Tani topi kinez është në dorën e ramës

Nga Hajdar Muneka

Diplomacia e shenjave dhe simboleve është po aq e vjetër sa edhe e suksesshme. Nga eksperienca ime në marrëdhëniet shumë vjeçare me ta mendoj se kinezët janë mjeshtra të përdorimit të saj. Është e njohur diplomacia e pingpongut, e cila në fillimvitet ‘70-të theu akullin kino – amerikan dhe bëri që të dy vendet të rivendosnin urat e lidhjeve midis tyre për të ardhur deri në ditët e sotme. Po ashtu, diplomacia e basketbolliti ka paraprirë normalizimit të marrëdhënieve kino – indiane, kino – japoneze, dhe, së fundi, edhe atyre midis Koresë së Veriut e SHBA.  Nëse ka njeri që mendon se zëvendës kryeministri kinez Zhang Gaoli, që vizitoi Tiranën këto ditë, i dhuroi një top basketbolli kryeministrit shqiptar Edi Rama thjeshtë për t’i kujtuar të shkuarën e tij nostalgjike si ish basketbollist, mendoj se është i gabuar. Dua të besoj se ka një simbolikë tjetër me këtë gjest. Secili e lexon atë ashtu siç do. Unë kam interpretimin tim.

Kemi më shumë se dy dekada që dëgjojmë kinezët në çdo rast të na falenderojnë për kontributin shqiptar që Kinës t’i kthehej vendi i saj i merituar në OKB. Dhe për këtë kanë të drejtë, pasi është pjesë e rëndësishme e historisë sonë të përbashkët.Po ashtu edhe ne, me të njëjtin intensitet, përseritim pafund refrenin se miqësia midis Shqipërisë e Kinës ka baza të thella e të forta historike, se popujt tanë kanë treguar shenja besnikërie ndaj njeri tjetrit, se mes nesh ekziston dëshira e mirë që këto marrëdhënie të forcohen edhe më tej etj. U kujtojmë atyre gjithashtu se Shqipëria, me pozitën e saj gjeografike e burimet natyrore e njerëzore, është vendi i përshtatshëm për investimet kineze, se kemi hartuar një legjislacion të plotë për këtë etj, etj. Nuk harrojmë të përseritim se në kohëtmë të vështira për Shqipërinë në vitet ’60-të e ’70-të Kina ka ndërtuar në vendin tonë më shumë se 150 vepra të mëdha industriale, e ka armatosur atë me armët më moderne të kohës dhe ka bërë që shqiptarëve të mos u mungonte asgjë. Në fakt të gjitha këto janë të vërteta, por në kontekstin e kohës kur thuhen, duken si të shtëna në boshllëk.Pasi, përveç bunkerëve që nuk i hyjnë askujt në punë si dhe dy hidrocentraleve, çdo gjë tjetër e asaj kohe, me kontributin e vetë shqiptarëve është kthyer në gërmadhë. Kur na intereson, e kur nuk kemi të tashme, ne mburremi me të kaluarën. Ndoshta kjo është natyra e shqiptarëve. Por kinezët janë pragmatistë. Ndaj edhe janë të suksesshëm. Ata i përshtaten më së miri kohës që jetohet, rrethanave dhe interesave në shërbim të së tashmes e të ardhmes.

Duhet të kemi parasysh se ky brez që po rritet në Kinë nuk don t’ia dijë shumë për marrëdhëniet e dikurshme midis dy vendeve tona, ose më së shumti, kur merr ndonjë informacion për mënyrën se si përfunduan ato, ka një vështrim kritik ndaj tyre. Shembull tipik është ai i marrëdhënieve të Kinës me Maqedoninë. Në fund të viteve ‘90-të, për shkak se Shkupi njohu Taivanin, marrëdhëniet e tij diplomatike me Pekinin u ndërprenë. Është një gjest që Kina nuk fal askënd. Nuk kaloi shumë kohë dhe maqedonasit bënë autokritikë për atë hap papjekurie të qeverisë së radhës.Ajo pjesë e hidhur e historisë midis dy vendeve u hodh prapa, duke i lënë vendin një perspektive të re zhvillimi me interesa e përfitime të përbashkëta. Aktualisht, përveç investimeve të tjera në energjetikë, Kina po ndërton në Maqedoni dy autostrada me një investim në vlerën e 564 milionë dollarëve.

Ndërsa fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur me Shqipërinë. Pothuajse të gjitha projektet e mëdha që janë diskutuar me kinezët në 25 vitet e fundit kanë dështuar. I tillë ka qenë fati i hidrocentraleve të Bushatit e Skavicës, Porti i Shëngjinit, Rruga e Arbërit e Parku industrial i Spitallës, të gjitha të negociuara me kompani kineze. Nëse njëri ndër këto projekte të mëdha do të kishte filluar e përfunduar me suksesjam i sigurtë se ai do ishte pasuar me projekte të tjera të rëndësishme. Kjo do të kishte rritur shkallën e besueshmërisë së qeverisë shqiptare apo të partnerëve të tjerë seriozë shqiptarë në sytë e investitorëve kinezë.

Kohët e fundit, kur është fjala për të përmendur statistika dëshmuese të pranisë kineze në Shqipëri thuhet me mburrje se kompani të fuqishme kineze kanë marrë me koncension naftën shqiptare, aeroportin e Rinasit, kromin apo ndonjë biznes tjetër. Është e vërtetë se kompani private kineze me qendra në Hong Kong apo diku gjetkë janë të angazhuar në sektorët e sipërpërmendur. Por nuk di që ndonjë nga këto kompani të jetë në Shqipëri pas negociatave të drejtpërdrejta me qeverinë apo me partnerë shqiptarë. Përkundrazi kanë qenë kompani të fuqishme të huaja si Siemens apo Bankers Petroleum që, për arsyet e tyre, kanë vendosur ta shesin veprimtarinë e tyre të biznesittek kinezët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me gjigandin tjetër kinez Huawei, që është një kompani me një reputaciontë lartë jo vetëm në Kinë, por në gjithë botën. Ajo ndodhet në Shqipëri e kontraktuar nga kompania turke e telekomit.

Shqipëria është pjesë e mekanizmit 16 plus 1, ku janë palëKinadhe 15 vende të tjera të Europës Qëndrore e Lindore. Kjo platformë e iniciuar nga qeveria kineze qysh në vitin 2012, së bashku me nismën “Një brez, një rrugë”, janë krijuar posaçërisht për të sjellë sa më shumë investime kineze në vendet ku këto nisma lënë gjurmë, kryesisht në fushën e infrastrukturës, energjisë e telekomunikacionit. Deri tani në shumë nga këto vende janë investuar miliarda dollarë në ndërtimin e hekurudhave të shpejta, autostradave, porteve e aeroporteve si dhe qendrave të mëdha logjistike. Në vendet e rajonit tonë, përveç Maqedonisë që përmenda më sipër, në Malin e Zi po ndërtohet një autostradë në vlerën e 600 milionë dollarëve, në Serbi ka përfunduar “Ura e Miqësisë” mbi lumin Danub dhe po ndërtohet edhe hekurudha e shpejtë Budapest – Beograd. Jashtë vëmendjes nuk është as Bosnja. Qeveria kineze i ka maksimalizuar lehtësirat e procedurave financiare e ato të garancisë sovrane për të bërë të mundur realizimin e investimeve të saj në këto vende. Por ka përforcuar vetëm një kërkesë, e cila duket se do të jetë e pa negociueshme: vigjilenca ndaj fenomenit të korrupsionit e krimit ekonomik.

Kam besim se, sa u përket marrëdhënieve me Kinën, edhe për Shqipërinë punët do të ecin më mirë. Kjo do të ndodhë kur vullneti i vendimmarrësve shqiptarë të jetë i sinqertë e kur për shkallën e këtij sinqeriteti të arrijnë të bindin edhe palën tjetër. Por edhe kur ta bindin veten pikë së pari se kinezët nuk janë më lehtësisht të korruptueshëm e se ata nuk e lëshojnë lehtësisht nga dora paranë e tyre. Për të tjerat mjafton të kemi projekte konkrete e të studiuara siç duhet. Fakti se e gjithë bota i ka drejtuar sytë nga Kina tregon se kinezët janë më të lirë e konkurues, të shpejtë e cilësorë. Mbi të gjitha kanë para të lirë dhe nuk u mungon dëshira për ta investuar jashtë vendit.

Ndërsa nëse dikush mund të mendojë se ne duam të bashkëpunojmë me kinezët, por janë faktorë të tjerë gjeopolitikë që na pengojnë për këtë, prapë zgjidhjen do ta gjejmë tek topi që zëvendës kryeministri kinez Zhang Gaoli i dhuroi kryeministrit tonë Edi Rama. Zyrtari i lartë kinez i tha Ramës se ky është topi me të cilin ka luajtur ylli kinez i basketbollit Yao Ming. Edhe ky nënvizim nuk ishte krejt i rastësishëm. Yao Ming është lojtar i NBA amerikane. Tani ky top është në dorën e Ramës. Nëse ai do të dijë ta luajë mirë këtë top në favorin tonë shumë shpejt shqiptarët nuk do të vazhdojnë të mburren me çfarë ka bërë Kina për Shqipërinë para gjysëm shekulli, por me çfarë po bëjmë sot për njeri tjetrin. Kam përshtypjen se edhe kinezët këtë po presin.

SHKARKO APP