Studimi në Shqipëri: Paratë e krimit pastrohen në kompani ndërtimi, kazino, karburante e konçensione
Studimi më i fundit i SOROS-it mbi situatën e krimit të organizuar në Shqipëri nxjerr si konkluzion se paratë e këtij krimi investohen në industrinë e ndërtimit, fabrikat moderne përpunuese, lojrat e fatit, minierat, karburantet, kompanitë e prodhimit të energjisë, agjencitë turistike dhe konçensionet. Një konkluzion tjetër me interes, e lidhur edhe me ngjarjet aktuale në vend, është edhe perfeksionimi i vrasësve me pagesë si dhe konsolidimi i rolit të ''ndërmjetësve''.
Studimi
Format e trafikimit të heroinës dhe kokainës (drogë e fortë) janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Ato kryhen nëpërmjet detit, tokës dhe ajrit, kryesisht nëpërmjet mjeteve konvencionale të transportit. Ka të paktën tri tipologji grupesh kriminale të përfshira në trafikun e drogës së fortë. Në rritje duket prirja e trafikimit të kanabisit përmes Malit të Zi dhe Kosovës drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Perëndimore. Pavarësisht mungesës së tregut të brendshëm, sasi të amfetaminës dhe ekstazisë janë futur në vend nga Serbia dhe Bullgaria. Raportohet se të rinj të moshës 15-18 vjeç kanë përdorur ekstazi të siguruar në Tiranë.
Duke iu referuar trafikut të qenieve njerëzore, studiuesi Besfort Lamallari theksoi se, Shqipëria nuk është më vend tranziti, por mbetet vend origjine, edhe pse jo në nivelet e dikurshme. Në përpjesëtim me numrin e përgjithshëm të popullsisë, numri i viktimave të shfrytëzuara brenda vendit konsiderohet shqetësues. Gra dhe vajza nga rajone të ndryshme të vendit shfrytëzohen seksualisht në ambiente të ndryshme si vila, apartamente, hotele, motele, lokale etj. Shqetësuese paraqitet situata e fëmijëve në gjendje rruge, të cilët shfrytëzohen për lypje dhe konsiderohen si viktima të mundshme të trafikimit. Kontrabandimi i migrantëve mbetet shqetësues përsa i përket numrit të shtetasve shqiptarë që transportohen ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Sh.B.A. Vendi ynë po shfrytëzohet nga rrjetet ndërkombëtare të kontrabandës për kalimin tranzit të shtetasve sirianë, sudanezë, kongolezë dhe nënshtetësive të tjera.
Studimi cilëson se, aktualisht Shqipëria shërben si vend origjine, për armët automatike të tipit kallashnikov, municione dhe lëndë eksplozive. Rajonet më të prekura në Shqipëri nga trafiku dhe tregtia e paligjshme e armëve janë zonat kufitare si Shkodra dhe Kukësi, qyteti portual i Durrësit dhe kryeqyteti. Fushë-Kruja paraqitet problematike përsa i përket tregtimit të paligjshëm të lëndëve eksplozive.
Gjobëvënia nuk është një dukuri e përhapur, por e zhvilluar nga pikëpamja cilësore. Format e përdorura sa vijnë dhe sofistikohen. Në vendin tonë, vihet re se, ka dy kategori grupesh kriminale që vendosin gjoba (grupe të vogla të paorganizuara dhe grupe të mirë-organizuara). Vihet re, gjithashtu se, janë krijuar lidhje midis bizneseve të fuqishme dhe grupeve kriminale, të cilat përdorin njëri-tjetrin për qëllime të paligjshme përfitimi. Ka një rritje të gjobëvënies nga grupe të miturish, që imitojnë skema dhe mekanizma të ngjashme me ato të grupeve kriminale të të rriturve.
Studimi nxjerr në pah se, pas viteve 2011, vihet re një sofistikim i vrasësve me pagesë. Kategoria më problematike janë “vrasësit profesionistë”. Kjo kategori vrasësish po merr gradualisht trajta organizative në formën e një rrjeti kriminal, ku struktura e “ndërmjetësve” duket se është struktura më e organizuar. Ka një rritje të bashkëpunimit midis bizneseve dhe vrasësve me pagesë. Këta të fundit, përdoren nga bizneset për çështje sigurie apo për të asgjësuar konkurrentët e tyre.
Krimi kibernetik sa vjen dhe po konsolidohet në forma të strukturuara. Grupimet e krimit kibernetik janë mjaft fluide dhe formësohen në varësi të veprimtarisë kriminale. Ka një ndërthurje të veprimtarive kriminale online me ato offline. Ekziston rreziku që rrjetet kriminale ndërkombëtare të përfshira në administrimin e materialeve pornografike për të mitur në internet të kontraktojnë pedofilë banues në Shqipëri për të prodhuar materiale pornografike me të mitur shqiptarë.
Fushat kryesore ku investohen paratë me origjinë kriminale janë industria e ndërtimit, fabrikat moderne përpunuese, bizneset e lojërave të fatit, minierat, karburantet, prodhimi i energjisë, agjencitë turistike, si dhe përfitimi i licencave dhe konçesioneve të ndryshme nga shteti. Mënyrat më tipike të paraqitjes së të ardhurave kriminale në ekonominë e ligjshme janë transaksionet e shumta në bankat e nivelit të dytë, kreditë e marra nga këto institucione, veprimet përmes agjencive të transfertave të parave, dhe përdorimi i identitetit të familjarëve dhe të afërmve.