Taksimi i “pandershëm” dhe taksimi i “1-përqindëshit”

Nga Majlind Lazmi

Gjithmonë në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare zgjohet interesi i opinionit publik në lidhje me alternativat programore dhe sidomos me propozimet ekonomike të partive politike. Të paktën ky ishte rasti deri më 2013… Siç dihet, kali i betejës së Partisë Socialiste ka qenë dhe mbetet e ashtuquajtura “taksimi progresiv” apo “taksimi i ndershëm” – sipas devizës kush fiton më shumë, paguan apo taksohet më shumë. Në fakt, sistemi aktual i taksimit në Shqipëri nuk është as progresiv dhe as i ndershëm. Përkundrazi, ai është “regresiv” dhe i “pandershëm”. Natyrshëm, lind pyetja pse?

Kush fiton më shumë në Shqipëri, një pronar apo aksioner korporate, i cili nga fitimi i dividendit paguan 8% tatime, apo një profesionist i ri që fiton pak me shumë se 150 mijë lekë të rinj në muaj? Kjo është një pyetje retorike, sepse ky i fundit paguan 23% tatim mbi të ardhurat personale. Pra, në Shqipëri aksionerët paguajnë 8% mbi fitimin (dividendin), ndërkohë që bizneset e mesme dhe të mëdha paguajnë 15% tatimfitimin dhe qytetari i shkolluar dhe profesionist paguan 23% mbi pagën e tij. Qartazi, kush fiton më shumë, paguan më pak, pra, realisht kemi taksim regresiv dhe logjikisht edhe të pandershëm.

Nuk ka nevojë për retorikë ideologjike apo politike për të faktuar se në vitet e fundit, edhe pse barra fiskale mesatarisht u dyfishua në përqindje në raport me taksën e sheshtë (10%), sërish të ardhurat buxhetore mbeten në vendnumëro. Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave buxhetore në raport me PBB, pavarësisht se si nivel taksimi (në përqindje) ka nivelin më të lartë në rajon.

Debati mbi alternativat dhe propozimet ekonomike nuk duhet të jetë peng i “lojës së kungulleshave” mes palëve politike se cila prej tyre është më “xhymerte” me premtime për falje gjobash, amnisti fiskale, përjashtime tatimore etj. Në këto kohë krize të thelle ekonomike, në thelb të betejës së ideve ekonomike duhet të ishte se çfarë do të taksojmë më shumë, kapitalin fizik (joprodhues) apo kapitalin social (punën) dhe sipërmarrjen? Duhet të taksojmë më shumë të ardhurat e individëve dhe bizneseve apo pasurinë neto dhe asetet e tyre joprodhuese? Për ta kuptuar më thjesht, si ka mundësi që prej vitesh kemi kompani që shfrytëzojnë pasuri kombëtare, por që nuk paguajnë tatimfitimin me justifikimin që dalin me humbje? Shkurt, sepse kompanitë apo individët e pasur e dinë se ne nuk taksojmë pasurinë dhe asetet, por të ardhurat e tyre neto…

Për më tepër, nëse duam t’i vëmë frè marrëzisë dhe të shmangim “flluskën” e ndërtimeve të shfrenuara të kullave në Tiranë, duhet të taksojmë edhe apartamentet e pashitura si taksë pasurie ndaj atyre që kanë aktualisht “luksin” t’i mbajnë pa shitur edhe për disa vite. Në rastin më të keq, të ardhurat buxhetore do të rriteshin për investimet publike dhe në rastin më të mirë çmimet e “fryra” të apartamenteve do të binin për aq kohë sa pronarëve të tyre do t’u kushtonte shumë që t’i mbanin stok të pashitura. Prandaj, një politikë e zgjuar fiskale do të ishte ulja e tatimfitimit në nivelin e dividendit (nga 15% në 8 %), reduktimi i tatimit mbi të ardhurat personale (nga 23% në 8%) dhe ulja e TVSH-së për produktet bazë të shportës (nga 20% në 5%) – duke synuar uljen e çmimeve dhe stimuluar konsumin në këtë kohë krize ekonomike.

Nga ana tjetër, për ekuilibrim fiskal ka ardhur koha që të taksojmë pasurinë neto apo asetet (joprodhuese), duke filluar nga një prag përjashtues për shtresën e varfër dhe të mesme. Një propozim racional do të ishte taksimi i individëve që zotërojnë pasuri neto (asete minus borxhe) mbi 500 mijë euro, me një normë vjetore 1%. Kjo do të ishte agjenda e një mirëqeverisjeje dhe një sistemi taksimi të ndershëm që do të synonte zbutjen e varfërisë dhe pabarazisë, si plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare. Taksimi me 1 për qind të pasurisë neto për “1 përqindëshin më fatlum” të qytetarëve është zgjidhja e duhur. Ndërkohë, nëse duam të fitojmë luftën me oligarkinë, si fillim do të mjaftonte të taksonim vilat dhe jahtet e tyre …

SHKARKO APP