Media në Shqipëri, armë e pronarëve për interesa politike dhe ekonomike

Sipas një studimi të Reporterëve pa Kufij dhe BIRN të dhënat për audiencën audio-vizive në Shqipëri janë të deformuara dhe nuk janë të besueshme.

DW: Ju drejtuat studimin investigativ për pronësinë e mediave dhe pluralizmin e mediave në Shqipëri, të kryer nga BIRN – Shqipëri dhe Reporterët pa Kufij – Gjermani. Gjetjet kryesore të këtij studimi flasin për një treg mediatik të deformuar, në pronësi  të 4-5 familjeve, mungesë pluralizmi dhe rregullash mbrojtëse për gazetarët, autocensurë etj. Nga skanimi që studimi i bëri strukturës së pronësisë së mediave në Shqipëri, cila gjetje ju ka bërë më shumë përshtypje?

Olaf Steenfadt: Ka disa gjetje, të dhëna  që besoj se janë specifike për Shqipërinë, krahasuar me studime të njëjta të kryera në vende të Europës dhe në botë. Nga pikpamja pozitive, ajo që nuk e kemi parë në vende  të tjera, por vetëm në Shqipëri është transparenca e të dhënave financiare për kompanitë mediatike. Ne patëm mundësi të llogarisim aksionet në tregun mediatik dhe fitimet e kompanive mediatike. Në vende të tjera nuk ka transparencë për të dhënat financiare të kompanive mediatike. Kjo është një veҫori pozitive për Shqipërinë. Por ndër gjetjet negative, që më ka bërë përshtypje, është përqëndrimi shumë i madh i audiencës, sidomos televizive në dy- tri duar, në dy-tre familje. Dua të them që numri aktual i stacioneve TV, i gazetave të përdishme apo website-t është  një gjë dhe kontrolli aktual  pas numrit të të punësuarve është diçka tjetër. Dhe kjo është një gjetje e zbuluar nga studimi ynë, që natyrisht ka të bëjë me tregun e reklamave, i cili në vende të vogla si Shqipëria, zakonisht  varet nga një numër shumë i vogël kompanish shumë të mëdha, që janë pronare të medias audio-vizive dhe të shkruar. Mund të them që bazuar në shpenzimet për reklama dhe nga analiza e përmbajtjes se reklamave kanë një ndikim të madh në gazetari.

DW: A keni ndeshur vështirësi për të realizuar studimin, marrë informacionin lidhur me strukturën e pronësisë së mediave dhe kompanive mediatike në Shqipëri?

 Olaf Steenfadt:  Po dhe  Jo. Në Shqipëri gjetëm gatishmëri për të pasur në dispozicion pjesën më të madhe të të dhënave. Sfida jonë ishte të llogarisnim, interpretonim saktë të dhënat e vjela dhe t’i bënim ato të lexueshme/ të kuptueshme për të gjithë. Ndërkohë, ajo që përbën përherë një problem është vleftshmëria e të dhënave lidhur me audiencën. P.sh. në Shqipëri dy institute sondazhesh – Abacus dhe Telemetrix – publikojnë kryesisht të dhëna për median audio-vizive dhe të dhënat e tyre janë shumë larg nga njëri-tjetri, nuk përputhen. Natyrisht nuk mund të gjykojmë për vlefshmërinë e të dhënave të tyre por në një vend kaq të vogël si Shqipëria, me një popullsi të vogël prej tre milion banorësh, duke folur nga pikëpamja teknike, do të ishte e mundur që të prodhoheshin të dhëna të  besueshme. Dhe nëse dy institute profesionale dalin me dy tablo krejtësisht të ndryshme për audiencën audio-vizive, kjo ka vetëm dy shpjegime: ose nuk janë profesionistë ose prodhuesit e të dhënave lidhur me audiencën janë të korruptuar, gjë që e hasim në shumë vende, pasi rritja e audiencës është pagesa për të shitur reklamat. Natyrisht nuk kemi prova për këtë, por ajo që shihet qartë është se të dhënat për audiencën audio-vizive në Shqipëri janë të deformuara dhe nuk janë të besueshme.

DW: Ju keni drejtuar studime të tilla në Europën Jugore dhe përtej Atlantikut, A ka të përbashkëta në situatën e strukturës së pronësisë së mediave, psh mes Shqipërisë dhe ndonjë vendi tjetër në rajon, apo më gjerë?

Olaf Steenfadt:  Mund të them me bindje që në nivel global po ndodh ajo që ne e quajmë “oligarkizimi i medias” pra gazetaria sa shkon dhe bëhet një profesion i pasigurtë dhe i rrezikuar; sa më shumë që media kapet nga aktorë që bëhen pronarë të saj për të realizuar thjesht qëllimet  e tyre  politike apo ekonomike, që përdorin pronësinë në media si armë për arritjen e këtyre qëllimeve. Dhe këtë e kemi parë në Serbi dhe besojmë që në një farë mase kjo ka ndodhur dhe në Shqipëri. Të dyja vendet janë në procesin e hyrjes në BE, natyrisht në faza të ndryshme, por kjo situatë e pronësisë së tregut mediatik u bën dëm  në progresin e tyre drejt BE.

DW: Nga përvoja juaj si konsulent për  pluralizmin në media, cili është hapi i parë, emergjent që duhet ndërmarrë për të filluar ndryshimi për mirë i situatës?

Olaf Steenfadt: Personalisht besoj në thënien: “Më trego peizazhin e medias, të të them se në cilin vend jeton”. Pas peizazhit të medias qëndron një kultuë e tërë. Dhe kjo më bën të besoj se gjithçka fillon me vullnetin politik, dhe kjo nuk është vetëm për Shqipërinë. Përveҫ vullnetit politik fillon nga të kuptuarit e thellë prej elitave politike që media, e cila luan rolin e saj origjinal si “pushteti i katërt” dhe  “watch dog” është vetëm diҫka pozitive, e mirë për vendin.

DW: Ju jepni leksione në universitetet gjermane dhe europiane lidhur me politikat në media dhe rregullatorët e saj. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?

Olaf Steenfadt: Një nen i rëndësishëm në ligjin e medias në Shqipëri, që rregullonte përqëndrimin e pronësisë vetëm në disa duar duke kufizuar sasinë e aksioneve që mund të merrte një TV kombëtar një individ apo kompani deri në 40% u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese para dy vitesh, në 2016, gjë që përbën një kthim mprapa. Dhe tregon tanimë drejtimin sesi po ecin gjërat në Shqipëri. Ka shumë shembuj të përqëndrimit dhe kontrollit të medias vetëm në disa duar, ka shumë masa rregullatore në botë, që dështojnë apo funksionojnë mirë lidhur me përqëndrimin e pronësisë. Nuk është çështja e miratimit të ligjeve të reja, por e zbatimit të ligjeve ekzistuese.

DW: Në fakt edhe pa studimin investigativ në Shqipëri të gjithë e dinë që pronësia në media është përqëndruar në 4- 5 familje. Dukuri shqiptare, apo europiane dhe botërore?

Olaf Steenfadt: Jo, jo. Nuk është dukuri shqiptare. Në Brazil p.sh. ka një traditë të gjatë veçanërisht në nivelin e shtetit, kryesisht pronarë tokash, që janë anëtarë të senatit dhe drejtues të edicionit kryesor të lajmeve. Kjo lloj marrveshjeje e fshehtë mes pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik është diçka që po rritet./dw/

Olaf Steenfadt është drejtor global i studimeve investigative “Monitorim i Pronësisë në Media” dhe përfaqësues i Reporterëve pa Kufij – Gjermani në kryerjen e këtij studimi në Shqipëri,

SHKARKO APP