Sulmet ndaj LSI, tregues dobësie
Nga Gentian Çala –
Rama në daljet e fundit nga foltorja e Parlamentit apo gjetkë, ka nënvizuar se “votimi i Bashës do të thotë qē të fitojë Iliri dhe Monika”. Kjo duket frazë e kalkuluar për të dekujaruar demokratët dhe për të përçarë opozitën, si dhe për ta etiketuar LSI-në si të keqen më të madhe. A ka ndonjë demokrat që e beson se Ramës po i dhimbset PD-ja?! Nuk ma merr mendja se ka të tillë, përveç ndonjë naivi apo ekstremisti të djathtë.
Po përse goditet LSI-ja? Përgjigja e njëmendtë është se gërryerja e PS-së mund të ndodhë kryesisht nga LSI-ja, ku votues tradicionalë të së majtës të pakënaqur me PS-në do të zgjidhnin LSI-në. Aq e besueshme është kjo, sa ka prej atyre që mendojnë me naivitet se e majta mund të grupohet rreth lidershipit të LSI-së, në momentin e ikjes së Edi Ramës nga drejtimi i PS-së.
Diversioni i Ramës ngec, çalon dhe nuk po gjen tokë ku të mbijë, por ai e di mirë se në komunikimin publik do ti duhet ta përsërisë shumë herë të njëjën frazë. Ai po përpiqet tu thotë demokratëve të bëjnë ekzaktësisht gabimet që bëri ai kur drejtonte PS-në në vitet 2007-2013. Ai nuk mund të vinte në pushtet pa një marrëveshje me LSI-në. Ndaj si te fabula e dhelprës me rrushtë, po i duket e pabërë LSI-ja pasi nuk e arrin dot. Rama dhe mazhoranca që drejtohen ndihen mjaft të dobësuar, ngaqë nuk kanë çfarë të thonë për punën apo rezultatet e tyre, atëhere kanë zgjedhur diversionin te kundërshtarët politikë. Ai pohon shpesh se “më të mirë se ne nuk ka”, por kur janë të tillë përse i duhen diversionet, përçarjet apo deklaratat e kësaj natyre?
Rama po luan letrat e fundit pasi pa rezultate, pa alternativë, i dalë boje, ai nuk mund ti ofrojë asgjë të arsyeshme apo të dobishme shqiptarëve. Pakënaqësia me Ramën dhe qeverisjen e tij duket kapilare. Zgjedhjet duket kanalizimi më i mirë i pakënaqësisë, ku e gjithë struktura politike opozitare duhet të dëshmojë kohezion, alternativë dhe aftësi shtetndërtuese. LSI-ja e sotme është realitet politik i konsiderueshëm, ku duke e parë nga brenda mendoj se është e gatshme të jetë partner politik kredibël i qeverisjes së ardhshme. Presionet, grisjet e kartave të anëtarësisë (si ato daljet e këshilltarëve për shkak të ndikimit rus) apo çfarëdo “teknike” tjetër nuk zhbën vullnetin popullor për ti dërrmuar në zgjedhjet e 25 Prillit.
Më të mirë se ju për të mundur nuk ka!