Strategjia e gabuar
Nga Arbër Hitaj-
Ka një problem të dukshëm ditët e fundit, që në mënyrë direkte lidhet me format se si kryeministri shqiptar Edi Rama është duke dhënë mesazhet e tij. Të mësuar me daljet e shpeshta të Kryeministrit, rrethuar me specialistë dhe ekspertë, inspektime në terren, nga Brukseli në Durrës etj, publiku nuk po e kapërdin dot këtë “stil” të ri komunikimi.
I çlirët, sportiv, dukshëm pas disa ushtrime joge.
Duke parë strategjinë e komunikimit të Kryeministrit, kjo nuk është një rastësi, por një formë zgjedhur me qëllim për të dhënë mesazhin: shikoni unë po qëndroj vetë në karantinë, nuk mund të mos e bëni edhe ju.
Deri këtu nuk ka asnjë problem, pikëpyetjet ngrihen në momentin kur mungon zëri i ekspertëve të paktën publikisht, se besoj jashtë kamerave ata po luajnë një rol të jashtëzakonshëm.
Mesazhi se njerëzit duhet të lajnë duart, nuk është kryeministror. Mesazhi se njërëzit do të gjobiten nuk është kryeministror.
Në Itali, Francë, Britani etj, krerët e shteteve për ti dhënë seriozitetin e nevojshëm situatës, kanë dhënë mesazhe për publikun nga zyrat, (gjithmonë duke respektuar distancat) me ekspertët e mjekësisë, sigurisë e ekonomisë. Ajo që dukshëm mungon në çdo artikulim të Kryeministrit në këtë fazë.
Nga ajo që vihet re, është se publiku shqiptar në pjesën më të madhe nuk është kundër masave, nëse ato janë të argumentuara mirë e shteruese, dhe mbi të gjitha të bazuara në argumentetet e ekspertëve, çfarë në këtë rast mungon, të paktën publikisht.
Bie në sy mungesa e argumenteve, shumë pse, mbeten pa përgjigje. Por vetëm publikohen fermane dhe kaq. Jo normale janë edhe mesazhet e shumë përfaqësuesve politik, se kjo është vendosje e diktaturës.
Njerëzit qëndrojnë në shtëpi nga frika e koronavirusit, jo frika e Edi Ramës.
Në një situatë që po ngarkohet përditë e më shumë nga karantina, por mbi të gjitha nga paqartësitë e mëdha që ka e sotmja e që do të sjellë e nesërmja pas virusit, ne meritojmë më shumë argumente dhe më shumë siguri.
Pa harruar sigurinë ekonomike, për të cilën ekspertët thonë se uragani në ekonomi ende nuk ka trokitur.