Statusi i PS, nga Brioni i Nanos tek Donato i Ramës
“Ndryshimet që u bënë tetë vjet më parë i kthyen gati si monarkë kryetarët e dy partive të mëdha. Ata vendosin për gjithçka që nga listat për deputetë deri tek drejtuesit e institucioneve te drejtësisë. Berisha e Rama e qepën kushtetutën, si kostumet e Donatos su misura”...
Nga Ilir Babaramo
Mund të duket e çuditshme por është e vërtetë. Ka një ngjashmëri të pabesueshme si kryetarët e Partisë Socialiste blejnë kostumet me mënyrën si ndryshojnë statutin e partisë së tyre. Kjo ndodh sepse të dyja, si statuti ashtu dhe kostumet zgjidhen në bazë të shijes dhe skrupullit njerëzor që kanë ose nuk kanë ata që vendosin.
Entourage i Nanos mban mend një ngjarje me përmasa proverbiale por realisht të vërtetë. Kishte vdekur papa Vojtila dhe gjithë kryetarët e qeverive ose të shteteve u dyndën në qytetin e përjetshëm për t’i dhënë lamtumirën Papës më të famshëm të shekullit XX. Shqipëria ishte i vetmi vend që u prezantua me të dy, dhe me presidentin dhe me kryeministrin. Por në rreshtin e parë në Bazilikën e Shën Pjetrit kishte vend vetëm për kryetarin e shtetit. Nano donte të dilte patjetër në televizor. Këtë punë e zgjidhi Taulanti. Shkoi hoqi bexhin ku ishte shkruar Algjeria dhe Nano u ul në krah të Moisiut, ndërsa Buteflika ngeli në këmbë.
Protokolli i Selisë së Shenjtë u terrorizua dhe nuk kuptonte gjë. Sa të merrnin vesh se çfarë ndodhi Nano kishte mbaruar punë. Mesha përfundoi, Taulanti pas këtij heroizmi mori premtimin se do futej në listën e kandidatëve për deputetë ndërsa Nano mori rrugën për në Via Veneto. Hyri në dyqanin e Brionit. Kaloi në revistë kostumet e varura , ku më i liri ishte 5 mijë euro. I vuri gishtin dhjetë prej tyre. Eskorta që e shoqëronte ishte me karabinierë të ardhur enkas nga provinca e largët e Rexho Kalabrias. Karabinierët qëndruan jashtë, mbështetën ballin të vitrina dhe shqyen sytë nga habia si ata dy jetimët e “Lulëkuqe mbi mure”.
Për një javë i dua në Tiranë, – i tha Nano shoferit të ambasadës. Ia bëri me shenjë Narit i cili mbaroi punë tek kasa. Gjithë skena nuk shkoi më shumë se 4 minuta. E megjithatë Nanos kostumet nuk i rrinin fiks pas trupit, jo vetëm për shkak të fizikut të tij. Rrobaqepësit në Tiranë i shkurtonin mëngët, pastaj lëviznin komçat, kthenin astarin por prapë kostumi nuk i përshtatej plotësisht konstruktit rrondokop të kryetarit të PS.
Ishte koha kur sherret e pafund të KPD i tolloviteshin trupit të Partisë Socialiste dhe Ruçi sado usta që të ishte nuk arrinte të meremetonte gjithçka. Sado rrobaqepës i mirë që të ishte numri dy i PS e kishte të vështirë që brenda një viti të kërkonte ndarjen e postit të kryetarit të partisë nga ai i kryeministrit dhe ca muaj më pas të mbështeste të kundërtën.
Kështu që herë zgjat dhe herë shkurto kostumi kryeministror i Nanos u gris dhe socialistët e futën në dollapin e partisë ku tani nuk përdorin më as molë.
Çështjen e kostumeve Rama e ka zgjidhur ndryshe. I qep me porosi, ose su misura siç thonë fisnikët e rinj të Tiranës. Nëse do të jesh me klas, nëse do të pranosh në elitën e Shqipërisë, kostumet duhet të t’i qepë Donato. Donato është rrobaqepës që vjen një herë në muaj nga Milano në Tiranë. Gjithë parallinjtë vihen në radhë. Donato u merr masat, i pyet çfarë marke do dhe një muaj më pas ua nis të përfunduara.
Natyrisht tek astari ka rrasur etiketën e firmës që ka zgjedhur blerësi.
Armani është më i preferuari. Donato ka gjetur thesarin në Tiranë. Çmimet merren me mend. Këtë radhë Nari nuk e përballon dot. Donato e ka kuptuar se biznesi më fitimprurës është ai që shet vanitetin njerëzor.
Statuti që po adopton Partia Socialiste në Kongresin e javës që vjen ngjan si kostumet e Donatos, su misura. “Rrobaqepësit” e PS, Ruci dhe Xhafa po i vënë “kostumit” të statutit një etiketë firmato: Partia laburiste. Rama jo vetëm që ka hequr dorë nga ajo që proklamonte 12 vjet më parë se PS duhet të lejojë fraksionet, por kryetariiI partisë nuk votohet nëse është kryeministër, një kostum fiks sipas trupit të tij.
Dhe Donato do befasohej me mjeshtërinë e Rucit.
Ndryshimi i statuteve të partive do ishte një e keqe e vogël nëse e krahasojmë si e qepën Berisha dhe
Rama Kushtetutën e Republikës. Ndryshimet që u bënë tetë vjet më parë i kthyen gati si monarkë kryetarët e dy partive të mëdha. Ata vendosin për gjithçka që nga listat për deputetë deri tek drejtuesit e institucioneve te drejtësisë.
Berisha e Rama e qepën kushtetutën, si kostumet e Donatos su misura.
Shqiptarja.com