Tallja me shtetin që ka bërë!

                                 Nga Mero Baze

Për të kuptuar ku ka përfunduar Shqipëria mjafton të shikojmë përse na duhet ky vend dhe ky shtet që kemi ndërtuar. Ish-Presidenti dhe ish- kryeministri i vendit nga dy herë radhazi që ka dominuar politikën shqiptare për çerek shekulli, nuk pranon të hetohet nga Prokuroria e shtetit të tij dhe as nga prokurori që ka emëruar vet, por nga një prokuror ndërkombëtar. Ka së paku nga e enjta e javës që shkoi, që Berisha po bën betejë publike, pasi është bindur që nuk do të ketë as hetim ndërkombëtar, të mos hetohet afera e ÇEZ dhe të mbyllet si një përpjekje për një shumicë të re parlamentare, që me siguri do të dështojë.

Madje është kujdesur dhe për këtë dështim njëlloj si është kujdesur që të kërkojë hetim ndërkombëtar, kur u bind se SHBA nuk do ta pranonte atë.

I kapur në befasi nga mbështetja e Metës po për hetim ndërkombëtar, Berisha diversifikoi qëndrimin përmes Bashës, duke e shtrembëruar atë dhe duke e kufizuar vetëm tek një kompani nga 9 të tilla që kanë rrjepur ÇEZ-in dhe duke përjashtuar çdo hallkë të privatizimit dhe keqadministrimit të ÇEZ, ndërkohë që ai ishte kryeministër deri tek zbimi i dhunshëm i tij.

Diversifikimi i qëndrimit mes tij dhe Bashës për këtë çështje, i plotëson të gjitha pikat e një tallje me këtë çështje.

Tallja e parë është kërkesa që ta hetojnë ndërkombëtarët, pasi kishte sinjale të qarta diplomatike që nuk do ta pranojnë.

Tallja e dytë është kur këtë skemë e pranoi Meta. Atëherë Berisha u gjend para faktit për të krijuar një shumicë të re me Metën në Kuvend. Atëherë “për të mos humbur burrërinë” vet bën sikur është dakord me Ilir Metën, ndërsa Bashën e nxjerr për të prishur paktin, duke çuar në Kuvend një ligj të cilin nuk e pranon Meta, pasi kufizon hetimin në mënyrë të njëanshme vetëm tek një akuzë e ngritur ndaj tij dhe jo ndaj Berishës.

Tallja e tretë është kur shtypi publikon kompanitë e tjera, të gjithë klientë të Familjes Berisha, që kanë marrë miliona euro nga parat e shtetit për t’i paguar ÇEZ-it dhe i kanë pjesëtuar me dy në xhepat e tyre. Berisha u distancua, duke deklaruar se ai mban përgjegjësi vetëm për fëmijët e tij dhe jo për miqtë dhe shokët që kanë biznese, a thua se akuza ndaj Metës është për ndonjë djalë apo vajzë të tij.

Tallja e katërt e Berishës është shpjegimi i tij për negociatat e qeverisë shqiptare për ta mbyllur pa gjyq çështjen e ÇEZ-it. Berisha flet sikur gjyqtar do ishte Gjin Gjoni dhe jo arbitrazhi ndërkombëtar dhe Berisha do ta urdhëronte që ta fitojmë ne gjyqin, pasi kishim zbuar me policë kompaninë nga Shqipëria. Për më tepër ngatërron negociatat politike të dokumentuara me ndërmjetës ndërkombëtar, të pranuara nga Banka Botërore me pazaret që ai ka bërë me privatizimin e kësaj kompanie me zyratërt çekë, për interesa politike në zgjedhjet e vitit 2009.

Pavarësisht këtyre, kryetallja mbetet fakti që Berisha nuk do ta lërë veten në dorë të këtij shteti që ka ndërtuar, në këtë vend. As në dorë të Prokurorisë, as në dorë të Bashës, as në dorë të deklaratave të Metës, as në dorë të heshtjes së Ramës dhe natyrisht as në dorë të Shpëtim Idrizit. Kryetallja e tij me shqiptarët është se ai e di çfarë shteti ka bërë dhe e di që në këtë shtet nuk është mirë të gjykohesh. Në këtë pikë, ngjan si dy pika me uji me ministrat tanë të Shëndetësisë, që shkojnë të vizitohen jashtë, me  pronarët tanë të universiteteve që i shkollojnë fëmijët e tyre jashtë dhe natyrisht me popullin shqiptarë, që për të gjykuar se cili politikan vlen, kërkon të dëgjojë se çfarë thonë ambasadorët. Të gjithë e dinë ç’kanë bërë dhe nuk e duan për vete atë që kanë bërë, as politikanët shtetin që kanë bërë, as pronarët e Universiteteve shkollat që kanë bërë, as mjekët spitalet që kanë bërë. Siç nuk do Saliu shtetin që ka bërë vet për çerek shekulli, si një tallje për shqiptarët që e besuan. Tani ulëret “mos më lini në dorë të këtij shteti”. Në fakt nëse ka një njeri që duhet lënë vetëm në dorë të këtij shteti, madje dhe në qelitë e këtyre burgjeve është pikërisht, Ai.

TEMA

SHKARKO APP