Sukseset e shumta të Ramës dhe një dështim

Nga Artur Zheji/Rama ja doli të krijojë, me ndihmën e pakursyer të mediave të shumta që kontrollon, një Kauzë Politike, që gradualisht u bë gjithëpërfshirëse dhe gjithëkombëtare. Tani duket sikur Reforma në Drejtësi, është vetëm reforma e Ramës dhe e ndërkombëtarëve, ndërsa gjithë të tjerët, janë pjesa retrograde e shoqërisë, pjesa e Keqe, pjesa e Kalbur apo pjesa e Qelbur e kësaj shoqërie.

Edhe nëse nesër Reforma kalon, korrektësisht sepse u korrigjua, u filtrua, u bë e parrezikshme si pisqollë politike në duart e kryeministrit, Rama dhe burizanët e vet, do të thonë se kjo është fitorja e madhe e Ramës. Por e vërteta është se kjo Reformë, edhe është, por edhe nuk është një fitore e tij.

Votimi i saj, është padyshim fitore i reflektimit të klasës politike shqiptare, nën shtrëngesën popullore dhe nën shtrëngesën e pjesës progresive të ndërkombëtarëve. Sepse sistemi i Drejtësisë Shqiptare është i kalbur realisht.

Askush dhe asnjëherë, nga Opinioni Publik, nuk ka qenë kundër Reformës në Drejtësi. Por mediat e kryeministrit, të bollshme dhe të rafinuara, të dirizhuara me art të hollë dhe të lëvdueshëm, ja hodhën popullit në sahan, si një “kockë” të artë, sipbas recetës së thjeshtë, se kjo Reformë e kryeministrit, do të shpëtojë Shqipërinë.

Krejt të vetëdijshëm që nuk ishte kështu! Rama, ka shfrytëzuar gjithmonë dhe mjeshtërisht, naivitetin dhe atë pjesë të mirë, që kanë njerëzit apo partnerët që e kanë shoqëruar, që e kanë mbështetur apo e kanë dashur, në të gjithë jetën e tij të trazuar.

Janë të shumtë ata që e pandehin Ilir Metën, dinak dhe të stërholluar. Ndoshta edhe Meta vetë, për veten e tij, ka këtë vlerësim. Por në thelb dhe në aksionin politik, Meta është krejt naiv dhe krejt i parashikueshëm, në krahasim me Ramën. Rama ja kaloi ujin nën rrogoz të paktën edhe dy herë më parë, tani është e treta. Edhe Koço Kokëdhima, gjithmonë kish menduar se Rama, ishte dhe do të jetë delfini i tij i përjetshëm, krijesa e tij, në kacavirrjen drejt pushtetit, plot kurthe dhe prapaskena, herë kundër Fatos Nanos që e futi në politikë, herë kundër Ilir Metës, që e mbrojti nga Nano dhe e lartësoi në karrierë, herë kundër Majkos, që vinte mediat ta tallnin dhe kundër çdokujt tjetër…

Por Rama, është krijues. Kjo s’ka dyshim. Ai del dhe kërcen jashtë çdo skeme, ku të tjerët nuk e ndjekin dot se janë thjesht linearë… Ai krijon gjithmonë skema të reja dhe nuk shikon kurrë mbrapa. Dhe ja ka arritur të bëjë kështu kryeveprën e vet më të mirë: Në Shqipëri sot, të gjithë merren me të. Dhe prodhojnë Adrenalinën e përditshme për të.

Dje përshembull, Dritan Prifti e akuzonte se e kish parë Edi Ramën, duke përdorur kokainë në zyrë, sot, Prifti është shoku i tij më i mirë. Rama nuk e ka problem këtë. Por Prifti nuk duhet të habitet, kur ndonjë e keqe ti vijë nga kryeministri dhe jo nga Meta, që ai Prifti, tentoi dhjetëra herë ta vriste politikisht.

Unë personalisht nuk e besoj se Rama, përdor kokainë. Madje besoj se Dritan Prifti ka shpifur, por është mahnitëse se si Rama, rekruton pas qerres së tij të luftës, ata që e kanë turpëruar publikisht në cdo detaj të jetës së tij. Po kështu edhe me ndonjë gazetar që e nxori cullak sa e sa herë. Apo që e mori po aq herë nëpër gojë, dhe sajoi trillime nga jeta e tij private, duke i çuar ato në nivele të neveritshme. Rama, tani e ka njeriun e tij të besuar dhe arkitekt mediatik që i terrorizon kundërshtarët e vet politikë.

Ka patur një dashuri të vjetër edhe të madhe me manjatin e mediave Aleksandër Frangaj. Ja duroi 8 vjet, kur ishte në Opozitë, sulmet dhe denigrimet e mediave të tij, me një “Të fala Sandrit!” Sot Sandri është, në “stafin” e tij, me shpinën kthyer ndaj Lulëzim Bashës dhe ruan vetëm një kortezi formale me Doktor Berishën, por asgjë më tepër. Topat dhe topçinjtë e tij mediatikë, janë në krah të kryeministrit.

Ai, me pushtetin kryeministror nuk humbi kohë dhe ka krijuar sot, një armatë të madhe mediatike dhe nuk ka sot, pranë PD, as edhe një Televizion si TVShijaku i dikurshëm, që ta ndihë opozitën.

Mirëpo Rama, “me të drejtë”, donte më së fundi, edhe zotërimin e vet, mbi krejt Kupolën Gjygjësore Shqiptare dhe ta shndërronte atë në një Ministri të Dytë të Brendshme. Dhe mund të themi se është fare afër një Ambicieje të tillë! E ka gati edhe një Ministër Drejtësie në rezervë, mikun tim Ngjela, që kërkon edhe ai, Gjurmën e vet në Histori, duke ideuar dhe fantazuar, një batërdi spastruese, që një Zot e di, se  ku përfundon!

Për të shpëtuar Shqipërinë?  nuk e dimë se kush po i mbledh votat për Reformën? Apo votat për numurin 71, në rast të tërheqjes së Metës nga Qeveria Rama? Hipokrizia që po aplikohet për një Mbipushtet të një Grupi të Ri, është sot, proporcionale me Rrezikshmërinë që do të vijë më pas, nëse një gjë e tillë lejohet të ndodhë.

Por ka një Dështim të thellë në tërë këtë sipërmarrje të admirueshme, në këtë pikturë murale virtuoze të Ramës, po aq piktor i talentuar sa edhe politikan i 1001 sukseseve, mjerisht bizantine! Shqipëria, kjo plaçkë e grabitur kaq herë, më shumë nga shqiptarët se sa nga pushtuesit e huaj, nuk do të jetë dot mbaskëtaj kryqëzate, një Vend më i Mirë. Por një Gubernë e disiplinuar, më një Gubernator si Rama dhe me fijet të luajtura nga larg dhe me telekomandë, si në një teatër kukullash. Dhe kur drejtori i Teatrit të Kukullave, të vendosë që marjonetën me nofkën e personazhit: Pashai i Shqipërisë, ta ndërrojë si të konsumuar kukullën, nëse Rama i shkon deri në fund kësaj Aventure, ai do të varroset në Varrezën e Marjonetave, në vetmi të plotë.

Diku afër miqve dhe shokëve politikë, që ka vrarë politikisht apo njerëzisht më parë, në një luftë absurde që u ka shpallur të gjithëve, pavarësisht se aplikohet me art të mrekullueshëm, por nga një mendje konfuze. 360grade.al

 

SHKARKO APP