Stefani iu përgjigjet kritikëve të tij për “dashurinë” me Berishën
Nga Andrea Stefani*
E sulmonin ditë më parë kolegun Mustafa Nano. Demek qenka i keq sepse urren Berishën! E kanë bërë, e bëjnë dhe do ta bëjnë edhe me mua, Mero Bazen e të tjerë kolegë, të gjithë zelotët që rrëmbejnë “penën” për të mbrojtur “udhëheqësin e dashur të partisë dhe të popullit”. Ata, mjerisht, nuk kanë shpëtim. Sepse është edhe karakteriale kjo punë.
***
Ta shpjegojmë: Në vitin 1931, pak para se Hitleri të vinte në pushtet, Instituti i studimeve sociale në Frankfurt, zhvilloi një studim për të parë se cili do të qe qëndrimi i gjermanëve ndaj nazizmit. Dhe zbuluan se 10 përqind e popullatës, për shkak të karakterit autoritar (që priret nga nënshtrimi por edhe sundimi) do ishin berishistë, më falni, nazistë të flaktë. Një pjesë prej 15 për qind, për shkak të karakterit jo autoritar, nuk do të bëheshin kurrë nazistë. Pjesa tjetër, rreth 75 për qind, për shkak të karakterit të përzier, nuk do qenë të flaktë por do integroheshin me palën fituese.
***
Dua të them, se do ketë përherë një fraksion të popullsisë që do i bashkohet vendosmërisht një lideri nekrofil dhe karizmatik pra, një tipi Hitleri, duke e justifikuar deri edhe për krime të përbindshme, sikundër justifikojnë sot Berishën për masakrën e 21 janarit. Këta janë kundërshtarë të vendosur të demokracisë dhe lirisë por që duhen mposhtur me liri e demokraci. Para së gjithash, duke mos lejuar që të mposhtin, të kompleksojnë, lirinë tënde për të thënë të vërtetën dhe kritikuar kultin e liderit të tyre. Dhe së dyti, duke mos lejuar që një pjesë e popullsisë (si ai 75 përqindëshi), të mashtrohet prej atij 10 përqindëshi që prostituimin e vet me kultin e liderit, e shpall rrejshëm si dashuri a humanizëm, ndërsa kritikën për të, si urrejtje.
***
Mos u merrni më me Berishën se ka ikur! – thonë dhe mashtrojnë ata që syrin dhe shpresën e kanë te Berisha dhe vetëm te Berisha, këtu e 25 vjet. Tabloja është tejet groteske! Ne, kritikët, themi mjaft me Berishën se jemi ngopur me marrëzitë e tij! Ata, mbrojtësit e Berishës, thonë mjaft se janë marrosur pas Berishës! Sepse për ta Berisha është Mesia, shpëtimtari. Ndaj janë të paaftë të lirojnë mendjet dhe shpirtrat nga ky idhull anakronik këta idhujtarë të devotshëm! Të paaftë ta kërkojnë shpresën dhe shpëtimin jo te Mesia, por te sistemi i institucioneve të drejtësisë dhe lirisë që Mesia i shkatërron dhe i pengon. Sepse ja kufizojnë pushtetin që ka edhe mbi ata vetë!
***
S’jemi ne, kritikët e një kulti anakronik, që duam të vazhdojmë përjetë me Berishën, por ju që i shkoni pas. Në kritikojmë Berishën se refuzojmë të vazhdojmë gjithë jetën me të. Ju na sulmoni pikërisht se doni të vazhdoni gjithë jetën me Berishën. Në duam ta largojmë Berishën se e dimë që ne dhe Shqipëria do të bëjmë jashtëzakonisht më mirë pa të. Ju që e mbroni, sepse e dini që jeni askushi pa Berishën, na akuzoni se nuk bëjmë dot pa Berishën! Ne duam që drejtësia të veprojë edhe mbi Berishën. Ju doni që Berisha të qëndrojë përjetësisht mbi drejtësinë duke rrënuar atë që është themeli i sistemit me liri, barazinë e të gjithëve para ligjit.
***
Shiteni si kalorës të dashurisë por që nuk e fshehin dot urrejtjen ndaj çdo kritiku të Berishës. Një urrejtje banale, vaj lubrifikant i mekanizimit të së keqes banale. Është furia e privilegjeve të kërcënuara. Është aq stërmadhe sa nuk e fshihni dot duke u shtirur si kalorës të dashurisë. Urrejtja juaj është antiliri. Sepse komandon: Mjaft, pushoni!
***
Është e egër urrejtja juaj. Aq e egër sa prodhon “armiq të Atdheut”. Ata jemi ne, kritikët e idhullit tuaj. Dhe meqenëse kritikojmë atë që adhuroni verbërisht, duhet të jemi shumë të këqij. Prandaj na shpallni palë me të këqija historike për shqiptarët. Na shpallni agjentë të grekut a serbit a dreqit me brirë. Harroni se dikur të kritikoje diktatorin komunist, nuk akuzoheshe për më pak. Por të verbuar dhe tërbuar nga frika dhe ankthi ekzistencial, ju nuk kuptoni se jeni shndërruar në vazhdues të një modeli të vjetër që me dy gishta lart, kremtuat kinse e përmbysët. Në fakt, kjo është e trishtueshme, është ai model që ju përmbysi ju dhe tashmë dy gishtat e fitores së njeriut mbi kultet që e robërojnë njeriun, janë bërë simboli i nënshtrimit të ri ndaj një kulti poshtërues për njeriun. Bëtë dhe po bëni më të keqen. Grabitët simbolet e lirisë, emrin e demokracisë, dhe i bëtë maskë të autokratit dhe autokratizmit.
***
Dashuria e juaj për liderin është një dashuri narciste. Prandaj edhe pjell një solidaritet narcist të grupit rreth liderit. Prandaj kush kritikon Berishën, duhet të marrë parasysh se do ketë të bëjë me tërbimin tuaj. Me skalionet tuaja që prej 25 vjetësh i zënë vendin njëri tjetrit. Sepse të luftosh me kultin e liderit është si të luftosh me përbindëshin me shumë kokë. Secila nga këto koka jeni ju. Prandaj, them se kulti nuk është një njeri. Ai është turmë, është Leviatan.
***
E quani padrejtësi kritikën e një kulti që i ka zënë rrugën drejtësisë. Që e ka korruptuar dhe përdhunuar drejtësinë. Dhe jeni të gatshëm të shkoni pas tij kur thërret për revolucion që, në fakt, nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje e dëshpëruar për të penguar një revolucion në drejtësi. Sepse veçoria e momentit historik për Shqipërinë është raporti me drejtësinë e munguar, urgjenca për drejtësi. O tani o kurrë! Shqipëria ndodhet në udhëkryq. Ose do vazhdojë në shtegun e shtetit oriental pa drejtësi, ose do hyjë në rrugën e shtetit ligjor. Nuk do ta pengoni dot!
***
Shkaku i kritikës sonë të paprerë ndaj Berishës është vazhdimësia e paprerë e lidershipit të tij në PD. Pra ne jemi pasoja, reagimi ndaj një dukurie qartazi tribale, antidemokratike. Shkaku jeni ju. Dhe Berisha vetë. Jeni ju që prodhoni kritikën tonë si reagim. Jeni ju rrënja e saj. Prandaj është tragjikomike kur ulërisni mjaft(!) në emër të “dashurisë”. Sepse është dashuria juaj primitive për liderin që e ngjiz dhe bën të pashmangshme kritikën tonë dhe po ashtu, edhe urrejtjen tuaj për ne.
***
Lartësimi nga Iluminizmi i arsyes në kriter të së vërtetës, ka sjellë edhe atë që Horkheimer e denoncon si “instrumentalizim të arsyes”. Arsyeja po përdoret për të justifikuar edhe gjërat me të paarsyeshme. Deri edhe krimet. Arsyeja e njërit përleshet me arsyen e tjetrit. Racionaliteti degradon, jo rrallë, në racionalizim. Kështu, mbrojtësit e kultit të një lideri politik mund të ofrojnë si “arsye” se këtë e bëjnë nga dashuria për njeriun (megjithëse, siç thamë, kulti nuk është njeri por turmë) duke e stigmatizuar kritikën si urrejtje për të. Fatmirësisht, demokracia, si praktikë e qytetërimit Perëndimor, ka prodhuar disa aksioma që e shkëpusin debatin nga kthetrat e subjektivitetit.
***
Ato aksioma të demokracisë janë piketa reference qe na bëjnë të pohojmë të sigurt, madje të provojmë, se kritika e liderit është në anën e lirisë. Sepse demokracia është, thelbësisht, ndërrim i liderëve me votë. Demokracia nis të japë shpirt aty ku shpërthejnë duartrokitjet, brohoritjet dhe hosanarat për liderin. Një dukuri që, mjerisht, e ndesh në të gjithë partitë dhe kampet e politikës. Por gjithsesi, demokracia mbijeton, edhe mes breshërisë së duartrokitjeve, aty ku të paktën lideri ndërrohet. Lideri i përjetshëm, i pazëvendësueshëm është dënim i sigurt me vdekje për demokracinë. Është aksiomë e diktaturave pra, e antilirisë. Ju jeni për liderin e përjetshëm dhe prandaj na thoni mjaft(!) me Berishën. Dhe pretendoni se këtë e bëni në emër të dashurisë, paqes dhe humanizmit. Po si mund dashuria, paqja, humanizmi të jenë aleate e antilirisë, e antidemokracisë?
***
Por ju keni dashuri. Por meqenëse e keni të pakufishme ajo, degradon në të kundërtën e vet, në urrejtje. Keni dashurinë për liderin suprem. Një dashuri e dënuar me nevojën për të urryer lirinë e kritikës ndaj liderit të pagabueshëm, për ta sulmuar lirinë e kritikës, për t’i thënë mjaft, për të damkosur e mallkuar si urrejtje. Dhe pse jo, në se krijohet rrethana e mundshme, edhe për ta burgosur dhe pushkatuar. Në emër të dashurisë për liderin që trukohet shumë lehtë si dashuri “për popullin”. Ka ndodhur në Shqipëri. Dhe sigurisht që do të ndodhë prapë, nëse sistemi qe themelohet mbi lirinë dhe jetën, dështon duke ja lënë vendin atij që ngrihet mbi robërinë dhe vdekjen.
***
Prandaj na kërcënoni, mjaft! Prandaj edhe lirinë tonë për të kritikuar përjetësisht kultin e liderit të përjetshëm, e stigmatizoni si urrejtje, si fiksim. Por të fiksuarit jeni ju, të fiksuar në një lider të vetëm, në një Mesia. Kritika jonë nuk është urrejtje. Është kundërshtim, është refuzim. Në fakt ajo është e rrënjosur në dashurinë për lirinë, përfshirë dhe atë të kritikës kufiri i të cilës është vetëm liria. Është refuzim për të heshtur kur të thonë majft! Është përpjekje për atë liri, që dashuria e verbër për Berishën, e ka vrarë dhe kthyer në kufomë në zemrat tuaja nekrofile.
***
Por ka edhe një të vërtetë tjetër që na jep të drejtë dhe që na vjen nga përvoja dhe vuajtjet e të kaluarës, përfshi dhe këto 25 vjet post-komunizëm. Kjo e vërtetë, ulëritëse për veshët e kujtdo që nuk është shurdhuar dhe ndriçuese për sytë e kujtdo që nuk është verbuar, thotë: Shqiptarëve nuk ju ka ardhur e keqja nga urrejtja për liderët por nga dashuria për ta! Gjithë tiranitë e Shqipërisë janë themeluar mbi ato dashuri.
*Dita