Tabela për në Bruksel

Nga Ilir Levonja

Një socialist i mirë pret në radhë. Një demokrat bën një xhiro deri në Gjermani. Kjo është tabloja. Ndërsa i pari i gëzohet triumfit të Rilindjes. I dyti mbase mallkon ditën kur entuziazmi blu, veshi rrugët e vendit me tabela që të çonin në qytetet e Europës. Nantë, Mynih, Vjenë, Romë, Milano, Venecia, Athinë, Madrid, Barcelonë, Amsterdam etj.

-E çfarë do të bëjë nëna me këtë Europën? Do pyeste një grua province? Tek dera ngrihej madhore një tabelë. Aty sapo e hapte. Ku herë i kthehej pluhuri. Herë balta. Dhe herë ia prishnin gjumin e vapës troshitjet e ndonjë kamionçine zhavori. Më keq të lehurat e ndonjë qeni zinxhiri. Më bajate ndonjë e bërtitur. Apo mallkim.

-Do shkosh të shikosh çunin plake, ja kështu… – i thanë djemtë entuziaztë.

Ata për vete menduan se mori fund mizerja për të siguruar një vizë. Morën fund monopatet e maleve. Morën fund shtigjet vdekje prurëse. Gomonet e të tjera.

E gjora grua province që sapo kishte kthyer në përvjetorin e gjashtëdhjetë, dukej sikur ishte tetëdhjetë vjeçe. Mbante anës kokës edhe një shami të bardhë. Shikoi tabelën. Emrin Bruksel. Nuk e thoshte dot. Mbuloi gojën me dorë për të mos u turpëruar me veten. Djemve të saj nuk u nguli kush ndonjë tabelë në vitet 90-të, aty tek dera. Nuk u tregoi kush rrugën nëpër Gramozin e borëruar. Tani kujt i duhet ajo tabelë? Ndofta djemve entuziastë.?

Nipojtë e saj u shpërndanë. Ndërsa njëri ka bërë njëzet e pesë vjetë. Që asaj i duken dyqind e pesëdhjetë. Pra njëri nga nipojtë, ai që nuk iu lejua të ngrejë flamurin në një shkollë të Peleponezit. Flet mirë greqisht, madje aq mirë sa e ka vështirë të kompesohet me shqipen. Prapë nuk ia bëjnë letrat. Edhe pse nga Ermal, e bëri emrin Dhimitros. Edhe pse bërtet se jam grek. Të tjerët nuk vinë dot për shkak të toponimeve në pasaporta. Megjithatë babai i  tyre. Apo djali i saj ka një veturë që hera-herës vjen e ia çel derën me një zambak. I lë pak para menjanë…, të cilat mund të rezultojnë edhe një rrisk për jetën e saj. Mund edhe ta grabisin. Nga ana tjetër…, kumton si një buçimë. Nga një shesh. I cili herë është blu. Dhe herë mavi. Dhe herë i kuq…, triumfi i rritjes së pensionit. Përpjekja lapidare për të shkuar në Europë. Arritja madhore. Gruaja e provincës shikon tabelën. Emrin Bruksel. Akoma nuk e thotë dot. Përfundimisht e ngrys jetën e saj të para plakur me një realitet tjetër. Numëron ditët për vitin që vjen. Kur t'i vijë i biri. Me fëmijët grekër aty tek ajo. Dhe shqiptarë të zgjebosur në tokën e portokalleve.

Ndërsa fqinji socialist i saj, pret radhën për tu futur në punë. Djemtë entuziastë pagojnë ca euro për të kapur Mynihun. Brukselin. Ndërkohë socilisti i ka mbushur mendjen gruas të votojë për Rilindjen e tij. Si e bindi? Thjesht i tha se do të shtronin rrugën aty. Ai dilte garant. I flet me inat për poshtërsitë e Berishës. Me inat dhe i lumtur që e mundi. I bindur deri në dhënien e jetës. Aq sa ia fshin pluhurin tabelës me emrin Bruksel. Ia përsërit gruas me qindra herë Europën. E garanton se tani do futen me siguri të plotë. Mbron me fanatizëm ''varfërinë ekstreme'' të kryetarit të madh. Atij që përmes kryetarit të vogël i ka premtuar punë. I ka treguar listën emërore. Emrin në krye të saj. Dhe ai pret. Me devotshmëri. I miri socialist. Me sytë prush të bastardojë gjakpirësat blu.

Nga ana tjetër gruaja e provincës i kujton me delikatesë vetmie një ankim, nuk i duhet Europa. Dhe shton se, nuk janë për ne, këta. Por ai e ka harruar. Madje e ka palosur në sirtar devotshmërinë kur mbronte Nanon në një ish luftë me Berishën. Dhuratat e njëri-tjetrit të tipit fisheku në pajë. Madje tani që marrëdhënia e tyre është në muaj mjalti. Ai pëshpërit justifikimin e zakonshëm…, atë për të cilin vrau shokun. Si e si të mbronte të kundërtën. Faktin që Nano nuk ishte i tillë. As tradhtar, as hajdut, as i pasur. (Kështu si shoku blu, për sojin e tij. Shoku që ai vrau.)Tani bërtet me gojën plot, ''Nano është tradhtar, pijanec, hajdut, imoral.''  Harroi. Dikur ishte i drejtë, i ''varfër ekstrem''. Nuk vidhte. Ashtu si nuk vidhnin, apo nuk vjedhin edhe nga krahu tjetër, i shokut të vrarë. Harruam edhe ne. Harrojmë të besojmë realitetin. Dhe asnjëherë nuk harrojmë të vrasim shoku-shokun. Vetveten. Mjafton që kryetarit, kryetarëve të mos u hiqet nofka ''të varfër ekstrem''.

Ja si e përmbledh me pak fjalë një situatë të tillë Abraham Linkoln. Ish presidenti i 16-të i Amerikës. ''Kur vrasim njëri-tjetrin, është dështimi dhe fundi i lirisë sonë. Kjo ka domethënien se vendit asnjë e keqje nuk i vjen nga jashtë, por,  nga ne.''

Tabelat rrahin drejtimin Europë. Njëra palë i ngul tjetra i pastron. Ndërkohë që një socialist i mirë pret në radhë për punë. Një demokrat i kthyer falenderon zonjën Merkel, gjermanët. Të paktën u dhanë bukë.

SHKARKO APP