Suzana Shkreli, një votë për ne!
Fitorja e saj nuk do ishte vetëm e saja. As e familjes. Ajo do t’i shërbente sa nënës e babait aq edhe gjithë emigrantëve të tjerë që një ditë kanë vendosur të lënë vendlindjet duke besuar se vendi i ri do t’ju ofronte më shumë mundësi, më shumë shkollim dhe një tjetër perspektivë për fëmijët….
Nga Blendi Fevziu –
Suzana Shkreli është Shqiptaro – Amerikania e parë që nesër konkuron për një vend në kongresin Amerikan. Ajo konkuron nën siglën e Partisë Demokrate në zonën 8 të Miçiganit, aty ku ka lindur dhe ka nisur karrierën e saj.
31 vjeçare, vajza e dy emigrantëve shqiptarë të larguar nga Ulqini për një jetë më të mirë në SHBA, e diplomuar në drejtësi, ajo është shembulli tipik i suksesit amerikan.
Ajo është njëherazi shembulli më i mirë për ata qindra mijëra emigrantë shqiptarë dhe jo vetëm që kanë lënë atdheun e tyre për të gjetur një jetë më të mirë dhe një shkollim për fëmijët në tokën e premtuar. Që kanë besuar në të ardhmen e tyre dhe kjo po ju shpërblehet.
Ajo është shembulli më i mirë për gjithë fëmijët e emigratëve që janë integruar në atdheun e tyre të ri, duke ruajtur traditat, vlerat dhe nuk e kanë harruar asnjëherë vendin prej nga kanë ardhur.
Vajza e Maria dhe Zef Shkrelit, dy punëtorë të thjeshtë, një nga katër fëmijet e tyre, Suzana është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Oakland. Karriera e saj ka nisur shumë herët si prokurore në Macomb County, një zonë me afro 1 milion banorë në Miçigan. Kujdesi i saj ka qenë mbrojtja e fëmijëve nga dhuna, abuzimi dhe përmirësimi i legjislacionit në këtë drejtim. Ende e re ajo ka manifestuar karakter të fortë, karizëm dhe ambicie. Karakteristika që e kanë bërë të sigurojë një kandidim nën siglën e Partisë Demokratike, duke synuar të jetë e para shqiptaro – Amerikane që ulet në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nuk ka asnjë dyshim që fitorja e Shkelit do jetë një fitore për gjithë komunitetin shqiptar. Ndaj, shqiptarët e Miçiganit dhe më gjerë, duhet të bëjnë gjithçka munden, me votë apo me influencën e tyre, që ajo të ulet në karriget e Kongresit. Komuniteti shqiptar i vendosur në Kontinentin e ri që në fund të shekullit të XIX dhe i rritur dhe fuqizuar në shekullin e XX ka qenë gjithnjë defiçitar në përfaqësimin e tij në politikën amerikane. Punëtorë dhe të përkushtuar, shqiptarët janë parë më shumë si pronarë picerish dhe kompanish ndërtimi se sa si njerëz të nivele të vendimmarrjes në SHBA. Ata janë angazhuar modestisht në administratën dhe funksionet publike, ndërkohë që kanë qenë sipërmarrës të mrekullueshëm dhe qytetarë model. Sot, ka ardhur koha që brezi i parë apo i dytë i emigratëve të jenë pjesë e vendimmarrjes amerikane dhe Suzana Shkreli është nisur në këtë rrugë. Rrugëtimi dhe suksesi i saj, është një lloj rrugëtimi dhe suksesi i gjithë shqiptarëve.
E dyta, shqiptarët duhet ta mbështesin atë sepse do të gjejnë tek ajo një përfaqësuese të denjë dhe serioze të tyre; një avokate të sa drejtave komunitare dhe një grua të përkushtuar. Pra një përfaqësuese që konkuron denjësisht dhe është dukshëm më e përgatitur se sa konkurentët e saj.
Fitorja e saj nuk do ishte vetëm e saja. As e familjes. Ajo do t’i shërbente sa nënës e babait aq edhe gjithë emigrantëve të tjerë që një ditë kanë vendosur të lënë vendlindjet duke besuar se vendi i ri do t’ju ofronte më shumë mundësi, më shumë shkollim dhe një tjetër perspektivë për fëmijët. Ajo do ishte shembulli për i mirë për ata 2 – 3 milion emigrantë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, për të vërtetuar që sakrifica e tyre nuk ka qenë e kotë.
Së fundmi, me karakterin dhe përfaqësimin e saj, ajo do të ishte një zë për të gjitha problemet tona, për gjithë nevojat që shqiptarët kanë për të ngritur në një prej institucioneve politike më të rëndësishme të globit. Ndaj vota për të, do ishte sot, një votë reale për të gjithë ne!
Blendi Fevziu