Covid, për mjekët, infermieret dhe punonjësit e tjerë të shërbimit, të cilët për të kompensuar këtë situatë restriktimi human dhe izolimi social, e ndjenë si obligim professional, detyrim human të luanin “role të dyfishta” institucionale. Ndoshta edhe të shumfishta, duke tentuar që me punën e tyre të “zbutin” pasojat e mundshme, psikologjikisht degraduese edhe shpirtërisht dëshpëruese.
U bë gjë e zakonshme në “Spitalet Covid”, që mjekët dhe infermierët të sillen edhe me pacientët si prind, vëlla, motër, por mbi të gjitha si psikolog empirik apo i kultivuar, si njerëz që duhet të tregonin përvec kujdesit fizik, empati të zgjeruar psiko-sociale në komportimin me të sëmurët. Ky rol i dyfishtë, në këtë situatë spitalore të jashtëzakonshme, ishte i domosdoshëm të aplikohej në mënyrë organike dhe me elokuencë humane të spikatur, në të njëjtën kohë nga mjekët dhe infermierët. Të cilët në përgjithësi, duke dëgjuar vlerësimet e bëra nga “përfituesit” e shërbimit spitalor, mendimet e të afërmve të tyre dhe nga media, e kapërxyen këtë vështirësi shtesë me elegancë.
Nuk është gjë e lehtë që në situate të tilla, tejet të ngarkuara me punë dhe të agravuara emocionalisht, punonjësit e spitaleve Covid të shmangën, atë “ndarje mekanike”, që zakonisht është e pranishme në trajtimet spitalore, që shfaqet në lidhjet dhe marrëdhëniet midis “lëkurës së pacientit” dhe individualitetit të njeriut si person. Spitalet Covid kanë treguar anën e tyre të ndritur por dhe gjëra jo të shkëlqyeshme. Kjo është arsyeja pse sociologët e mjekësisë thonë se, “Nëse ka një vend njerëzie, është pikërisht spitali. Dhe nëse ka një vend cnjerëzie, është po ashtu spitali”. (Edgar Morin “Rruga për të ardhmen e njerëzimit”, f 236)
Megjithatë është evident fakti që veprimtaria spitalore në spitalet Covid, bërë të mundur një veprim përgjithësisht të kompaktësuar në plotësim të misionit për të bërë gjithcka për mbrojtjen e jetës së njerëzve të infektuar nga virusi. Një përpjkeje e vazhduar dhe e realizuar, duke zbatuar parametrat e funksionit spitalor. Në këtë kontekst, deyrë e parë e punonjësve dhe specialistëve ka qëmë e lidhur ngushtë me nevojën për ta bërë mjedisin e spitalit sa më njerëzor. Kjo përgjegjësi ultimative solli unifikimin e figurës së punonjësve të spitalit si profesionist, përballë nevojave të pacientit nga njëra anë dhe njeriut si personalitet i shkëputur për një kohë të pacaktuar nga “hapësira shtëpiake”, familja, mjedisi profesional dhe njerëzor si dhe kontaktet me të afërmit e tyre. Situata ka qënë tejet e ngarkuar, komplekse. Kushtet për trajtimin e pacientit si qenie njerëzore, jo gjithnjë është plotësisht e mundur në kushtet e zgjeruara të pandemisë.
Megjithatë besoj se pavarësisht ndonjë mangësie cilësore në strukturat spitalore dhe nevojës për një ridimensionim të ekipeve multidisiplinare, me prani më të shtuar nga ana sasiore dhe organike të punonjësve me profesione “psi” (psikolog klinik’ apo gjeneralist, i përgjithshëm apo moshor, psikoterapist, etj), mjekët dhe infermierët e spitaleve, u “detyruan” që në kontaktet e përditshme dhe trajtimet specifike mjekësore të njerëzve me Covid, qoftë në gjëndje spitalore kalimtare, të shërueshme apo terminale, kanë qënë të detyruar që në emër të “misionit dhe funksionit” të tyre, të bëjnë aq sa ka qënë e mundur, edhe rolin psiko-sociologut.
Si asnjëherë më parë, këto kohë të mbingarkesave dhe trajtimit të pacientëve me Covid-19, u evidentuan shumë arritje, suksese por dhe mangësi të rrjetit të spitaleve, që mbase janë edhe probleme për një rishikim të strukturës përmes një reforme spitalore më adekuate.
Megjithatë, duke parë angazhimin serioz të institucioneve spitalore Covid, mund të thuhet pa mëdyshje, se si institucione mjekësore ato garantuan në një masë të konsiderueshme unitetin e misionit me funksionin e tyre. Dhe kjo nuk është pak.
Përkundrazi flet shumë për atë që është arritur, strukturalisht dhe funksionalisht në to. Mjafton njëri nga këto hallka të calonte, misioni apo funksioni i spitaleve Covid në këto kohë të vështira, me siguri që ato do të përballeshin me gjëndje të kolapsuar ose me degradim të këtyre tipareve esenciale institucionale.
Një nga problemet me të cilat u ndeshën spitalet Covid, dhe që u përjetua gjërësisht në publik ishte imazhi i tyre. Nje problem delikat midis thelbit dhe cilësisë së shërbimit të ofruar, i cili në përgjithësi megjithë ndonjë të metë e mangësi materiale, kapaciteti shërbimi apo ndonjë gjëje tjetër akoma më periferike, ka qënë në përgjithësi në përputhje me protokollet e OBSH, me standartet e njohura të trajtimit epidemiologjik dhe praktikat e mira të spitaleve analoge të vendeve të tjera. Por nga ana tjetër, sasia e madhe e të sëmurëve të shtruar në këto spitale dhe numuri relativisht i lartë i njerëzve që nuk e “fituan betejën” me virusin dhe për pasojë kanë humbur jetën, ka ndikuar në “imazhin” e këtyre spitaleve.
Ndonjëherë njerëzve u krijua përshtypja, se spitalet Covid ishin thjesht vende trajtimi të një “sëmundjeje të pashërueshme”. Gjë që nuk ishte dhe nuk është e vërtetë. Vërtetë kanë humbur jetën disa qindra njerëz për shkak të virusit Covid-19 apo të alambikimit fatal të saj me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, por nga ana tjetër, janë disa mijra të tjerë që kanë gjetur shërim, pikërisht në këto ambiente të kurimit spitalor, nën kujdesin e vazhduar, të pandërprerë të stafeve mjeksore spitalore. Barra e spitaleve Covid ka qënë tejet e madhe, me shumë vështirësi për tu realizuar e përballuar sipas standarteve më të mira spitalore.
Të mos harrojmë që situata sui generis e spitaleve, specifika e infeksionit dhe sëmundjes së virusit, izolimi strikt i të sëmurëve nga kontaktet dhe komunikimet me ambientin dhe faktorët jashtë spitalorë, e ndërlikuan shumë funksionimin e logjikës tradicionale spitalore klasike. Në këto kushte personeli kompakt i spitaleve, duke qënë secili në pozicionin e vet, duke luajtur me kompetencë rolet dhe përgjegjsitë sipas pozicionit të tyre në skakierën e spitalit, kanë qënë të detyruar të vlerësojnë në mënyrë paralele, të sinkronizuar gjithshka që lidhet me situatën e trupit dhe fiziologjinë e pacientit. Por në të njëjtën kohë, duke qënë në kushte të izolimit të thellë, pa kontakte me familjen, ata janë marrë dhe me trajtime të gjëndjes psikologjike të tyre.
Kjo jo vetëm për parimet standarte të “Betimit të hipokratit” dhe determinimin humanist të “bluzës së bardhë” e cila në sytë e pacientit është “magjike” e shpëtimtare, por mbi të gjitha për një aspekt të vecantë mjekësor, deontologjik të njohur: Kur i sëmuri është në ankth, i shqetësuar, pesimist për të ardhmen, i deprimuar nga situata spitalore, doemos që fillon e dobësohet “mbrojtja imunologjike”, që është kushti i parë negativ dhe favorizues i përkeqësimit të gjëndjes shëndetësore të pacientit. Përkundrazi puna, që duhet bërë në spitale për të “rindërtuar” aq sa është e mundur “shpirtin aktiv dhe optimist” të pacientit, është një aset me vlerë, komponent me rëndësi që ndihmon dhe bashkon mjekun me pacientin në luftë me sëmundjen.
Dhe sikurse dihet që nga kohët e vjetra, kur pacienti bashkohet me mjekun dhe bëhen “një” ata mund ta mposhtin sëmundjen. Ky bshkërendim i mjekut me pacientin nuk ka qënë gjithnjë i lehtë, madje sikurse dihet në ndonjë rast kur frika dhe paniku janë bërë të paadministruara nga ndonjëri prej tyre, për fat të keq ka gjetur “rrugën e shkurtër” por më të papranueshme: suicidin, vetvrasjen, marrjen e gabuar, vullnetare të jetës së vet. Është e natyrshme që personali i spitaleve Covid, pavarësisht punës së lavdërushme që kanë bërë, duhet, madje janë të detyruar ti kushtojnë më shumë vëmendje kësaj dikotomie komplekse të ndikimeve degraduese të virusit Covid-19, në mënyrë të njëkohëshme: edhe mbi trupin dhe shëndetin fizik, por edhe mbi mendjen, shpirtin e drobitur të pacientit të infektuar. Është e vërtetë e njohur, gjëndjet e pacientit kur ai është i mbushur me ndjenja pesimiste, emocione negative bëhen serioze dhe mund të cojnë në “crregullime funksionale”, që mund të prodhojnë edhe fatalitete të padëshiruara.
Kështu që sjellja “dyfishe” është obligative për punonjësit e spitalit. Atyre u duhet të investojnë jo vetëm në aspektin e perfeksionimit të sjelljes humane dhe teknikave të buta të komportimit njerëzor me pacientët, por mbi të gjitha duhet vlerësuar aspekti mjekësor, ndikimi pozitiv optimist e nxitës në luftën me virusin apo pasojat degraduese e shkatëruese, kur pacienti bie në gjëndje depresive, dëshpërimi, ankthi e pezimizmi, duke i cënuar rëndë kuotat e shëndetit mendor dhe gjëndjen psiko emocionale. Të cilat pastaj “bëhen” aleatë të mirë të gjëndjes së rënduar shëndetësore, armiq të egër të kujdesit, trajtimeve terapeutike mjekësore dhe shërbimeve të tjera spitalore.
Përvoja e kohës së pandemisë dikton nevojën për një rishikim të këtij aspekti, që ka të bëjë me veprimet koherente dhe shikimet kompakte në të dy anët e ndihmës për pacientin: atë fizik e fiziologjik por edhe social dhe psikologjik. Spitali duke vendosur më mirë këta dy komponentë, këta “dy kuaj” të betejës në trajtimin e sinkronizuar fizik dhe psikologjik të pacientëve, do të ketë më shumë sukses në menaxhimin e situatës dhe përballimin e vështirësive që ajo ka krijuar për shkak të specifikës dhe natyrës së sëmundjes.
Me aq sa ka qënë e mundur dhe aq sa ka qënë transparent informacioni i situatës që zhvillohet në spitalet Covid, nga deklaratat profesionale dhe komunikimet mediatike me personat e marrëdhënieve publike të MSHMS, është pa frikë e lejueshme të pohohet se puna vetmohuese e mjekëve, infermierëve dhe personelit të përgjithshëm, ka qënë në nivele të pranueshme disipline e përgjegjësie profesionale.
Madje në aq mundësi sa kemi patur për t’i parë ata si grup i strukturuar e kompakt profesional në daljet e pakta mediatike, të krijohej përshtypja e një “orkestre simfonike”, tejet e intonuar, në të cilën secili “instrumentist” përpiqet të luajë më saktësi dhe precizion rolin e vet, pa krijuar shqetësime në nevojën e intonimit perfekt të “orkestrës spitalore”. Në mënyrë të vecantë kanë qënë plot karizme dhe autoritet, të paktën në spalet Covid 1 dhe Covid 2 drejtuesit e tyre tërë vullnet dhe të palodhur në punë. Tamam në rolin e “dirigjentëve” për të organizuar dhe drejtuar “orkestrën spitalore”, sa më kompakte dhe efektive. Pavarësisht rezulteve dhe të metave të shërbimit në spitalet Covid, në sajë të punës së mjekëve dhe personelit të devotshëm, virusi nuk ja arriti qëllimit kryesor e të “planifikuar”, për të shkatërruar personalitetin e personelit mjekësor dhe bashkë me të edhe të pacientëve.
Padyshim, sipas vlerësimeve të organizatave autoritative, veprimet, ndërhyrjet e mjekëve dhe personelit mjekësor nëpër spitalet Covid 1,2,3 janë realizuar përgjithësisht me kompetencë profesionale, në ambiente të përshtatshme dhe pa mungesa serioze të nevojave materiale e medikale. Është krenari spitalore që në këto ditë mbingarkesash të paimagjinueshme, situate kaotike e inonduar me frikëra e pasiguri, nuk dëgjuam për asnjë rast veprimi të gabuar joprofesional të mjekëve në trajtimin e pacientëve, nga procedimet iatropatologjike apo për mungesë competence.
Është një meritë që u duhet njohur mjekëve, infermierëve, punonjësve të spitaleve dhe qëndrave shëndetësore, që kanë qënë dhe janë në ballë të situatës anticovid, pa asnjë hezitim, mëdyshje apo lëshim në “frontin e zjarrit”, përballë me rrezikun eminent dhe kërcënimet vdekjeprurëse të virusit…
*Sociolog, “Mjeshtër i Madh”

SHKARKO APP