Ta hash turpin me bukë

Nga Genc Burimi

Mark Nika dhe dje një intervistë për Dita. Të duket sikur ja kanë vrarë për herë të dytë nipin, Aleks Nika, kur e dëgjon të komentojë i dërrmuar shpirtërisht paktin qeverisës të Edi Ramës me përgjegjësin e masakrës së 21 Janarit.

“Si u shanë kështu për 4 vite dhe u pajtuan për 4 orë takim?? 4 vjet pështyma, 4 orë lëpirje. A ka tallje, a ka fyerje më të madhe, jo vetëm për ne të afërmit e viktimave të 21 janarit, po për të gjithë shqiptarët?”

Rrallë herë në opinionin publik në Shqipëri që nga rënia e diktaturës, një manovër politike e kësaj përmase ka ndarë aq shumë njerëzit në komentet e tyre. Fraktura në opinion nuk është me e tipit tradicional, simpatizantë të së majtës kundra atyre të së djathtës.

Brenda secilit kamp gjen tani kundërvënie të thella. Dëshmi e gjallë e këtyre plasaritjeve të “agorase” shqiptare janë dhe deklaratat pa dorashka të të afërmve të viktimave të 21 janarit të cilët para katër vjetësh e mbanin për idhull Edi Ramen ai që lypte qoftë një mandat të vetëm për të bërë hatanë kundra kriminelëve politikanë.

Kryeministri u përpoq të na bindte dje në videon e tij zyrtare se nga marrëveshja politike jashtë çdo përfytyrimi mbi të gjitha fitoi Shqipëria dhe proçesi i integrimit europian. Po ta dëgjoje me vëmendje Ramën, kuptoje nga ai se votimi i Vetingut meritonte sakrificën më ekstreme, që në rastin konkret do të thotë pakt me djallin qoftë dhe për një periudhë një mujore.

Por këtu ai gabon rëndë, naivisht ose me vetëdije ngaqë s’ka sesi shprehet ndryshe me revolverin që i vuri në tëmth emisari i lartë amerikan. Gabon rëndë pasi mënyra sesi po e voton Vetingun, para zgjedhjeve me firmën e vetë shënjestrës kryesore të Vetingut,  lë të kuptojë se një amnisti është negociuar dhe akorduar. Gabon rëndë po ashtu, pasi ndërsa e kishte të garantuar t’i jepte PS-së një mazhorancë absolute para paktit, nuk është fare e sigurt tani se ai do t’i marrë 71 vendet në Kuvend që po i lyp në çdo fjalim.

Rama ndodhet tani në ate pozitën që Çurçilli e ironizonte në mënyrë therëse dhe që mund të parafrazohet kështu: donte të ruante pushtetin me pakt me djallin, humbi nderin dhe do humbasë dhe pushtetin.

Doli parashikimi i Henrit

Në pozicionin e analistit, duke komentuar ngërçin e reformës në drejtesi Henri Cili hidhte publikisht vitin e kaluar këto ide të cilat marrin tani tërë kuptimin e tyre:

“Amnistia e të gjithë kryeministrave, ish kryeministrave, përfshi këtu edhe kryeministrin aktual Rama dhe familjarëve të tyre…është gjëja më e natyrshme për të zhbllokuar këtë reformë. Nuk ka rëndësi nëse kanë bërë apo jo faj, nuk ka rëndësi nëse janë apo jo të implikuar në çështje të ligjit apo korrupsionit, rëndësi ka të niset një epokë e re dhe sipas parimit latin të ecet përpara. Pse? Sepse këto kanë qenë rregullat e lojës dhe ky është një fillim i ri. Nuk humb e ardhmja e drejtësisë shqiptare nëse amnistohen 5 apo 7 veta, përkundrazi fiton paqja sociale”.

Kandarin mund ta vërë tani secili sipas kutit te tij. A mund të merret peng e ardhmja e Shqipërisë për lotët e 70 vjeçarit Mark Nika që insiston me idealizëm të bëhet drejtësi për nipin e tij dhe për gjithe viktimat e pafajshme të politikes vrastare, siç qenë viktimat e piramidave financiare, të Otrantos, të Gërdecit e deri tek  21 Janari? Në këtë dilemë na fuste Henri Çili në rreshtat e mesipërm sa cinike dhe aq pragmatike derisa i dërguari i vendit më të fuqishëm e detyroi Edi Ramen ta kthente hipotezën e amnistisë në realitet.

Ne shqiptarët kemi shumë proverba të cilat i gjen në shumë gjuhë e popuj të tjerë. Por njëra syresh tingëllon si tmerrësisht autentike dhe e papërseritshme, thënia «ta hash turpin me bukë».  Sado koha kalon dhe moderniteti përfshin vendin tonë, shqiptarët mbeten pazgjidhshmërisht dhe «frojdisht» të lidhur me konceptin kanunor të «nderit» që e gjen të lakuar të mikëpritja dhe fjala e dhënë.

Kështu duhet kuptuar edhe intervista e djeshme e të afërmit të viktimës së 21 janarit. Fatkeqësisht apo fatmirësisht, shqiptarët që kanë shumë të meta, një gjë nuk mund të thuhet se e kanë: nuk jane cinike. Gjërat t’i thonë në sy. Edhe kur e hane turpin me bukë, e pranojnë dhe shtojnë menjëherë ate shprehjen tjetër, ma bëj hallall.

Kjo cilësi thellësisht shqiptare i mungoi «perëndimorit » Rama kur nënshkroi paktin aq të përfolur.

Dhe kjo cilësi i mungon atij sot kur mundohet t’i marrë shqiptarët si të prapambetur pasi nuk po kuptokan modernitetin e aksiomës së tij politike.

Jam i sigurt se po të kishte qenë në vend të Edi Rames, Mark Nika që na preku shumë me intervistën e tij, dhe nëse ai po ashtu s’do kish patur rrugë tjetër veçse të pranonte marrëveshjen me përgjegjësin e tragjedisë së 21 janarit, ai pa me të voglën pikë dyshimi do kish dhëne dorëheqje nga posti i Kryeministrit. Këtë marrëveshje bëjeni, do kish thënë, nëse mendoni se përfiton vendi, por pa mua.

Mark Nika do të jetë në kohë të kohrave plaka Nicë e Edi Rames bash në atë skenën më të famshme të romanit më të famshëm të Kadaresë. Mallkimi i tij do të transformohet në një neveritje të të gjithë shqiptarëve për zgjedhjet që do të vinë.

Nëse ata nuk duan ta hanë si popull turpin me bukë, shqiptarët duhet t’i tregojnë Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, z. Lu dhe znj. Vlahutin, zotërinjve Mc Allisterit dhe Hoyt Brian Yee, forcën e bojkotit.

Kur një parti nuk shkon në zgjedhje s’ka vërtetë kuptim. Por kur një popull i tërë nuk shkon në zgjedhje për t’i transmetuar mbarë klasës politike mesazhin “qërohuni se e bëtë baltë”, kjo ka aq hije, kjo bën aq sensacion në mediat botërore, sa ç’ndodhi me mobilizimin e shqiptarëve kundra armëve kimike.

Shqiptarët do të tregojnë si kurrë në historinë e tyre se ç’është forca e abstenimit, dhe do ta bëjnë këtë aq herë sa do të duhet, deri sa krerët e kësaj klase politike të kalojnë të gjithë nga fabrikat e riciklimit të mbetjeve, aq të shtrenjta për Edi Ramën… Dita

SHKARKO APP