Stadiumi, model i duhur në vendin e paduhur
“Ky është një model që po përdoret me sukses në vende të ndryshme të botës, dhe ka ndikuar në mbajtjen në kontroll të shpenzimeve buxhetore të tyre, ndërkohë që ka nxitur investimet private. Por a është duke u përdorur në vendin e duhur ky model, në rastin e stadiumit kombëtar në Tiranë?“…
Nga Eduard Zaloshnja
Kam dëgjuar njerëz që e kundërshtojnë ndërtimin e stadiumit kombëtar nga një investitor privat, duke argumentuar se nuk i duhet falur një tokë e vlefshme publike një firme private. Sipas tyre, stadiumi duhet ndërtuar me paratë e buxhetit të shtetit dhe të UEFA-s, ose të ndërtohet me koncension, e t’i kthehet shtetit pas një periudhe 25-30 vjeçare. Këto ide janë shprehje e mendësisë etatiste që mbizotëron në Shqipëri dhe në gjithë të majtën e vjetër europiane, e cila sheh shtetin si shtyllën themelore të zhvillimit të një vendi, e jo sektorin privat.
Financimi i drejtpërdrejtë nga buxheti kërkon që të shpenzohen dhjetëra miliona euro për një stadium të ri, e të mos shpenzohen për funksionet themelore të shtetit. Ndërsa ndërtimi me koncesion kërkon që shteti t’i japë garanci financiare koncensionarit, sepse të ardhurat e parashikuara nga stadiumi nuk garantojnë një fitim të arsyeshëm nga investimi (Kompania italiane Serenissima u tërhoq nga ndërtimi me koncension pikërisht sepse FMN-ja i sugjeroi qeverisë shqiptare që mos ta jepte garancinë financiare).
Ndërsa modeli i partneritetit publik-privat, që është zgjedhur për ndërtimin e stadiumit kombëtar, nuk kërkon asnjë shpenzim nga buxheti i shtetit, por i jep investitorit të drejtën që, së bashku me stadiumin (që do të jetë pronë publike), të ndërtojë edhe ambiente komerciale private, të cilat do t’i sjellin atij fitimin që do të justifikonte investimin e dhjetra miliona eurove.
Ky është një model që po përdoret me sukses në vende të ndryshme të botës, dhe ka ndikuar në mbajtjen në kontroll të shpenzimeve buxhetore të tyre, ndërkohë që ka nxitur investimet private. Por a është duke u përdorur në vendin e duhur ky model, në rastin e stadiumit kombëtar në Tiranë?
Së pari, zona ku do të ndërtohet stadiumi (në vendin ku ekziston stadiumi i vjetër kombëtar) ka një dëndësi të madhe godinash të larta komerciale dhe rezidenciale. Shtimi i ambjenteve komerciale që parashikon projekti i publikuar i stadiumit, do ta rriste shumë ngarkesën e trafikut në atë zonë në çdo ditë të javës. Ndërsa në ditët e ndeshjeve të forta, trafiku do të ishte një ferr i vërtetë.
Së dyti, zona ku do të ndërtohet stadiumi është monumentale. Mballosja e ballinës së stadiumit të vjetër mbi ballinën e të riut nuk e shpëton ansamblin monumental të atjeshëm nga shpërfytyrimi.
Së treti, meqënse stadiumi i ri nuk do të ketë pistë atletike, do të ndërtohet një kompleks atletike në pjesën e parkut në jug të stadiumit. Kjo da ta kafshonte edhe më tej Parkun e Liqenit Artificial, i cili është kafshuar tashmë në shumë vende.
Me pak fjalë, modeli i zgjedhur për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar është i duhuri, por vendi ku do të ndërtohet nuk është i duhuri. Një vend i përshtatshëm për stadiumin kombëtar mund të ishte fundi i bulevardit të ri, që po ndërtohet në pjesën veriore të kryeqytetit.